Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vijuar turin e bashkëbisedimit me banorë të Pogradecit. Ndonëse një nga qytetet më të bukura turistike, Pogradeci ashtu si i gjithë vendi vuan pasojat e keqqeverisjes e së fundmi edhe të diskriminimit. Papunësi e madhe, rënie e fuqisë blerëse, varfëri, mashtrimi që mazhoranca u bëri për t’iu marrë votat tre vite më parë dhe shkatërrimi i pronave me leje, pa dhënë asnjë dëmshpërblim ishin disa nga shqetësimet që banoret e Pogradecit i shprehën zotit Basha.
Tregtar: Unë jam një biznes i shkatërruar. Që më datën 6 janar të vitit 2015 akoma nuk më është dhënë vendimi i prishjes së objektit, vazhdoj me gjyqet. Nga një biznes që kisha 10 punëtorë unë sot jam i mbaruar, dal e lypi bukë.
Basha: Ka një shtet brenda shtetit që merr paratë që duhet ti merrje ti. Ka një shtet brenda shtetit që merr paratë që duhet të shkojnë për ilaçet nëpër spitale, pajisjet nëpër spitale. Ka një shtet brenda shtetit që merr paratë e pensioneve e të ndihmës ekonomike. Ka një shtet brenda shtetit dhe ky është Koço Kokëdhima, është Klement Balilaj, është Emiliano Shullazi, është Saimir Tahiri, është Edi Rama, është Arben Ahmetaj. Ka një shtet brenda shtetit, po nuk shkatërruam këtë shtet brenda shtetit kjo mynxyrë do të vazhdoj.
Ish-minator: Na ka premtuar se do të na japë statusin e minatorit. Jo status nuk po na jep por edhe po na mashtron me një pension qesharak.
Basha: Po si mund të rritet ekonomia kur gjithë paratë që mblidhen nga taksat shkojnë për luks qeveritar?! 90 milionë euro i kanë bërë orendi për zyra, për zyrat e Shukriut e të shukrive. Paratë do të kthehen në investime dhe jo investime luksi, investime që do të hapin vende pune.
Tregtarët ankohen për gjobat e mëdha që u vihen nga tatimorët. Vijnë deri në 6 herë në ditë për kontroll, kur s’marrin ryshfet vënë gjoba, tha një tregtar.
Për biznesin e vogël heqja e taksës është zëvendësuar me gjoba sa 3-fishi i taksave që paguanin.
Prodhues buke : Të puthin duart gratë e shkreta se duan bukë të ftohta, të ndenjura pa lekë. Kam pesë punëtorë, vetë jam gjashtë, i siguruar me taksa me tatime. Po erdh Hetimi Tatimor do qëndroj këtu, ose do të bëhesh gati të paguash, ose ka gjobë 500 mijë. Ky është shteti i gjobave, gjobëvënës.
Në dyqanin e mishit, Basha: Sa kile mish shet në ditë?
Kasap: Po 5, 6 kile.
Basha: Sa ke shitur vjet?
Kasap: Po gati 30, 40 kile.
Basha: 5 herë më pak se vjet.
Kasap: Po s’kanë lekë njerëzit.
Basha: Nxori njerëzit papunë, riktheu bandat jo vetëm në Shqipëri por edhe në qeveri. Morën 180 milionë euro oligarkët dhe bandat. 2.2 miliardë në dy vjet janë zhdukur nga financat e shtetit. Këto janë paratë që iu mungojnë kasapëve.
Tregtar: Vetëm në një ditë gjashtë herë vijnë të tatimeve.
Basha: Po çfarë duan që vijnë gjashtë herë këtu?
Tregtar: Thjesht ka hequr taksën e biznesit të vogël dhe atë do ta zëvendësojnë me gjobë.
Tregtar: Pse erdhi nusja e më solli një çikë bukë mua këtu, 500 mijë lekë direkt gjobë, pa një vendim.
Basha: Taksat do t’i ulim, gjobat abuzive do t’i anulojmë.
Tregtar: Taksat i paguajmë por gjobat na mbytën.
Basha: Absolutisht, taksat i merr banda dhe banda ble 60 mijë euro syze, bën saraje 5 milionë euro.
Tregtare: S’kemi bërë sefte akoma, s’ka leka.
Pronar mobilierie: Nga janari deri tani muaji i parë që ja po themi që ingranohemi si duhet.
Basha: Sa punonjës ke?
Pronar mobilierie: Unë kam shtatë. Kam pasur shumë po mundësia s’është më.
Basha: Sa ke pasur?
Pronar mobilierie: Deri në 15.
Tregtar: S’ka punë nuk ecën asgjë, as xhiro. Prandaj shikoni tani të hapni punë.
Rritja e çmimit të energjisë, ulja e pagesës së ndihmës ekonomike dhe lënia pa asnjë kujdes social e më të pamundurve ndihet në shumë familje në Pogradec. Dy prej tyre u vizituan nga zoti Basha. Shtatë anëtarë të një familje detyroheshin të jetonin në një dhome, nuk kishin të ardhura dhe s’paguanin dot faturën e energjisë elektrike. Kishin investuar në bimët medicinale të cilat për shkak të rënies ekonomikë nuk gjenin dot treg. Në këto kushte shtatë pjesëtarët e familjes ishin në kufijtë e mbijetesës.
Familjar: Tani unë nuk kam çfarë them. Në këtë dhomë jetojnë shtatë veta zotëri, pesë fëmijë, burrë e grua.
Basha: Të gjithë këtu jetoni?
Familjar: Po, po.
Basha: Fëmijët këtu flenë?
Familjar: Këtu përdhe po, po.
Familjar: Do ta hap frigoriferin të shohësh çfarë hanë fëmijët. E kam menduar të mbytem në gjol po këta ku ti lë. Skam asnjë mundësi më…….
Kryetari i Partisë Demokratike premtoi dhe ndërtimin e unazës se qytetit. Projekti është gati dhe kostoja përllogaritet 9 milion euro e barabartë me paratë që merr me konçesionin korruptiv Vilma Nushi në 9 muaj tha Basha.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 21 Maj 2016