Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma ishte sot në vendin e ngjarjes në Kavajë ku humbën jetën dy fëmijë nga një aksident për shkak të interesave të njerëzve të lidhur me pushtetin.
“Këtu humbën jetën dy fëmijë. Në këtë rrugë humbëm dy jetë njerëzish, për shkak të mbrojtëseve të rrugës, të cilat mungonin. Mendoni se kjo ndodhi vetëm për shkak të mungesës së mbrojtëseve?!Absolutisht jo. Ndodhi për shkak të interesave klienteliste të pushtetit. Ndërsa qindra qytetarë përfundojnë burgjeve për një suva, për një çati, për një mur shtëpie në pronë të vetën, ky shtet, kjo qeveri, ajo ministri, ai autoritet rrugor, prej dy vitesh nuk zbatojnë një vendim gjykate për të vendosur mbrojtëset e rrugëve.
Përse nuk e zbatojnë?! Sepse kështu i intereson një pronari të një pike karburanti, një Pilo Kerri, i cili si ish-deputet i PS, si baba i një drejtori të rëndësishëm në Ministrinë e Transporteve dhe sot e dikur ish-shef i kabinetit të Haxhinastos, përdredh ligjin për t’u shërbyer interesave të veta”, tha Duma.
Sekretarja Duma e cilësoi ngjarjen një krim shtetëror pasi skandali është edhe me i rëndë. Sipas saj, firma që marrë fondet publike për sigurinë rrugore është e njëjta që ka në pronësi edhe karburantin.
“Në fakt prokuroria e hapi çështjen në themel duke dërguar përballë drejtësisë dy drejtorë të Autoritetit Rrugor. Por skandali është shumë më i thellë se sa kaq.
Ironia më e madhe është se pikërisht firmës të cilës i intereson që mbrojtëset e rrugës të mos ekzistojnë është e njëjta firmë që përfiton fonde publike për mirëmbajtjen e këtij aksi rruge dhe këtij segmenti rrugor. Vlera e përfitimit: Qindra miliona lekë.
Emri i gjithë kësaj është i thjeshtë – krim shtetëror. Partia Demokratike inkurajon vazhdimin e punës së prokurorisë dhe institucioneve të drejtësisë. Por natyrisht ne kërkojmë që kjo çështje të shkojë në Tiranë, atje ku i ka rrënjët kjo aferë.
Vajzat, fëmijët që humbën jetën, ishin nisur me nënën e tyre për të takuar të atin që ky pushtet e plasi në burg për një çati që po ndërtonte pa leje. Nga ana tjetër krimi shtetëror shkon dhe ulet këmbëkryq mbi vendimet e gjykatës. Është ky krim që na shkel dinjitetin. Është ky krim që na merr jetë”, tha Duma.
Deklarata per mediat Sekretares për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma, 13 Maj 2016