Platforma e PD: Ulje e moshës së pensionit, rritje e pagës minimale, subvencionimi i energjisë elektrike deri në 200 KW dhe faturës së ujit familjeve me ndihmë ekonomike, dhe ulje çmimi të energjisë për familjarët dhe bizneset. Anullim i koncesioneve korruptive në shëndetësi që marrin çdo muaj 2.5 milionë euro nga taksat e qytetarëve. 1 miliard euro i kthehen ekonomisë nga ulja e taksave.
Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë prioritet mbi prioritetet për Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën. Në këtë kuadër, Partia Demokratike ka hartuar një platformë mbështetur mbi parime dhe mbi zgjidhje europiane të cilat do të mundësojnë që vota e shqiptarëve të mos preket, që shqiptarët të votojnë të lirë, të paintimiduar. Kjo platformë, tha zoti Basha në një takim me anëtarë të FRPD-së në Gjirokastër, do të mundësojë sprapsjen dhe çmontimin e një prej problemeve kryesore në zgjedhjet shqiptare nën qeverisjen Rama-Meta që është shitblerja masive e votës.
Basha: Çfarë do të bëjmë për zgjedhjet e ardhshme?! Votimi elektronik, pra me gishtërinj që të mos mbledhin kartat një natë para, të mos kërkojnë fotografi të votës. Çështjen e financimit: kemi një model i cili po të vihet në funksion ligjërisht gjurmon në çdo bankë të Shqipërisë lëvizjen e “cash”-it. Se ju e dini që tre-katër ditë përpara shkojnë e nxjerrin “cash”-in për të blerë vota.
Në një takim me banorë të Lazaratit, lideri i opozitës Lulzim Basha duke iu referuar situatës së rëndë ekonomike, papunësisë, taksave të larta, arrogancës së pushtetit, korrupsionit qeveritar dhe lidhjeve të saj me krimin, theksoi se sot shumica dërrmuese e shqiptarëve pa dallime politike besojnë se Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramen dhe duan largimin e tij një orë e më parë nga pushteti.
Basha: Banda e Edi Ramës është e rrethuar nga një Shqipëri në mjerim sepse mjerim mbollën me taksat e larta, me terrorin, me kërbaçin. Banda e Edi Ramës është e rrethuar nga një popullsi e dëshpëruar sepse dëshpërim mbollën me mbylljen e vendeve të punës, me çmimet e larta dhe faturat aforfe të energjisë elektrike, me taksat e larta. Shumica dërrmuese e shqiptarëve pa dallime politike duan që Edi Rama të largohet një orë e më parë nga pushteti.
Zoti Basha u takua dhe bashkëbisedoi dhe me banor të fshatit Valare në zonën e Lunxhërisë. Kreu demokrat ka prezantuar platformën për bujqësinë që parashikon të mbështet me buxhetin më të madh që i është akorduar ndonjëherë prej 150 milionë eurosh. 50 milionë euro do të shkojnë për infrastrukturën bujqësore dhe 100 milionë euro për subvencione direkte për fermerët.
Basha: Programi i Partisë Demokratike për fermerët parashikon subvencione për çdo fermer, pa burokraci, pa NIPT, me kartën tuaj të identitetit do ta merrni subvencionin.
Përmes uljes së taksave dhe cmimit të energjisë Partia Demokratike parashikon se 1 miliard euro t’i kthehen ekonomisë duke mundësuar rritje të konsumit, shtim të vendeve të punes dhe paga më të mira.
Basha: Me taksën e sheshtë 9 për qind, me uljen e taksave mbi të ardhurat për shqiptarët, me uljen e faturës së energjisë ne lëmë në ekonominë shqiptare 1 miliard euro, 2 milionë lekë të vjetra për familje.
Në takimin me banorë të Libohovës lideri i opozitës Lulzim Basha prezantoi platformën sociale për t’iu ardhur në ndihmë të më të pamundurve, atyre në ndihmë ekonomike dhe familjeve në nevojë.
Basha: Familjet në ndihmë ekonomike do të përfitojnë drejtpërdrejtë nga shteti pagesën e energjisë elektrike deri në 200 KW, pagesën e faturës së ujit. Çmimi i energjisë do të ulet për të gjithë konsumatorët. Madje do të ulet edhe për bizneset në mënyrë që të jenë konkurruese, të kenë kosto më të ulët të prodhimit, të kenë më shumë para për të hapur vende pune përmes investimeve të tjera. Paketa jonë sociale parashikon uljen e moshës së pensionit, parashikon rritjen e pagës minimale. Paketa jonë sociale do të fillojë me anulimin e koncesioneve korruptive të Ilir Beqës, check-up-it dhe sterilizimit që i gërryen buxhetit të shtetit çdo muaj 2.5 milionë euro marra së bashku. Para që i mungojnë spitaleve, i mungojnë ambulancave, i mungojnë kujdesit shëndetësor parësor apo listës së barnave të rimbursueshme.
Për invalidët programi i Partisë Demokratike parashikon rimbursim tërësisht të ilaçeve.
Invalid: Nuk duam lëmosha. Duam zbatimin e ligjit dhe të drejtat tona që na janë mohuar dhe na janë anashkaluar.
Basha: Për çështjen e mbështetjes së invalidëve ne kemi përgatitur një paketë që do të rimbursojë tërësisht çdo medikament dhe do të bëjë të mundur që pagesa e invaliditetit të kthehet thjesht dhe vetëm në një mbështetje për jetën tuaj të përditshme dhe jo për të paguar faturat e majmura të energjisë elektrike apo shpenzime, apo taksa të tjera shtesë të cilat janë vendosur me të padrejtë ndaj kategorisë tuaj.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 8 Maj 2016