Partia Demokratike zgjeron koalicionin kundër të keqes, krimit të veshur me pushtet dhe rrënimit ekonomik, koalicioni opozitar i bazuar në vlera dhe jo pazare.
I vetmi kusht për t’iu bashkuar koalicionit opozitar janë vlerat, është besimi në një Shqipëri të pastruar nga krimi, në një Shqipëri të lirë për të votuar dhe për të zgjedhur dhe angazhimi për ta nxjerrë vendin nga kriza. Parti që mbledhin vota me anë të shitblerjes së tyre, me anë të emërimeve korruptive në administratë, me anë të kriminelëve të hurit dhe të litarit e kanë derën të mbyllur në koalicionin e drejtuar nga PD
Edi Rama ka poshtëruar dje, qindra e mijëra, pse jo, miliona shqiptarë emigrantë, vëllezër dhe motra tona, duke u thënë të gjithëve se ju jeni të gjithë si Elvisi dhe Elvisi është si ju. Elvis Roshi i dënuar për drogë dhe përdhunim, kryetari i PS-së i dënuar për drogë, dy njerëz që përpiqen të mobilizojnë me forcë, për të mbrojtur çfarë? Krimin në Kavajë. E dinë të gjithë shqiptarët. E dinë padyshim të gjithë kavajasit të cilët kanë qenë nën thundrën e një klike kriminale e cila edhe dje tregoi dhëmbët sepse ka mbështetjen e Edi Ramës.
Sot me zotin Arian Galdini, kryetarin e Partisë për Liri, Demokraci dhe Etikë kemi arritur së bashku marrëveshjen për bashkëpunimin si pjesë e koalicionit opozitar.
Opozita, koalicioni opozitar zgjerohet me një forcë të re politike, me një forcë me të cilën na bashkojnë vlerat, na bashkon besimi tek një model ndryshe për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Një model ku demokracia shqiptare të mund të shërbehet nga njerëzit e vlerave, në radhë të parë nga rinia, nga të rinjtë dhe të rejat, por edhe nga njerëz të tjerë të angazhuar në çdo fushë të jetës dhe që besojnë tek demokracia e përfaqësuar përmes vlerave.
Modeli ynë qëndron në kontrast të thellë me modelin e kundërshtarit tonë, i cili për tre vite e gjysëm ka investuar në inkriminimin e politikës, në veshjen e pushtetit me krim dhe veshjen e krimit me pushtet si një përpjekje për të diskredituar demokracinë, për t’ju thënë shqiptarëve ja çfarë iu sjell demokracia, Roshë, Bushë, Bardhë, Prengë, Ndokë, Kokëdhimë, etj. Por kjo nuk është demokraci.
Demokracia duhet të ketë fytyrën ëngjëllore të rinisë shqiptare. Ndaj unë jam përkushtuar për 35% kuotë për rininë në Partinë Demokratike, për zgjedhje përmes primareve. Ndaj jam përkushtuar dhe jam i vendosur që sëbashku me aleatët tanë t’u japim shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Sepse jam i bindur se pa dallime politike, të djathtë dhe të majtë bashkohen tek nevoja akute për të pastruar Shqipërinë nga krimi politik dhe tek nevoja akute për të patur zgjedhje të lira dhe të ndershme që janë po kështu dy nga levat kryesore të nxjerrjes të Shqipërisë nga kriza.
Nga kriza ekonomike në radhë të parë që është produkt i drejtpërdrejtë i inkriminimit të vendimmarrjes, të korrupsionit, i vjedhjes së taksave dhe parave të shqiptarëve. Pra, i mungesës së këtyre parave për rritjen e rrogave, të pensioneve, investimeve, punësimit, ndihmës ekonomike dhe mirëqenies së tyre në tërësi.
Koalicioni ynë po vjen duke u zgjeruar. Të tjera parti politike kanë shprehur interesin t’i bashkohen Partisë Demokratike në opozitë. Ky është një koalicion i madh vlerash, ky është vendi ku bashkohen shqiptarët dhe jo vetëm forcat politike, rreth vlerave të lirisë, demokracisë dhe të integritetit. Rreth vlerave të Europës me shpresën dhe besimin se kështu do të mund me të vërtetë t’i japim Shqipërisë një të ardhme të sigurt, me një ekonomi të fortë që janë edhe tiparet kryesore të standardit europian.
Dua të përsëris sot ftesën për këdo që ndihet në opozitë me të keqen, të bashkojmë forcat pavarësisht nëse janë forca politike apo jo, shoqërore, individë, grupe shoqërore. Sepse së bashku mund dhe do t’ia dalim ta ndalim të keqen dhe të hapim një erë të re të së mirës, të punës dhe të drejtës për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Arian Galdini
Unë e kuptoj që ju sot prisnit takimin Basha-Rama por z.Basha dhe Partia Demokratike vendosën ta lejnë Ramën dhe një javë pushim se ai pati një tërheqje muskuli në Kavajë dhe t’i japim mundësi një trajektoreje të re opozitare nëpërmjet një partie e cila sapo ka hyrë në dimensionet dhe spektrin politik shqiptar me djem dhe vajza të reja të cilët duan të jenë partia e qytetarëve të rregullt dhe të thjeshtë , partia e aspiratave e cila kërkon të jetë ofertë nëpërmjet modelit dhe mënyrës sesi vepron si parti elektorale dhe jo si parti e strukturave.
Në patëm shansin dhe mundësinë sot që të bashkëbisedojmë me zotin Basha dhe me krerët e PD për këtë rrugë të re, të cilën e kemi nisur bashkë tashmë sot dhe deri në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme që na presin. Si një rrugë e cila do të jetë përballje, si një rrugë e cila do të jetë alternativë, si një rrugë e cila do të jetë mundësi dhe komunikim i vazhdueshëm me të gjithë qytetarët shqiptarë, rolin që ka luajtur PD deri sot si opozitë ta ndiejnë dhe ta përputhin me atë që quhet opozitarizëm si gjendje qytetare.
Ne i bashkohemi këtij koalicioni për të bashkuar opozitarizmin me gjendjen opozitare që kanë qytetarët shqiptarë që janë masivisht, thellësisht dhe thellësisht të pakënaqur me këtë qeveri e cila të vetmen ofertë që ka keqqeverisjen, varfërimin, taksimet e larta, korrupsionin e lartë, krimin në parlament, krimin në institucione.
Dhe ne mendojmë që kësaj filozofie qeverisjeje këtij mekanizimi qeverisës duhet i thënë ndal, i duhet thënë ndal me betejën opozitare, por i duhet thënë ndal edhe me votën e zgjedhjeve të ardhshme ku opozita e përputhur me mendimin opozitar do të jetë fituesja e këtyre zgjedhjeve.
Pyetje: Zoti Basha ju duhet një parti që nuk ka vota?
Lulzim Basha: Keni filluar të nxirrni konkluzione të shpejta për median që jeni ju. Partia Demokratike nuk paragjykon askënd që dëshiron të bashkohet me opozitën në përballje me të keqen . Ne jemi në opozitë dhe lufta opozitare, përballja me të keqen do të vijë duke u ashpërsuar. Askush nuk vjen për privilegje, vijnë për sakrificë dhe këtu nuk ka asnjë paragjykim, dhe aq më shumë për forca të reja politike që dëshirojnë të jenë një zë I ri në mozaikun politik të vendit.
I vetmi kusht është, të bashkohen vlerat dhe vlera kryesore është besimi në një Shqipëri të pastruar nga krimi, në një Shqipëri të lirë për të votuar dhe për të zgjedhur në bazë të programeve, në bazë të ofertave reale për të nxjerrë vendin nga kriza dhe jo në bazë të makinacioneve dhe pazareve.
Natyrisht ka parti që mbledhin vota me anë të shitblerjes së tyre, me anë të emërimeve korruptive në administratë, me anë të kriminelëve të hurit dhe të litarit, po ato parti e kanë derën të mbyllur që atje në hyrje në oborr dhe do ta kenë derën e mbyllur.
Shqiptarët meritojnë parti të pastra nga krimi, shqiptarët meritojnë parti të cilat përfaqësojnë shqetësimet dhe zërin e tyre. Reforma e vazhdueshme në Partinë Demokratike ka për qëllim që pikërisht Partia Demokratike të jetë në ballë të këtij realiteti të ri politik, që unë e quaj “Demokracia e re”, duke e u vetëpastruar dhe duke ofruar vetë ne më të mirët.
Kjo është e rëndësishme, vlera është e rëndësishme dhe padyshim vlera do t’i diktojë edhe numrat sepse demokracia është numra. Por demokracia e vërtetë nuk është ajo e numrave të korrupsionit e të krimit por është demokracia e numrave që bashkohet rreth vlerave.
Pyetje: Elvis Rroshi dha dorëheqjen dje por u duk sikur nisi edhe fushatën elektorale për t’u rikandiduar nga Kavaja. Si e komentoni lëvizjen e tij?
Lulzim Basha: Tutori i Elvis Roshit është Edi Rama. Edi Rama ka poshtëruar dje, qindra e mijëra, pse jo, miliona shqiptarë emigrantë, vëllezër dhe motra tona, duke u thënë të gjithëve se jeni të gjithë ju si Elvisi dhe Elvisi është si ju. Unë nuk e besoj këtë. Unë nuk besoj se qindra, mijëra djem të rinj shqiptarë që janë sot në emigracion, apo që kanë nisur emigracionin në vitet 90 apo sot janë burra me familje, janë si Elvis Roshi. Unë nuk besoj se qindra dhe mijëra shqiptarë kanë marrë pjesë në përdhunime në grup, apo trafik droge. Prandaj ky është një poshtërim i dytë që Edi Rama i bën shqiptarëve, në veçanti vëllezërve dhe motrave tona në emigracion,. Ky prononcim i tij i djeshëm tregon mentalitetin e inkriminuar të kreut të ekzekutivit, e nxjerr edhe një herë zbuluar si arkitektin e sistemit të inkriminimit në politikën shqiptare. Tregon qartë se largimi i Elvis Roshit, përtej të qenit një frut i hidhur për ta por i ëmbël për shqiptarët, i ligjit të dekriminalizimit, është tërësisht i pamjaftueshëm sa kohë që arkitekti i kriminalizimit të politikës, jo vetëm nuk shfaq pendesë por do që të mbrojë e promovojë krimin deri aty sa të barazojë një njeri të akuzuar dhe të dënuar për përdhunim në grup, të akuzuar e të dënuar për trafik droge e të thotë: Ky është modeli i shqiptarëve në emigracion. Nuk është ky modeli i shqiptarëve në emigracion. Nuk është ky modeli i shqiptarëve kudo ku janë. Modeli i shqiptarëve është ai, i shqiptarëve të ndershëm, punëtorë të cilët me të vërtetë janë hasur në shumë vështirësi në këto 25 vite por ja kanë dalë ti kapërcejnë si shumicë, përmes punës së ndershme. E djeshmja ishte një ditë e turpshme edhe në një rrafsh tjetër. Krimineli tjetër, Gentian Daja, i dënuar për trafik droge mobilizoi me forcë një grup qytetarësh të Kavajës, me gjasë punonjës të Bashkisë së drejtuar deri dje nga Elvis Roshi, për një miting apo një kuazimiting dhe kjo nuk ishte gjë tjetër veçse presion, terror psikologjik ndaj qytetarëve të Kavajës. Elvis Roshi i dënuar për drogë dhe përdhunim, kryetari i PS-së i dënuar për drogë, dy njerëz që përpiqen të mobilizojnë me forcë, për të mbrojtur çfarë? Krimin në Kavajë. E dinë të gjithë shqiptarët. E dinë padyshim të gjithë kavajasit të cilët kanë qenë nën thundrën e një klike kriminale e cila edhe dje tregoi dhëmbët sepse ka mbështetjen e Edi Ramës, që i trajton këta kriminelë si standardin e shqiptarëve. Por ju them sot qytetarëve të Kavajës që dita e çlirimit të Kavajës nga krimi po afron!
Faleminderit !
Njoftim për media i Partisë Demokratike, 1 qershor 2016