Ironike apo jo, gjykojeni vetë, por fati i reformës në drejtësi, na doli sheshit  se varet plotësisht nga xhepi i Ramës.

Sikur ditën e takimit me Bashën, Rama, sipas vetë fjalës së tij, të kishte ngatërruar gabimisht xhep, sot ne do ishim duke hapur aspak gabimisht shampanjën e suksesit në parlament dhe jo duke u grindur, për të gjetur midis shumë argumentave, se cili e ka fajin.

Sepse puna e kësaj qeverisje kështu është katandisur në fund të fundit, në punë xhepash. Shkurt hesapi, qeveri xhepiste.

Zbraz xhepat e qytetarëve, për të mbushur xhepat e veta. Shqyen xhepat e sigurisë kombëtare, duke përgjuar e duke u vetëpërgjuar dhe rras nëpër xhepa fatet e njerëzve, për t’i shdërruar ato më pas në vota nga xhepi, sa herë i duhet të vjedhë pushtetin e rradhës.

Pra, i gjithë ai stërmundim i ynë e i ndërkombëtarëve, e gjithë ajo pritje makthi, e gjithë ajo ecejake e gjatë Tiranë-Venecia e anasjelltas, na paska qenë e kotë dhe e pavlerë fare.

Shkurt, na u zbulua që Reforma  na qenka pikërisht tek xhepi i Ramës.

Nëse atij do ja mbante xhepi, apo ndonjë gjë tjetër që nuk mund ta themi këtu, ajo sot do ishte e përfunduar. Mjafton që ai ta nxirrte që andej.

Ndoshta atë ditë i mungoi avdesi. Tani që e ka,  ju tret dhe trimëria e castit.

Por jo vetëm kaq.

Cështja është se  Ramës nuk i del hesapi. Dhe hesapi i tij është i qartë.

Ai kërkon një Reformë që e le Drejtësinë në xhepin e tij.

E lë të kontrolluar e komanduar nga ai.

Një lloj drejtësie që e ribën Roshin kryebashkiak, që e ribën Prengën Deputet, që e ribën kriminelin, vrasësin, trafikantin, hero të kohës sonë, modelin e fëmijëve tanë.

Që e bën Ramën kryegjyqtar, kryehetues, kryeprokuror, perandor, sundues.

Një lloj drejtësie që çon drejt gijotinës, çdo kundërshtar politik të Ramës, qoftë dhe sot aleat strategjik dhe var në litar si dikur poetë e shkrimtarë, ëndrra e dëshira të njerëzve të thjeshtë të këtij vendi.

Përndryshe, reforma nuk del nga xhepi i tij.

Aq më tepër që njeriu i 200 milionëve offshore e di shumë mirë, se ai nuk mund të nxjerrë nga aty, bumerangun e vetvetes.

Shpejt a vonë, Ramën e pret ndëshkimi i mekanizmit që ai përpiqet ta ndërtojë për mbrojtjen e vetes së tij dhe ecurinë e karrierës së tij.

Kjo frikë e tij është më e madhe se cdo dëshirë, pasi ai di për veten, më shumë se cdo hipotezë e mundshme e thënë dhe e stërthënë.

Megjithëse, veten gjithmonë e ka parë në pasqyrë si magjistar reformash, thellë-thellë ai e di shumë mirë që mbetet një mashtrues i reformuar dhe madje i deformuar.

Madje është frika ajo që e ka bërë që ta fshehë, jo në xhepat e thjeshtë të  xhaketës, por ta mbajë të palosur mirë, tek ato të pantallonave.

Prandaj dhe ditën e takimit nuk kishte si e ngatërronte fjalimin e ndjerë për të mallkuar e akuzuar si pengues opozitën,  me fjalimin për pranimin e reformës.

Masat i kishte të marra.

Me shumë kujdes, e ka futur tek ai xhepi i vogël që përdoret për të shkoqurat.

Që quhet ndryshe dhe xhepi i kusureve.

Në fund të fundit në konceptin e tij Reforma në Drejtësi, është njëkohësisht një monedhë, për ta përdorur si kusur politik.

Kusur që ka justifikuar dhe justifikon të gjithë kusaritë e bëra deri më tani. Një monedhë false kjo, gjithsesi.

Kusur që ai kërkon dhe pranon ta kthejë vetëm për një gjë. Për ta këmbyer me pushtetin e vet personal politik të rradhës.

Para këtij është gati të shesë gjithcka që i del përpara, siç po i shet.

Por, ne nuk mund të pranojmë që në emër të një drejtësie të padrejtë, të ndërtohet një sistem i ri padrejtësie i drejtë.

Reforma në drejtësi nuk duhet të jetë as kusuri për tu paguar dhe as monedha e pavlerë për tu gënjyer.

I gjendur sot pa asnjë kartë morale para njerëzve, Rama kërkon që t’i japë vlerën e kartës duke e mbajtur në xhep, pikërisht këtij  kusuri, që neve na ka rënë në pjesë të gjithëve “për të hequr kusur”, për shkak të gjendjes në krye të vendit, të një njeriu krejtësisht të padrejtë.

Prandaj ai nuk nxiton ta shpenzojë atë. Kalimi i kësaj do ta linte përfundimisht, pa kredo dhe kartë elektorale Ramën.

Atë nuk e pengojnë aspak, për ta miratuar dhe për të dhënë konsensus, as kërkesat e Venecias dhe as përmbushja e kërkesave tona për arkitekturën e institucioneve dhe moskapjen politike.

Njëkohësisht, nuk e shtyjnë përpara as deklaratat inkurajuese të ardhura në rrugë diplomatike, të cilat kanë zgjedhur t’i japin epitetin fleksibël, për t’i dhënë dorën e fundit, drurit më të shtrembër të politikës shqiptare në këto 25 vite.

N.q.s ai vërtet do kishte dëshirë dhe qëllim reformimin e drejtësisë, ajo do të ishte tashmë e nisur me konsensus politik dhe jo në mënyrë të njëanshme.

Por Ramës nuk i duhet drejtësia e pavarur.

 Atij i duhet fajtori i shpikur.

I duhet sebepi.

I duhet zhurma.

I duhet kërcënimi i gjyqtarëve.

I duhet lumi dhe llumi i akuzave pa fund e krye.

I duhet propanganda për të mbajtur me gajret njerëzit deri në zgjedhje.

Ky është brumi i magjës së tij që kundërmon korrupsion, arrogancë, krim, pafytyrësi e përcmim.

Dhe ta mendosh sy nga ky brum po del ajo gjëja e rëndësishme, buka e reformës në drejtësi!!!

I ngritur mbi abuzimin me dëshirën e votuesit për drejtësi, ai kërkon ta mveshë atë me efektin e mrekullisë, ndërkohë që unë personalisht besoj se kusuri që del nga xhepi i Ramës, për llogari të Ramës, jashtë dakortësisë me opozitën, pavarësisht se ka emrin reformë në drejtësi, do të prodhojë një shfytyrim të drejtësisë.

Nuk dua të replikoj aspak për domosdoshmërinë e kësaj reforme, por ajo nuk mund të jetë batanie që hidhet për të mbuluar paaftësinë drejtuese, idiotësinë ekonomike, yxhymin për të grabitur, braktisjen masive të shtetarëve.

Gati-gati, kjo ka marër ngjyrat e barsaletës.

Kur njerëzit sot i kërkojnë llogari Ramës, pse mungojnë investimet???

Na mungon  reforma në drejtësi lë të nënkuptohet ai, duke ju shmangur cdo përgjegjësie.

Me qesëndi mbrohet se nuk është faji i qeverisjes së tij.

Kur e pyesin për varfërinë, për papunësinë , për braktisjen, mungesën e shpresës, me cinizëm i thotë se për cfarë i doni këto ju?!!!

Ne do ju japim reformën në drejtësi.

Kur punëtorët e bitumit në Përrenjas kërkojnë pagën prej 11 muajsh, përsëri faji është i reformës në drejtësi, jo i talljes që bën qeveria e tij.

Kur fermerët e Shirgjanit, Gjergjanit, Gostimës, Shushicës i kërkojnë thjesht hapjen e kanalit të vetëm vaditës, që duhet të ishte bërë që në Maj, përgjigja që u jepet atyre nuk është e vërteta dhe e sakta.

Por me shpoti e përcmim, i nxjerrin gjuhën dhe i thonë se qeveria ka hallet e reformës në drejtësi. Nuk merret me gjëra të vogla.

Pasi të bëhet kjo rrezik dhe vetë fushat nuk do kenë nevojë për vaditje.

Edhe kur rrëzohen mandatet  e zhvatësve të fondeve publike, faji është i reformës në drejtësi.

Dhe për arat me kanabis, fajin e ka mosbëraj e reformës. Dhe për vrasjet e grabitjet në mes të ditës.

Dhe për dhunën në arsim. Dhe për rrënimin e biznesit.

Rama po e shet veten sikur po sjell midis nesh celësin magjik të zgjidhjes së cdo halli e cdo problemi, për të mbuluar aty me pak brilantinë zhulin e qeverisjes.

   “Killer me pagesë” e cilësoi kryeministri, gjyqtarin që dha urdhër-pezullimin  nga detyra, për kryepolicin e pushtetit të tij të degraduar.

Një lumë sharjesh me epitete nga më skandalozet listoi pa hezitim Rama, ndërkohë që ende nga goja e tij nuk ka dalë asnjë fjalë për Roshin e tij të zemrës, i cili sic i binte gjoksit vetë, provoi që është i dënuar për përdhunim.

Megjithatë nën obrellën dhe inkurajimin e kryeministrit në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me cdo parim drejtësie, i marrë nën hetim, ai vazhdon të jetë në detyrë.

Në asnjë rast, po ky kryeministër, nuk ka guxuar të përdor të njëjtat përcaktime, për skotën e vrasësëve e trafikantëve që i ka dhënë grada politike, në të gjitha nivelet e pushtetit.

Ata sot janë sigurisht, duke e duartrokitur për mbrojtjen që ai u bën, për përkrahjen dhe mbështetjen. Ai sot është ylli i tyre.

 Ylli i krimit që luan me drejtësinë dhe që  e do drejtësinë për të pastruar të palarat e veta dhe të bandës që drejton.

Po kë mbron ky kryeministër?!!

Cënimin e sigurisë kombëtare apo përgjimin e ambasadave?!!!

Përgjimin e njerëzve publikë, apo të politikanëve kundërshtarë?!!!!!

Heqjen e privatësisë së njerëzve të zakonshëm apo dhunimin e lirisë së fjalës e medias së lirë??!!

Se ku fillon kryeministri këtu, se ku vazhdon kryegjykatësi, apo kryeprokurori dhe se ku mbaron ordineri dhe avokati i krimit, unë nuk pres të ma tregojë reforma në drejtësi e dalë nga xhepi-portofol i Ramës.

Ne e kemi shprehur dakortësinë tonë për reformën, me kontributin absolut që ajo të mos merret peng nga një kastë politike me synime të qarta pushteti.

Kemi dashur dhe duam një reformë tërësore, me institucione solide dhe të mirërregulluara që prodhojnë një drejtësi efektive, të prekshme dhe që garanton një shoqëri të bazuar në rregulla dhe norma të denja për një demokraci me tipare e vlera europiane.

Cdo konkludim që con në kapjen politike e saj, që con në deformim i institucioneve të saj do ishte fillimi i fundit të drejtësisë dhe jo fillimi i fundit të padrejtësisë.


Fjala në Kuvend e deputetit, Luçiano Boçi, 9 Qershor 2016