Duke avancuar në mënyrë të njëanshme në Parlament kërkesën për të miratuar një draft kushtetues që e kap politikisht drejtësinë, Edi Rama është vetëdenoncuar si armiku i Reformës në Drejtësi. Një parlament legjitim me pjesëmarrje opozitare nuk mund dhe nuk do të ratifikojë kurrë projektin e kapjes politike të drejtësisë nga Edi Rama.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe opozita është unanime në qëndrimin e saj për një reformë në drejtësi që nuk mbron por lufton korrupsionin dhe krimin. Me aktin e sotëm Edi Rama është vetë denoncuar si armiku i një reforme të tillë. Duke avancuar në mënyrë të njëanshme në Parlament kërkesën për të miratuar një draft kushtetues që e kap politikisht drejtësinë, Edi Rama ka marrë përsipër dështimin e sigurtë, duke bërë të mundur nga njëra anë shtyrjen për të paktën një vit të reformës në drejtësi dhe nga ana tjetër duke rrezikuar delegjitimimin e Parlamentit dhe destablizimin politik të Shqipërisë.
Kjo ne nuk na habit, jemi ndeshur me këtë axhendë të Edi Ramës që prej ditës të parë për reformën në drejtësi dhe është falë kontributit tonë që sot kemi një draft të standardit europian. Është falë kontributit tonë që i kemi hequr nga duart njëra pas tjetrës të gjitha projektet e kapjes politike të drejtësisë duke nisur me Byronë Kombëtare të Hetimit apo me kontrollin e procesit të vetingut.
Ky është një fakt që sot nuk e deklaroj për pompozitet apo për propagandë para shqiptarëve por është certifikuar nga Komisioni i Venecias. Dhe ajo çfarë po kërkojmë ne sot është ta përfundojmë këtë proces për t’i dhënë shqiptarëve drejtësinë që meritojnë ata dhe jo një peshqesh për Edi Ramën, i cili ka një mijë e një arsye t’i trembet një drejtësie të pavarur, një gjyqësori të pavarur, një prokurorie të pavarur dhe të pandikuar politikisht.
Ndaj thirrja jonë dhe qëndrimi ynë mbetet zbatimi i plotë i rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias. Refuzuesi është Edi Rama sepse armiku i drejtësisë së pavarur është Edi Rama.
Sot dua t’i bëj një thirrje të gjithë deputetëve të mazhorancës, të mos përdoren politikisht si mburojë nga njeriu që ka tmerr drejtësinë e pavarur.
Dua t’ju them sot shqiptarëve që Partia Demokratike ka bërë të gjitha përpjekjet për një drejtësi që nuk mbron por lufton korrupsionin dhe krimin, për një drejtësi që t’iu shërbejë sa më mirë interesave të tyre dhe se çështja që na ndan sot me Edi Ramën është në fakt çështja më e rëndësishme.
Nëse ka kapje politike sipas draftit të Edi Ramës nuk ka reformë. Nëse ka reformë ajo do të bëhet sipas Komisionit të Venecias dhe me këtë reformë nuk ka kapje politike. Këtë kërkon Partia Demokratike, këtë kërkon opozita e unifikuar dhe e shtuar në radhët e saj edhe me faktorë që deri dje nuk e kanë parë veten e tyre në opozitë. I vlerësoj jashtëzakonisht për qëndrimin e tyre sepse kjo nuk është çështje thjesht opozitare, është çështje kombëtare: Si e duam drejtësinë nesër nën hyqmin e Edi Ramës apo një drejtësi që i bindet, respekton dhe zbaton vetëm ligjin.
Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë, Venecia e ka sanksionuar këtë si një zgjedhje të drejtë. Rruga e miratimit të reformës në drejtësi është rruga e zbatimit të plotë të rekomandimit 88. Akti armiqësor ndaj reformës në drejtësi që është një akt armiqësor ndaj qytetarëve shqiptarë, para se të jetë ndaj opozitës, do të takohet në Parlament me dështimin e plotë dhe të gjithanshëm.
Parlamenti shqiptar për sa kohë që dëshiron dhe do të mbetet një parlament legjitim me pjesëmarrje opozitare nuk mund dhe nuk do të ratifikojë kurrë projektin e kapjes politike të drejtësisë nga Edi Rama.
Deklarata për media e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 22 qershor 2016