Çdo akt unilateral i dërgimit në Parlament të një pakete të parakorduar me opozitën do të takohet atje me dështimin e sigurtë
Mirëmbrëma zonja dhe zotërinj të medias, bashkëqytetarë,
Si kryetar i Partisë Demokratike, si kryetar i opozitës, erdha sot në këtë takim me përfaqësuesit më të lartë të mazhorancës, kryeministrin dhe përfaqësuesin relevant të forcave të tjera politike, me vullnetin për të kërkuar dhe ofruar zgjidhje.
Zgjidhje që do t’u japin shqiptarëve një drejtësi që lufton dhe nuk mbron korrupsionin dhe krimin e organizuar. Dhe për këtë PD ka patur një dhe vetëm një kusht, moskapjen politike të drejtësisë. Kapja politike e drejtësisë është korrupsioni i gjithë korrupsionit, është baza e çdo të keqeje.
Një drejtësi e cila bëhet palë me të fortin, më të pasurin, me kriminelin, më të korruptuarin, është drama e përditshme. Por është padyshim jo shkaku, por pasojë e korrupsionit politik. Nëse politika, nuk do t’i mbronte shullazët, kokëdhimët, habilajt e të tjerë me shokë dhe domenët e tyre respektive të aktivitetit të mirëfilltë kriminal apo të korrupsionit që vjedh miliona euro çdo javë nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë, padyshim që drejtësia do vepronte.
Por drejtësia tkurret, drejtësia trembet, drejtësia shantazhohet nga një pushtet politik i cili prioritet të prioriteteve ka t’i mbrojë kriminelët që i gjenden në krah ditën e votimit dhe oligarkët që i bëjën rrush e kumbulla paratë e taksapaguesve shqiptarë për t’i përdorur me lugë kafeje për t’i blerë votën ditën e votimit.
Një drejtësi që lufton dhe nuk mbron krimin dhe korrupsionin ka qenë prej ditës së parë prioriteti ynë dhe për këtë ne kemi dhënë kontributin tonë. Të gjithë e mbani mend se si në shtator tw vitit tw kaluar Partia Socialiste dërgoi në Venecia përkundër paralajmërimeve tona një draft që parashikonte kapjen totale të sistemit të drejtësisë nga organe të cilat me ligj duhet të hetonin korrupsionin e zyrtarëve por po me ligj ishin në hyqmin e zyrtarëve që do duhej të hetonin. Siç ishte Byroja Kombëtare e Hetimit e parashikuar të ndodhej nën sqetullën e ministrit të Brendshëm, siç ishin institucionet e tjera. Opozita dha kontributin e saj dhe falë qëndrimeve tona në dhjetor të vitit të kaluar Venecia çmontoi këtë projekt të kapjes politike, i hapi dritën një dialogu të mirëfilltë politik duke dhënë të drejtë opozitës për shqetësimet që paraqiti sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe moskapjes së sistemit.
Për fat të keq, për ata që e mbajnë mend javët e para të janarit u harxhuan në vend të përpjekjes për dialog politik, në një përjashtim të dytë të opozitës nga tryeza e bisedimeve dhe nga mungesa e dialogut që do të sillte një draft të përmirësuar. E si rezultat një draft i dytë i njëanshëm u dërgua në Venecia pas të cilit dhe me ndihmën dhe kontributin e opozitës Venecia reagoi përsëri duke sjellë vërejtjet e saj.
Për herë të dytë opozita shqiptare veproi si garante e Kushtetutës, e ligjeve dhe e drejtësisë që nuk mbron por lufton krimin dhe korrupsionin.
Ky do të duhej tw ishte momenti, pas dy dështimesh në sytë e shqiptarëve, të Venecias dhe mbarë botës që mazhoranca të merrte përgjegjësitë e saj, e në veçanti sa i përket aspekteve të arkitekturës dhe vendimmarrjes, aspekte që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me luftën kundër korrupsionit dhe me moskapjen politike.
Ndërkohë që nga njëra anë mazhoranca dhe opozita u dakordësuan në parim për instrumentet e luftës kundër korrupsionit, sepse opozita e solli procesin deri këtu, e hoqi mundësinë e kapjes së këtyre institucioneve përmes Venecias, përmes qëndrimit të saj. Në dy muajt e fundit mazhoranca ka refuzuar çdo ditë, çdo javë dhe çdo muaj mundësinë e një kompromisi siç e kërkon Venecia për arkitekturën e sistemit dhe për vendimmarrjen në sistem.
Kjo ka sjellë një ndërhyrje të tretë të faktorit ndërkombëtar e cila synon përmirësimin e mëtejshëm dhe konsensusin midis palëve që do të përfshinte jo vetëm strukturën e posaçme antikorrupsion, por edhe arkitekturën dhe vendimmarrjen.
Siç e kemi ndarë edhe me publikun, që prej muajt shkurt Partia Demokratike ka pranuar versionin e vendeve të rezervuara për arkitekturën e re të sistemit të drejtësisë, të propozuar nga OPDAT dhe EURALIUS dhe të sanksionuar nga Komisioni i Venecias në paragrafin 88 të opinionit të saj final.
Ky paragraf pamundëson ose vështirëson në ekstrem kapjen politike të institucioneve të reja të drejtësisë.
Sot ishte një test për vullnetin politik për reformën në drejtësi. Me siguri Kryeministri, parafolësi ka shprehur këtu para jush se është PD ajo që pengon reformën në drejtësi, është PD ajo që nuk e do reformën në drejtësi.
Faktet tregojnë të kundërtën. Sot unë dhe bashkëpunëtorët e mi detajuam para Kryeministrit dhe bashkëpunëtorëve të tij propozimin tonë bazuar mbi rrugëzgjidhjen që dha Komisioni i Venecias për vende të rezervuara si pika e vetme që ndajnë sot pozicionet mes palëve.
Kryeministri dhe bashkëpunëtorët e tij nuk patën asnjë argument thelbësor kundër këtij propozimi që është një propozim ndërkombëtar, një standard europian që funksion sot në Kroaci dhe në Maltë dhe që është sanksionuar nga Komisioni i Venecias. Thjesht nuk u pëlqen. Ky nuk është argument. Kjo është kapriço. Por është më shumë se kaq, është mungesë vullneti që së bashku me opozitën t’i japësh vendit reformën në drejtësi.
Kjo është çështja që ndan sot palët dhe mbi këtë çështje opozita nuk vjen me një model të vetin, as me një kërkesë apo tekë kapriçoze, por vjen me modelin që ka ofruar tashmë Komisioni i Venecias, OPDAT-i dhe EURALIUS. Modelin e vendeve të rezervuara që do të thotë se do të garantojë nga njëra anë moskapjen politike por nga ana tjetër po kështu do të nxjerrë para shqiptarëve përgjegjshmërinë politike të atyre që marrin vendimet.
E kundërta është një kapje politike e sistemit dhe akoma më keq një kapje politike ku nuk duken duart e kapësit.
Kam keqardhje të madhe të konstatoj pas 3 orëve e më shumë debate e diskutime, se pala tjetër erdhi në këtë tryezë me konkluzione të përgatitura, e me sa më thonë me një fjalim të përgatitur, pra jo për të kërkuar zgjidhje, jo për ti dhënë vendit një Reformë në Drejtësi, por për të krijuar alibitë se pse nuk mund të ketë reformë konsensuale në Drejtësi dhe mundësisht për t’i vënë fajin kundërshtarit.
Kjo është një lojë e vjetër në politikën shqiptare. Hedhja e fajit është shpeshherë jo vetëm realitet por edhe pikënisja e politikave të shtrembërta e të gabuara në këtë vend tash e 25 vjet.
Dua t’u them shqiptarëve sot se unë erdha sot këtu si përfaqësues i një brezi të ri dhe se pavarësisht një mali me diferenca e ndryshime të pikëpamjeve tona, të kundërshtive dhe konfliktualitetit politik të përditshëm si rezultat i keqqeverisjes së vendit, nuk demonstruam asgjë tjetër përveçse vullnetit të mirë në këtë tavolinë. Jo për lojën por për rregullat e lojës.
Rregullat e lojës në Reformën për Drejtësi nuk janë dhe nuk mund të jetë kurrë ato që garantojnë kapjen politike. Rrugëdalja që kemi ofruar është sanksionuar nga Komisionin i Venecias. Maxhoranca nuk ka argumente për mospranimin e kësaj rrugëdalje ndaj ajo dhe vetëm ajo mbart përgjegjësinë e abortimit në çastin e fundit të një kompromisi që do t’u jepte shqiptarëve një drejtësi të pakorruptuar, që ndërshkon dhe nuk mbron krimin dhe korrupsionin qeveritar në nivele të larta.
Çdo akt unilateral i dërgimit në Parlament të një pakete të parakorduar me opozitën do të takohet atje me dështimin e sigurtë. Çdo dështim me votimin në Parlament të kësaj pakete do të thotë shtyrje e Reformës në Drejtësi.
Në këtë moment, si kryetar i opozitës jam i gatshëm të pranoj dhe të ndaj me qytetarët shqiptarë se ky ka qenë qëllimi i maxhorancës që prej fillimit. Ju kemi thënë shqiptarëve se kemi dyshime të mëdha që qeverisja aktuale e zhytur në krim dhe korrupsion është me të vërtetë e interesuar në krijimin e një drejtësie me gjyqtarë e prokurorë të pakorruptuar dhe të pakorruptueshëm, të cilët nuk mund të kontrollohen apo të vihen nën presion, e që do të ishin pengesa në këmbë të kësaj maxhorance për të investiguar, e për të vënë para drejtësisë akuzat e përditshme të qytetarëve dhe të opozitës për abuzimet miliona dollarëve dhe për lidhjet e tmerrshme me krimin dhe gjithë pasojat që këto kanë në jetët e përditshme të qytetarëve. Sot mund t’u them se kam prekur nga afër këtë pagadishmëri për t’i dhënë Shqipërisë një drejtësi që nuk mbron por lufton krimin dhe korrupsionin.
Nuk mund të them se jam i shkurajuar dhe as i zhgënjyer. Erdhëm këtu me vullnetin për të ofruar zgjidhje por tërësisht të përgatitur se përballë kishim përfaqësuesit dhe mishërimin e gjithçkaje përgjegjëse për Shqipërinë e sotme si rezultat i korrupsionit politik, inkriminimit të qeverisjes, veshjes së pushtetit me krim dhe krimit me pushtet e si të tillë gati për çdo alibi që të mos ketë një drejtësi të pakapur politikisht. “Ose drejtësi në kontrollin politik, ose përndryshe kështu siç jemi se i rregullojmë vetë punët tona përsa kohë që jemi”. Kështu e përkthej sot qendrimin e tyre.
Partia Demokratike mbetet e vendosu,r dhe faktori ndërkombëtar dhe qytetarët shqiptarë duhet ta dinë se nuk kërkojmë dhe as nuk mbështesim asgjë më shumë se sa atë që OPDAT-I, EURALIUS dhe Komisioni i Venecias kanë propozuar që prej muajit shkurt, por se nuk pranojmë e nuk do të pranojmë kurrë më pak se sa moskapja politike e sistemit të drejtësisë. Ky është qendrimi im. Ky është qendrimi ynë.
Ju faleminderit!
Njoftim për media i Partisë Demokratike, 6 qershor 2016