A ka shqiptar ta besojë se ti e don drejtësinë më të pavarur sesa trupa më e përzgjedhur në Europë, ajo e Komisionit të Venecias, nga e cila mer këshilla çdo kryeqytet i Europës për reforma kushtetuese?

Ky që pikon krim dhe korrupsion në çdo qelizë dhe pore, sot kërkon të bëjë reformë në drejtësi  me plan për kapjen e saj. 

Nga konferenca për shtyp e kryeministrit, me thënë të drejtën unë po prisja ndonjë lajm, lajm nuk ka. Është lajm i vjetër. Është politika e stërvjetër e provokimit, provokimit dhe deligjitimimit të opozitës, institucionit themelor të demokracisë që ka patur, ka dhe do të ketë gjithmonë për detyrë pavarësisht se kush është në opozitë kontrollin e qeverisjes, dhe në rastin konkret ruajtjen e sistemit të reformuar të drejtësisë nga duart e qeverisë. Nga duart që duken dhe ashtu siç ju thash të hënën e kaluar pas takimit me kryeministrin, nga duart që nuk duken dhe që janë specialiteti i Edi Ramës.

Pyetja është, a e ka ftuar Edi Rama, Armando Prengën të vijë të votojë për kapjen e drejtësisë? A do të vijë me pistoletë, apo pa pistoletë në sallën e Kuvendit? Me gëzhojë në xhep, apo jo? A e ka ftuar Arben Ndokën, që të vijë dhe të kapë drejtësinë, apo nuk e ka më deputet, se ia hoqi Departamenti i Shtetit duke e përmendur me emër si turp që Edi Rama ka bërë deputet një person të dënuar për prostitucion dhe rrëmbim personi. A e ka ftuar Mark Frrokun të votojë planin e tij për kapjen e drejtësisë? Apo i është nisur për Belgjikë sepse ka probleme me drejtësinë, për vrasje? Po Kokëdhimën, a e ka ftuar të votojë në këmb të tij projektin për kapjen e drejtësisë, apo e kapi drejtësia në flagrancë duke shkelur Kushtetutën? Po Artur Bushi? Ervin Rroshi? Dhjetëra person të tjerë… a i ka ftuar? Apo i çoi nga deputetë në kryetarë bashkie?

Ky pra, që pikon krim dhe korrupsion në çdo qelizë dhe pore sot kërkon të bëjë reformë në drejtësi me plan për kapjen e saj. Për çfarë e do drejtësinë me kaq ngulm? Pse nuk i mjafton pushteti që ka për disa muaj? Është shumë e thjeshtë. Sepse zullumi që ka bërë për këto 3 vite është shumë i madh. Dhe ai e di vetë. Me një drejtësi të pakapur nga ai, nuk do të flinte asnjë natë i qetë Edi Rama, as në sarajet e tij në Surrel. Asnjë natë nuk do të flinte i qetë, kampioni i korrupsionit të tij, Ilir Beqja, nëse drejtësia do të ishte e pakapur, asnjë orë gjumë nuk do të bënte dot Saimir Tahiri i ngjyer në çdo gjiriz kriminal në vend nëse drejtësia do të ishte e pakapur. Asnjë orë gjumë nuk do të bënte as Beni i çarterave, madje do të mendonte të kapte avionin më të parë nëse drejtësia do të ishte e pakapur, pagjumësi e thellë do të ishte edhe për Damianin e vjedhjes së shekullit me aferën e CEZ-it dhe shumë ministra, zyrtarë, drejtorë dhe oligarkë të qeverisjes më të inkriminuar në këto 25 vite.

Do humbisnin gjumin njëherë e mirë sepse hija e zullumeve dhe krimeve që i kanë bërë të rrotullohen në kokën e tyre, do t’i linte pa gjumë. Ndaj e duan me çdo kusht drejtësinë e kapur.  Nuk do t’jua japim, kurrsesi. Edi Rama nuk do ta ketë kurrë votën e opozitës për një drejtësi të kapur e të kontrolluar me duar që i duken apo me duar që nuk i duken. Por një drejtësi të pakapur, po e duam dhe e kemi dashur. E deshëm dje, e duam sot e do  ta duam përgjithmonë.

Vendi ynë nuk ka nevojë për provokime të ulëta, që tregojnë vetëm destabilitet mendor dhe politik të Kryeministrit dhe qeverisë së tij. Vendi ynë nuk ka nevojë për vija të kuqe, as për politikanë që thithin të bardha.

Vendi ynë ka nevojë për një dritare shprese. Ka nevojë për një dritare  shprese për ekonominë që po lëngon, për pasigurinë që është ulur këmbëkryq, për varfërinë që ka kapur mijëra familje për fyti, për një klimë të shëndoshë biznesi, që të hapen e jo të mbyllen bizneset, bashkë me vendet e punës.

Ka nevojë për perspektivën europiane dhe prandaj Partia Demokratike u investua prej fillimit për një drejtësi të pakapur politikisht. Luftuam dhe fituam betejat tona. Për Byronë Kombëtare të Hetimit, ju kujtohet të gjithëve, ju kam thënë shqiptarëve prej fillimit se nuk do të pranoja kurrë një Byro të Hetimit nën Edi Ramën dhe Saimir Tahirin dhe sot nuk e kemi të tillë falë punës tonë, falë këmbënguljes tonë, falë investimit tonë, falë fitores tonë dhe tërheqjes nga ai projekt ogurzi, me sanksionimin e qëndrimit tonë të drejtë nga Komisioni i Venecias. Dhe kështu fituam jo një  apo dy, por plot 38 beteja me oligarkinë dhe regjimin e korruptuar dhe kriminal të Edi Ramës që donte ta fuste drejtësinë në xhep.

E vërtetë është, kishim 10 apo 12 çështje të tjera, jo të kapjes politike por të arkitekturës dhe eficencës së sistemit. Nuk jemi të lumtur që drafti nuk i reflekton këto, por detyrën tonë, detyrën time si kryetar i opozitës për moskapjen politike e kam kryer, edhe pse detyrën time si jurist nuk e ndiej të plotësuar me cilësinë shpesh çaluese të draftit. Por hoqëm dorë, hoqëm dorë nga të gjitha pikat e tjera që nuk kanë të bëjnë me moskapjen politike pikërisht që Shqipërisë t’i ofrojmë një dritare shprese, e mundësisht rekomandimin pozitiv për negociatat, perspektivën europiane, që është identiteti im politik, që prej ditës së parë në shërbim publik.

Por zgjidhja vonon sepse Edi Rama nuk heq dorë nga projekti i tij i kapjes politike. Do të kontrollojë Vettingun me dorën e tij apo me duart që nuk duken. Dhe sot në gjithë këtë logore përsëri refuzoi t’i përgjigjej pyetjes time, pyetjes së faktorit ndërkombëtar. Pse nuk pranon rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias?

Zgjidhja është aty e plotë dhe e qartë. A mos mendon vallë se Komisioni i Venecias bën duanë e Partisë Demokratike? A ka shqiptar ta besojë se ti e don drejtësinë më të pavarur sesa trupa më e përzgjedhur në Europë, nga e cila merr këshillë çdo kryeqytet i Europës për reforma kushtetuese? Nëse jo, pse nuk e pranon? Vetëm dhe vetëm sepse shkatërron përfundimisht projektin tënd të kapjes politike. Nuk ka nevojë ta lexosh në anglisht, lexojua shqip shqiptarëve.

“Nëse palët në procesin politik nuk pranojnë shumicën e cilësuar të kërkuar për anëtarët jo gjyqtarët të katër institucioneve të reja, ata mund të zgjedhin një sistem propocional që garanton përfaqësimin e opozitës në organet kolektive ose çdo model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte ndikimin e opozitës në procesin e përzgjedhjes” .

Jo sepse duan Lulzim Bashën por sepse duan opozitën, opozitën sot dhe nesër, opozitën drejt të cilës po e çon Partinë Socialiste. Sepse është një instrument i domosdoshëm i kontrollit në demokraci.

Vendi ynë nuk ka nevojë për retorikë provokuese, se përndryshe do të kisha kthyer përgjigje për abuzimin e tmerrshëm që bëre me disa nga ngjarjet më të rënda që rëndojnë në ndërgjegjen tënde. Por sot me përgjegjësitë që kam marrë si kryetar i opozitës dhe i alternativës për nesër, të ftoj të reflektosh e të qetësohesh.

Partia Demokratike dhe unë jemi gati në çdo moment t’i japim Shqipërisë një drejtësi të pakapur politikisht. Mjafton që ti të heqësh pengesën e vetme dhe të pranosh plotësisht dhe jo pjesërisht rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias.


Deklaratë për media e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 15 qershor 2016