Edi Rama ka sulmuar sot Prokurorinë me një letër tipike nga ato që bën për Elvis Rroshin, pikërisht pasi drejtësia kapi në shkelje të ligjit Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe disa vartës të tij, për përgjimet e paligjshme.

Edi Rama duhej sot ti kërkonte ndjesë popullit të tij, qytetarëve, sepse u vërtetua që pajisja e përgjimit është futur në mënyrë të paligjshme dhe është përdorur në mënyrë të paligjshme. E në vend të kësaj, ai i kërkon një falje të pakërkuar, të panevojshme qeverisë italiane, duke e kërkuar me zor ta beje edhe atë palë në këtë krim shtetëror. Ne e dimë mirë se drejtësia atje, opinioni publik, mediat, shoqëria civile do të reagonin me forcë nëse një pajisje e paligjshme do kishte hyrë në territorin e tyre, pa u deklaruar, dhe do të përdorej pa autorizimin e Prokurorit.

Edi Rama duhej sot të dorëzonte Saimir Tahirin, e të hiqte kështu pengesën që ka drejtësia për të bërë hetim të plotë e të gjithanshëm për këtë skandal mbi skandalet.

Por ai bën krejt të kundërtën. Sulmon institucionin e prokurorisë, sulmon drejtësinë, vetëm e vetëm për të mbrojtur paligjshmërinë dhe krimin shtetëror.

Edi Rama u vetëdenoncua se është ai në krye të përgjimeve të paligjshme.

Dhe prandaj kërkon ta mbrojë krimin deri në fund.


Deklarata për mediat e Partisë Demokratike, 7 Qershor 2016