Qindra demokratë dhe qytetarë të Divjakës protestuan sot para zyrave të Bashkisë duke kërkuar hetim për akuzat e ngritura ndaj kryebashkiakut Fredi Kokoneshi, për trafik prostitucioni. Eshtë pikërisht, sekretari personal i Kokoneshit, kreut të PS-së së kësaj zone, që ka akuzuar publikisht se kryetari i Bashkisë, ka pasur procedim në Itali për trafik prostitucioni.

Vetë kryetari i Ramës në Divjakë, nuk e ka deklaruar këtë fakt në formularin e dekriminalizimit.

Sekretari i Aksionit Qytetar, Ervin Salianji dhe kryetari i PD-së së Lushnjes, Myslym Murrizi, kërkuan që Kokoneshi të mbajë përgjegjësi për akuzat, dhe për fshehjen e të dhënave. Dhe i kërkuan Prokurorisë të vihet në lëvizje.

“Sot jemi këtu pas denoncimit që ka bërë ish sekretari i PS-së së Divjakës, Bert Monja i cili akuzon haptazi kryebashkiakun Kokoneshi si tutor prostitutash dhe është e habitshme që Kokoneshi nuk ka ndërmarrë asnjë hap për ta paditur për shpifje. Ne vijmë sot këtu sepse ka filluar fenomeni domino i rrëzimit një nga një të të inkriminuarve pas hyrjes në fuqi të ligjit për dekriminalizimin, ashtu si në rastin e kryetarit të bashkisë së Kavajës. Shpejt qytetarët do të mësojnë të vërtetat rreth formularit të deklarimit të bashkiakut Kokoneshi. Ne do ti drejtohemi Prokurorit të Përgjithshëm për të vërtetuar akuzat nga shoku i tij i ngushtë dhe ish sekretari i Partisë Socialiste të zonës së Divjakës. Asgjë më tepër nuk ngrejmë ne si PD, me çka thotë ai në një konferencë shtypi, që e kanë dhënë mediat. Nëse Kokoneshi ndihet i qetë nuk ka pse sjell këtu tellallë por ti drejtohet gjykatës për shpifje”, tha Murrizi.

“Siç e shikoni ne jemi në rrugëtimin tonë bashkë me qytetarët për ti treguar Edi Ramës dhe qeverisë se ku i ka futur kriminelët që kemi prej 2 vitesh e gjysëm e që i kemi denoncuar si Parti Demokratike. Sot, ish drejtuesi i Partisë Socialiste të zonës dhe miku i ngushtë i kryebashkiakut të Divjakës, Fredi Kokoneshi e ka akuzuar si një person që në vitet 95-96 ka trafikuar dhe ka bërë tutorin për vajza në rrugët e Italisë. Në vetëdeklarimin e tij nuk e ka deklaruar dhe ne sot i bëjmë thirrje para bashkisë së Divjakës, prokurorisë që të nisë hetimet dhe ti ndërpritet menjëherë mandati kryebashkiakut të Divjakës për deklarimin të rremë sipas ligjit të dekirminalizimit. Siç e shikoni në çdo cep institucione publike nuk janë në shërbim të publikut por janë në shërbim të krimit dhe personave të inkriminuar. Edhe sot këtu shohim disa punonjës së bashkisë që provokojnë dhe nuk lejojnë qytetarët në të drejtën e tyre për të dhënë deklarata e për të kërkuar llogari për një akuzë publike të bërë nga vetë nga brenda radhëve të PS. Kryebashkiaku është i detyruar ta sqarojë nëse është hetuar nga autoritetet policore italiane apo jo”, tha Salianji.

Sekretari për Aksionin Qytetar tha se inkriminimi i institucioneve dhe bashkive është modeli i Ramës.

“Institucionet janë vetëm në shërbim të një grupi të ngushtë njerëzish të cilët e përdorin për tu pasuruar sot, për të rritur taksat për qytetarët, për të sjellë krimin në administratë dhe jo për të çuar taksat dhe administrimin e pushtetit për qytetarët ashtu siç i takon. Siç e shikoni këtu janë mbi 200 qytetarë që po provokohen nga disa prej punonjësve të bashkisë së Divjakës që kërkojnë llogari pse protestojmë. Ky është modeli që ka sjellë Edi Rama në qeverisje, ky është modeli që do të rrëzohet sa më parë me votë nga shqiptarët. Sot jemi në rastin e disatë të kryebashkiakëve të akuzuar për krime të rënda siç janë prostitucioni, vrasjet apo trafiku i drogës. Presim përgjigjen e Ramës dhe kryebashkiakut, presim hetimin e plotë të prokurorisë”, tha Salianji.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 3 Qershor 2016