Ndërkohë që Edi Rama ka rritur presionin ndaj drejtësisë, përmes kërcënimeve kriminale, duke tentuar mbylljen e çështjes së përgjimeve të paligjshme, fakte të reja kanë dalë në dritë nga ky skandal.

Pajisja e përgjimit të paligjshëm është përdorur në zonat pranë Prokurorisë së Përgjithshme, në Rrugën e Elbasanit, pranë Televizionit Publik dhe pranë Bashkisë së Tiranës.

Të paktën këto katër lëvizje janë dokumentuar, siç bën të ditur media që i referohet një raporti sekret të SHISH, raport që i është dorëzuar Presidentit, Kryeministrit dhe Prokurorit të Përgjithshëm.

Krimi shtetëror i përgjimit të paligjshëm ka ndodhur, cënimi i sigurisë kombëtare ka ndodhur, shkelja brutale e Kushtetutës e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut ka ndodhur.

Eshtë kjo arsyeja pse Edi Rama e pengon hetimin, pse e riktheu Çakon në detyrë duke shantazhuar në mënyrë mafioze gjykatën.

Eshtë kjo arsyeja pse Edi Rama bllokon drejtësinë, pasi krimi ka ndodhur dhe ai është drejtpërdrejt i përfshirë në këtë aferë.

Zbardhja e ngjarjes, zbardhja e plotë e përgjegjësive do të ishte goditja fatale ndaj Edi Ramës, ndaj ai po përdor të gjitha format e presionit e kërcënimit kundër gjykatës dhe prokurorisë.

Por ky krim i rëndë shtetëror peshon më shumë se e ardhmja e fati personal i një njeriu.

Ndaj duhet hetuar e zbardhur deri në fund.

Partia Demokratike i bën dhe një herë thirrje Prokurorisë së Republikës, të mos tërhiqet nga presionet e kërcënimet banditeske, po ti shkojë deri në fund kësaj çështje, që krime të tilla të mos ndodhin më në vendin tonë.

Nga kjo varet, a do të kemi shtet ligjor, apo shtet mafioz brenda shtetit.

Do të kemi ligj, apo rregullat e mafias në fuqi.

Do të kemi demokraci e garanci, apo sundim bande.


Deklaratë e Sekretarit të Përgjithshëm, Arben Ristani, 17 qershor 2016