Të nderuar qytetarë! Të nderuar kolegë!

Shqipëria prej muajsh edhe vitesh (tre jo pak), që prej zgjedhjeve të vitit 2013 po përjeton ditë të zeza. Aspak nuk do ta kishin besuar shqiptarët para kësaj kohe se ky realitet që po përjetojnë sot do të ishte nje realitet i tyre.

Kudo varfëri, papunësi, terror shtetëror, dhunë, kanabis, padrejtësi, korrupsion, vjedhje e pamëshirshme e parave tuaja me shifra marramendese që as mund të mbulohen as mund të justifikohen. Ku jane paratë e shqiptarëve? Ku shkojnë ato? Vetëm për këtë vit u keni zhvatur shqiptarëve 919 milionë euro që nuk gjenden se ku janë. 919 milionë euro të cilat mund të kishin mjaftuar për të mos u prerë dritat të pamundurve, rritjen e ndihmës ekonomike dhe pse jo edhe të disa pensioneve.

Ku janë paratë e shqiptarëve?

A shkojnë ato për rrugë? Rrugë skemi parë që të ndërtohen madje as ato që kanë qenë në ndërtim e sipër. Jo vetëm që s’kemi parë rrugë por tmerri i shqiptarëve kësaj kohe janë aksidentet automobilistike që ndodhin jo çdo ditë por çdo orë. Murëmbajtëse që happen për të favorizuar bizneset duke rrezikuar jetë, duke marrë jetë, dy të mitur humbën jetën aty. Shumë njerëz të tjerë kanë humbur jetën ose janë dëmtuar. Një pjesë e mirë e tyre as që raportohen. Mbarë opinioni u trondit nga ajo ngjaje dhe ajo që e shton tronditjen e thellë sidomos për familjen e atyre fëmijëve është se nuk ka asnjë të dënuar, asnjë person në ndjekje penale, përgjegjës për fatkeqësinë, pavarësisht shkeljeve të rënda dhe favorizimeve të dokumentuara edhe në media, nga vetë mediat tuaja. Vazhdojnë shqiptarët të vuajnë mungesën e sinjalistikës në rrugë apo të paguajnë gjoba qesharake makinash. Policë që i sheh të mbajnë bllokun e gjobave sikur mbajnë teserën e partisë. Respekt për policët e ndershëm.

Ku janë paratë e shqiptarëve?

A shkojnë ato për kopshte, shkolla? Kopshte që na torturojnë fëmijët. Kopshte pa leje në mes të Tiranës që dhunojnë pa mëshirë të mitur ndërsa varfësisë i jeni sulur me këmbë e me duar për t’ua marrë shpirtin të mjerëve. Nënë me pesënjakë që arrestohet për dritat, i priten dritat, invalidë e të moshuar në shtëpi pa drita duke vështirësar lëvizjen, të qënin. Si të lëvizësh në errësirë? Një nënë më thanë qëndronte jashtë shtëpisë nga mungesa e dritave, gjithë ditën në rrugë deri sa vente ora për të fjetur. Fëmijët e djalit të saj invalid dhe të ve, janë çuar në jetimore sepse në këto kushte, pa drita, pa pagesë invaliditeti ajo s’mund të kujdeset për to. I  kam takuar disa herë ata fëmijë më parë, janë dy vajza, dy vajza plot dritë për jetën, plot gëzim, pavarësisht humbjes së nënës, pa kursim i kanë përqafimet, janë  të dashura. Por sot, janë në jetimore prej jush. Sot, me lajmin që kanë përfunduar në jetimore, nuk e di nëse do të ketë mbetur më ajo dritë në sytë e tyre.

Gjithë Shqipëria, populli mbarë u trondit nga ashpërsia dhe brutaliteti me të cilin goditej një fëmijë. Tek ky kopshti juaj. Tek ky pa leje. Tek ky për të cilin ministrja jonë e “urtë” e arsimit deklaroi se meqënëse kopshti ishte pa leje nuk ishte përgjegjësi e saj dhe as e shtetit duke tronditur sërish me deklaratat e saj. Çfarë ti thuash kësaj budallallëk me dashje apo pa dashje. Keni zgjedhur një zëvendësministre që bën libra nga mëngjesi në darkë për dhunën, nuk pushon duke dalë nëpër media “për dhunën”. Ja pra dhuna mu në mes të Tiranës. Me dijeninë tuaj. Nga abuzimet tuaja. Nga mungesa e përgjegjësisë suaj. Nga dashakeqësia juaj për të bërë favore e punësime të pamerituara.

E dini se çka ndodhur sa herë që ka pasur raste të identifikimit të dhunës tek fëmijët. Terror. Terror ndaj punonjësve të ndershëm dhe asnjë masë për fëmijët. Në vend që të merren me mënyrat se si i bëjnë punësimet nëpër qëndrat që kujdesen për fëmijë, nëpër kopshte, nëpër shkolla ku punësojnë jo vetëm të paaftë por njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me edukimin e fëmijës si dhe të kujdesit ndaj tij. Në vend që të tregojnë një vëmendje maksimale në këtë drejtim i shfrytëzojnë këto situata për të kërcënuar punonjësit e aftë dhe të ndershëm më kërcënime për largim nga puna. Kjo ka ndodhur. Në vend që të merren me abuzuesit, të paaftët, për ti ndëshkuar ata, merren me të aftët, ata që ndershëmrisht janë aty dhe që janë të vetmit që kontribuojnë realisht për fëmijët.

Për të mos ju larguar edhe njëherë dhunës e cila po na i vret fëmijët dhe për të cilat  kryeministri, ky që kemi ne, ky që kanë shqiptarët, deklaroi se janë raste të zakonshme. Në fakt janë të jashtëzakonshme, janë kritike janë tronditëse. Turp është për këdo që e konsideron çdo rast të dhunës një rast të zakonshëm. Dëshiroj të pyes të dy ministritë e linjës,  Z. Klosi dhe Znj. Nikolla. Megjithëse ju shpesh i kaloni këto diskutime në memecëri. Çfarë u bë me fëmijën e dhunuar?  Çfarë bëtë më fëmijën e dhunuar. Cila është ndihma e ofruar nga shteti pasi shteti është edhe përgjegjës për gjëndjen e këtij fëmije? A e dini që prindërit kanë apeluar për ndihmë pasi trajtimet janë të shtrenjta dhe unë mund t’ua konfirmoj se trajtimet me psikologë, psikoterapia që I nevojitet këtë fëmijë dhe logoterapia për të cilën ka nevojë fëmija kushton. Seancat kushtojnë nga 25 në 40 mijë lekë njëra dhe fëmija duhet të ndjekë 6 deri në 8 seanca në muaj? Cila është pra ndihma apo iniciativa konkrete që ka marrë shteti në këtë rast që edhe të na bindni në këtë mënyrë se nuk është përgjegjësia dhe as dashakeqësia juaj. Cila është ndihma që u keni dhënë të gjithë fëmijëve të tjerë që janë dhunuar. Cila është strategjia dhe ndihma konkrete e ministrisë për këta fëmijë. Ju kujtoj se dhuna nuk prodhon vetëm dhunë. Ajo është burimi I gjithë të këqijave.

Ku janë paratë e shqiptarëve. A i keni investuar ato në shkolla. Anjë shkollë skemi parë. Madje keni mbyllur disa prej tyre. Z. Klosi pasi morët në dorë menaxhimin e arsimit professional çka duhet të jetë një kompetencë vetëm dhe vetëm e ministrisë së arsimit. Ku janë paratë e arsimit professional? Ku shkojnë dhe përse sa herë që pyes për to rruga më çon tek po i njëjti emër apo të njëjtët pak emra.

  1. Klosi cila është nevoja që kanë sot shqiptarët për dekoderat. Për çfarë ju duhen ato kur shumë prej tyre nuk kanë as drita as televizorë në shtëpitë e tyre. Të paktën jo ata shtresës së cilës ia morët paratë. Që ta dinë dhe qartësohen edhe qytetarët. U janë paratë e ndihmës ekonomike dhe u janë dhënë për dekodera. Një ironi sa qesharake aq edhe e trishtë.

Ku janë paratë e shqitarëve?

A kanë shkuar ato për shëndetësinë?

Nuk ka mjekë në fshatra. Nuk ka infermierë. Nuk ka ndihmë të shpejtë. Nuk ka kushte në qëndrat shëndetësore. As më minimalet. Më pickoi gjarpri më tha dikush. E këto pickime janë të shpeshta në këtë periudhë dihet. Mu desh të udhëtoja  nga fshati im deri në Lushnje duke rrezikuar seriozisht jetën. Për një kontroll tensioni një e moshuar duhet të udhëtojë nga fshati i saj në tre të tjerë pasi nuk ka infermierë e jo më pastaj mjek në fshatin e saj. Për urgjenca më mirë të mos flitet. Jemi në dorë të zotit thonë banorët nëpër fshatra.

A kanë shkuar paratë e shiptarëve për pensionet, për invalidët, për njerëzit me aftësi ndryshe. Me kujën dhe propagandën e turpit u deklarua se janë rritur pensionet e 1992-1996. Këta njerëz janë nga 85 në 89 vjeç sot. Më thoni sa është shifra e kësaj grupmoshe që jeton ende. Sa pra konkretisht është rritja e sa I ka kushtuar buxhetit. Atij buxheti që e vidhni me thasë e u jepni me pikatore detyrimet qytetarëve apo rritjet sikurse keni deklaruar.

 A kanë shkuar ato ato për zhvillimin e turizmit? Turizmi ne dite te zese. Ndotje e tmerrshme ne zonat turistike. Energjia qe pritet ore e pas ore në këto zona. Energji e munguar sjell edhe mungesen e ujit ne keto zona. Pushues pa uje e pa drita. Si ne kohe lufte. Qytetaret qe mbahen me turizmin investojne gjithe vitin vetem per keto tre muaj e ne fund ju I lini pa gje , braktisur, keq e me keq.

Të nderuar kolegë. Kam shkuar shumë shpesh në Dumre në këto kohë. Është e bukur Dumreja me liqenet e saj të panumërta. Një perlë e vërtetë. Zemra e Shqipërisë. Edhe qytetarët janë të butë e zemërmirë, mikëpritës, punëtorë. Nga mëngjesi në darkë arave. Punojnë në bujqësi, në blegtori. Punojnë gjithë ditën punojnë. Në ara. Në vapë, në shi, në baltë. Sakrifikojnë familjarisht, edhe më shëndetin madje. Mbjellin kryesisht duhanin. Me paratë e tij mbahen. Më atë jetojnë. U është premtuar gjatë qeverisjes suaj se jo vetëm që nuk do të kenë pengesa për ti marrë paratë por se edhe çmimi do të rritet. Gënjeshtër.

Sot e më shumë se një vit ata ende nuk kanë marrë paratë e duhanit që ekultiojnë vetë dhe me paratë e të cilit jetojnë. Kudo ku kam shkuar në Dumre ky ishte shqetësimi i tyre themelor. Nuk kanë me se të ushqehen. Me to jetojnë. Asnjë presion dhe asnjë masë mbi firmën e grumbullimit të duhanit të tyre. Kulmi ishte kur rreth tre javë më parë kolegu im Z. Ulqini e disa titullarë të tjerë të pushtetit vendor nën presionin e qytetarëve të asaj zone dhe si për të ndjekur vijësisnë e propagandës zyrtare doli në median lokale ku i garantonte qytetarët se në vetëm pak ditë do ti marrin paratë e duhanit. I garantonte. I siguronte.

Sot e një vit nuk i kanë marrë paratë. Tallen me ne më thanë. Nuk i besojmë. Na gënjeu. Nga 5000 lekë të vjetra që ishte çmimi për një kg para vitit 2013 sot ka shkuar nga 3  mijë deri në 1500 lekë të vjetra megjithëse na u premtua rritje. Edhe këto nuk i marrim. Vijnë na gënjejnë e ikin. Sa për të marrë votat. Pastaj nuk duken më. Askush nuk ka ardhur nga shteti të na ngrejë apo japi një zgjidhje për gjithë zonën. z Ulqini qytetarët e Dumresë presin nga dita në ditë paratë nga djersa e tyre të duhanit. U keni premtuar se do ti marrin. Kur do ti marrin Z. Ulqini. Ju lutem jini konkret dhe i sinqertë se nuk ju besojnë më. As kur dolët në media nuk ju besuan se e dinin që ishte thjesht një propagantë e juaja për të mos i nxjerr në protesta. Një urdhër kryeministror. z Ulqini dua ta mbyll me një mesazh që më kanë dhënë qytetarët e Dumresë nga ky shqetësim. Duan paratë ose ndryshe nuk jeni më i mirëpritur në ato zona.


Fjala në Kuvend e deputetes Arbjola Halimi, 30 Qershor 2016