Sot jemi para jush për të bërë transparencë mbi një numër faktesh të cilat faktojnë katërcipërisht fleksibilitetin e plotë të Partisë Demokratike ndaj gjithë procesit të negociimit, diskutimeve dhe dialogut jo vetëm me palët politike por mbi të gjitha edhe me partnerët ndërkombëtarë në lidhje me paketën kushtetuese të ndryshimeve për sistemin e drejtësisë.
Gjatë këtij procesi kemi pasur zhvillime të cilat na kanë çuar deri në pikën fundore, ku në këto momente e vetmja pikë që na ndan është çështja themelore që garanton mos kapjen e sistemit të drejtësisë, që është modeli me të cilin do të emërohen zyratrët më të lartë të sistemit të drejtësisë.
Sot, ne do t’iu paraqesim një numër faktesh dhe provash që dëshmojnë qendrimin fleksibël të PD mbi bazën e propozimeve të bëra nga partnerët ndërkombëtarë OPDAT dhe EURALIUS dhe së fundmi edhe nga Komisioni i Venecias.
Këtu kemi një email të datës 10 shkurt që është emaili me të cilin na janë paraqitur ne opozitës, qoftë në nivelin politik, qoftë në nivel ekspertësh, një numër zgjidhjesh, propozimesh nga OPDAT dhe EURALIUS, në lidhje me modelin e emërimit të zyrtarëve të lartë në sistemin e drejtësisë. Janë një numër alternativash, që përfshijnë ndër to edhe mdoelin e vendeve të rezervuara. Me propozimin e partnerëve ndërkombëtarë na u dha mundësia që ne të përzgjidhnim nje prej këtyre modeleve, ai që garantonte më së miri, atë që kërkonte Komisioni i Venecias që në dhjetor, përfshirjen substanciale të opozitës në procesin e emërimit të këtyre zyrtarëve dhe përfaqësimin e opozitës në organet kolegjiale në sistemin e drejtësisë.
Midis modeleve të paraqitur nga ekspertët e OPDATIT dhe EURALIUS-it dhe të mbështetura edhe nga nivelet politike të partnerëve ndërkombëtarë ajo që zgjodhi PD ishte pikërisht modeli i vendeve të rezervuara, me modelin ku dy anëtarët jo gjyqtarë ose jo prokurorë zgjidhen nga propozime profesionistësh të përzgjedhura nga partitë e mazhorancës dhe dy kandidatura do të zgjidhen nga partitë e opozitës, dhe anëtari i pestë i cili zgjidhet nga shoqëria civile do të zgjidhet me shumicë prej 3/5 nga Parlamenti për të garantuar konsensusin maksimal.
Pra siç e shihni, ky është modeli, është ekzakt edhe në grafikë i paraqitur nga partnerët ndërkombëtarë OPDAT dhe EURALIUS për këtë zgjidhje. Ky është propozimi i bërë në datën 10 shkurt nga këta partnerë dhe në datën 27 shkurt nënkryetari i Komisionit për Reformën në Drejtësi, zoti Eduard Halimi, në një përgjigje zyrtare mbi këtë propozim i përgjigjet OPDAT-it dhe EURALIUS-it duke zgjedhur në mënyrë specifike modelin e vendeve të rezervuara atë që ju paraqitëm më përpara, duke iu thënë që ky ishte modeli më i përshtatshëm, modeli më i thjeshtë, ai që garantonte përfshirjen substanciale dhe përfaqësimin e opozitës në organet e sistemit të drejtësisë dhe ishte sistemi më i thjeshtë dhe më pak i komplikuar dhe më pak i korruptueshëm.
Më pas, këto kanë vijuar me raportin final të Komisionit të Venecias i cili në mënyrë shumë specifike përcakton e zezë me të bardhë në paragrafin 17, në footnote nr4, ku thuhet që; kandidatët që do të përzgjidhen nga lista e kandidatëve të mazhorancës dhe lista e kandidatëve të opozitës, nga kjo listë e kandidatëve të mazhorancës do të përzgjidhen 3 dhe nga lista e kandidatëve të opozitës do të përzgjidhen dy. E shkruar e zezë mbi të bardhë, propozim i Komisionit të Venecias si një nga modelet për zgjidhjen e kësaj çështjeje thelbësore që garanton mos kapjen e organeve kolegjiale të sistemit të drejtësisë nga mazhoranca qeverisëse. Në paragrafin 88, gjithashtu të këtij raporti, në mënyrë specifike konsakrohet nga Komisioni i Venecias nevoja që të garantohet përfaqësimi i opozitës në këto organe kolegjiale.
Në vijim të gjithë kësaj, në datën 21 Prill, pra pas daljes së raportit të Komisionit të Venecias, eskpertët ndërkombëtarë të OPDAT-it dhe EURALIUS-it bëjnë një komunikim të fundit me ne duke përcaktuar qartë se të vetmet propozime që ata kanë janë 2; njëri është i vendeve të rezervuara, i përzgjedhur nga Partia Demokratike si dhe një sistem propocional votimi kompleks me potencial të madh bllokimi dhe i korruptueshëm, i përzgjedhur nga maxhoranca dhe aleatët e saj.
Këto janë komunikimet elektronike të Partisë Demokratike me parnerët ndërkombëtarë për propozime që më pas janë të reflektuara në raportin e Komisionit të Venecias. Në bazë të ofertës së bërë, kemi zgjedhur në mënyrë transparente modelin e vendeve të rezervuara si modeli më i thjeshtë, më i qartë, më funksional që garanton më shumë se kushdo moskapjen e institucioneve të sistemit të drejtësisë. E kemi komunikuar këtë në mënyrë transparente e në mënyrë të vazhdueshme që nga shkurti i këtij viti dhe pikërisht mbi bazën e këtij qendrimi të bërë publik nga PD, ka vazhduar edhe negociimi. Siç e bëri të qartë edhe në përfundim të takimit të datës 6 qershor, kryetari i Partisë Demokratike, çështja e modelit për emërimin e funksionarëve të organeve kolegjale në sistemin e drejtësisë është çështja e e fundit dhe e vetme që ndan palët për të përmbyllur me sukses paketën e ndryshimeve Kushtetuese edhe për ta bërë gati atë për votim në Parlament. Edhe në takimin e datës 6 Qershor ne kemi bërë në mënyrë të detajuar, transparente, gjatë atij takimi, propozimet tona konkrete duke detajuar modelin e vendeve të rezervuara, model i cili nuk gjeti asnjë kundërshtim principial, por ashtu siç ju e dini, kryeministri doli më pas me një deklaratë të shkruar e të përgatitur më përpara, duke thënë që takimi dështoi. Edhe pse opozita fare qartë tregoi gadishmërinë për të vazhduar dhe për të gjetur zgjidhjen më të mirë që garantonte maksimalisht moskapjen nga maxhoranca kurdoqoftë të organeve kolegjale.
Këto fakte të bëra tashmë publike, të cilat do të jenë në dispozicion të medias, vërtetojnë edhe njëherë fleksibilitetin maksimal të Partisë Demokratike e cila në procesin e dialogut dhe të konsensusit ka bërë hapat e saj përpara për të gjetur pikat e takimit, të gjitha çështjet e tjera tashmë edhe me negociimin e partnerëve ndërkombëtarë të mund të konsiderohen të zgjidhura dhe e vetmja çështje është kjo. Eshtë shumë e thjeshtë, fare e qartë, që i vetmi që e pengon zgjidhjen përfundimtare është kryeministri i cili nëse vendos të zgjedhë, jo modelin e propozuar nga PD, por modelin e propozuar nga Komisioni i Venecias, OPDAT-it dhe EURALIUS, i vë vulën përfundimtare zgjidhjes dhe përgatitjes për aprovim të paketës kushtetuese për Reformën në Drejtësi. E gjitha mbetet në vullnetin e kryeministrit për të qënë vullnetmirë e për ta mbyllur këtë proces dhe jo për të ndjekur rrugën demagogjike për ta çuar reformën në drejtësi drejt dështimit nëpërmjet një zgjidhje që siç e propozon, ai garanton kapjen e plotë të organeve kolegjiale nga ai. Këto emaile dhe prova do tu vihen në dispozicion dhe do të jenë publike në websitin e PD për të qënë të aksesueshme dhe plotësisht transparente për të gjithë publikun.
Faleminderit!
Deklarata për mediat për mediat e nënkryetarit të Komisionit të Drejtësisë, Oerd Bylykbashi, 8 Qershor 2016