Departamenti i Mjedisit në PD monitoron në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit dhe sjell fakte tronditëse të shkeljes së ligjit dhe moratoriumit

Dje në Ditën Ndërkombëtarë të Mjedisit, departamenti i mjedisit në PD ka zgjedhur të shohë nga afër masakrën kriminale që bëhet me pyjet në zonën e Librazhdit, në shkelje të ligjit dhe moratoriumit. Gjendja është dramatike. Pyjet po shkatërrohen, mushkëtirë e Shqipërisë janë kthyer në kantier për fitimet marramendëse të bandave të lidhura me Taulant Ballën e me qeverinë qendrore.

“Eshtë për të ardhur keq kjo masakër që ka ndodhur në pyjet e Librazhdit këtë pranverë. Po të shikoni pemët janë me gjethet e tyre dhe gjurmët e prerjes janë të freskëta. Na rroftë monitorimi i prerjes së pyjeve në letër në të vërtetë po ndodh masakër. Janë me qindra e mijëra pemë të prera”, tha Jamarbër Malltezi.

“Këtu kemi të bëjmë me prerje me intensitet të lartë ndërhyrjeje ku shihet në të dy anët e rrugës. Këtu jemi me një grumbull pyjor, këtu është faza e parë e ndërhyrjes ku intensiteti i ndërhyrjes është nga 30 në 40 % të volumit të drunjve. Këto pemë janë prerë brenda 1 muaji pasi shihet druri i Ahut ende i ka sythet drejt lulëzimit. Tani pritet vetëm transporti nga subjekti që i ka prerë. Në shërbimin pyjor kombëtar nuk ka mbetur specialist të mirëfilltë për pyjet që të kontrollojë prerjet dhe ndërhyrjet. Janë hequr mbi 700 specialistë pyjesh nga qendra”, u shpreh Dr.Hasan Cani, ekspert pyjesh.

“Këtu kemi të bëjmë me një krim ekologjik dhe një shkelje të rëndë ligjore nga bandat e banditëve. Bandat e Edvinit dhe Taulantit nuk pyesin për ligj. Ligji nuk është i barabartë për të gjithë. Ligji vepron ndryshe me njërin që mbush dy thasë dru për të ngrohur shtëpinë dhe ndryshe me ata që i kanë prerë para 1 muaji, ku tallashi është i freskët dhe pemët janë ende me gjethe. Për fat të keq kemi të bëjmë me një masakër dhe është shumë herë më e rëndë kur kjo masakër është kryer në kushtet kur është në fuqi prej 5 muajsh moratoriumi për prerjen e pyjeve. Ky është krim pa ndëshkim”, tha Malltezi.

Zona e Lunikut është masakruar nga ky biznes kriminal që shton fitimet marramendëse të bandave të lidhura me qeverinë, dhe shkatërron mushkëritë e vendit.

“Këtu ndodhemi në malin e Lunikut, një perlë e natyrës shqiptare por që për fat të keq na dha një trishtim të madh, pasi ka mijëra pemë të prera. Eshtë një masakër që është bërë në këto pyje, ndërkohë që qeveritarët mburren me moratoriumin e prerjes së pyjeve. Po të shihni çdo prerje ishte e freskët, tallashi ishte i freskët, është bërë krejtësisht në kundërshtim me ligjin, por për fat të keq bandat e Edvinit dhe Taulantit, ligji nuk zbatohet”, u shpreh Malltezi.

Në Stravaj, në zonën e Sopotit, pamjet e prerjes së pyjeve janë dramatike.

“Në ditën botërore të mjedisit ne kemi ardhur të bëjmë monitorime mjedisore në pyjet e virgjëra të Librazhdit. Këtu jemi në Stravaj, për fat të keq ka prerje masive edhe të filizave të rinj. Prerje të druve të Ahut, qoftë edhe 10 vjeçare. Për fat të keq është një situatë shumë e trishtueshme. Po të vëmë re, banditët kanë vendosur barrierë që të pengojnë rrugën. Po të kemi parasysh që Partia Demokratike hoqi vizat për shqiptarët që të udhëtojnë lirshëm në të gjithë Europën, bandat e Edvinit dhe Taulantit Veizit apo Rrushit, bllokojnë shqiptarët të lëvizin të lirë në atdheun e tyre. Kjo është e patolerueshme, kjo është trishtuese”, deklaroi Malltezi.


Njoftim për media i Partisë Demokratik, 6 qershor 2016