E nderuar drejtuese e seancës,

Besoj se ajo që ka vlerë të diskutojmë sot është ky debat që hapi kryeministri në lidhje me reformën në drejtësi dhe me atë që po ndodh me reformën në drejtësi.  Do ta nis duke rikujtuar diçka që kryeministri e tha në fjalën e tij të parë inauguruese në 2013. E përmendi edhe sot përsëri. “Nuk keni parë gjë akoma”. Shumë u shqetësuan për këtë, sigurisht një deklaratë që nuk parashikonte asgjë të mirë, ogurzezë. Në tre vjet ia keni parë provat kësaj deklarate e kryeministrit dhe si një njeri që nuk tërhiqet asnjëherë edhe nga deklarata që thotë gabim, e përsëriti serish sot. E përsëriti për gjënë më të keqe, më të gabuar. E përsëriti për sistemin e drejtësisë dhe reformën në drejtësi. Dje dha një nga provat më lapidare që tregon se ç’është presioni politik dhe kontrolli politik mbi reformën në drejtësi. Megjithatë në fakt nuk janë zhvillime të djeshme, të pardjeshme, për të kuptuar kush ishte qëndrimi i kryeministri Rama për drejtësinë, si e dizajnon në kokën e tij këtë reformë në drejtësi. Ju keni dëgjuar edhe sot të flasë për shkatërrim të sistemit dhe pastaj e quan veten reformator. Po ta vrisni mendjen, të nderuar kolegë socialistë, me zor do të gjenit ndonjëherë reformator me kazëm në dorë si kryeministri. Reformatorët kanë vizion, janë të lexuar, kanë ide dhe ato i vënë në zbatim. Sigurisht, po të mos lexosh as draftin kushtetues, zor i madh për të kuptuar se ç’po bën. Por në fjalimin e vitit 2013, nuk ishte ndoshta kjo gjëja më ogurzezë. Të paktën për këtë që diskutojmë tani, reformën në drejtësi. Do t’ju citoj një nga frazat më negative të atij fjalimi; ai tha: Është bindja ime e hershme që në një shtet që qeveriset keq është e kotë ti drejtohesh gjyqtarit dhe prokurorit ndaj unë ju premtoj që do të jem  i drejtë. Kërkojeni këtë frazë dhe e gjeni në fjalimin e tij, në pjesën ku i referohet drejtësisë.

Po të ndaleni në një moment, edhe ju kolegë socialistë, të cilëve nuk jua ka zënë sytë rilindja, por që keni një rrënjë më të gjatë se nga momenti që filloi rilindja në politikë, e kuptoni se sa ogurzi është ky sinjal alarmi.

Është vërtetë ogurzi sepse boll ta zbërthesh dhe e kupton se kush është vizioni i këtij kryeministri për drejtësinë. Qoftë ajo që është sot, që është vërtetë për të vënë duart në kokë, por mbi të gjitha për reformën në drejtësi dhe drejtësinë që do të jetë nesër për të gjithë shqiptarët. Jo për ne këtu, por për shqiptarët. Në një vend që qeverisjet keq, sipas tij, nuk duhet ti drejtohemi gjyqtarëve dhe prokurorëve sepse është ai drejtësia, ai është i drejtë. Po të bëjmë një pyetje, në këto 3 vite kush ka qeverisur keq, dhe jemi në këtë situatë ku jemi sot. Jemi në një situatë ku njerëzit arrestohen për 50 cm mur të ndërtuar në oborrin e tyre, ndërkohë që kryeministri dhe Kokëdhima ndërtojnë pallate. Sa e sa njerëz burgosen, përplasen pas dyerve të institucioneve nuk gjejnë drejtësi në këtë shtet që qeveris ky kryeministër, që qeveris shumë keq, që po e pranon edhe vetë nga dita ditës. Për sa kohë nuk jeni me sy të zënë dhe të verbuar nga rilindja po keni pak kurajo të shihni të vërtetën në sy, edhe tek zgjedhësit tuaj, në një shtet që qeveriset kaq keq, kryeministri do që të jetë drejtësia. Ai nuk mund të jetë drejtësia, po ky është absurd. Në dukje është një absurd logjik, por në fakt është një cinizëm skandaloz. Ky kryeministër që po qeveris keq do të jetë ai që do ti japë drejtësi shqiptarëve. Ata që e njohin z.Rama e dinë se kur është bindje e tij e hershme ai është obsesiv, i shkon deri në fund. P.sh Tiranën, një pyll me pallate e bën, ka vendosur të shkatërrojë sistemin e drejtësisë, edhe këtë e bën, s’ka rëndësi se do të na duhen vite e vite për të rindërtuar një sistem drejtësie.  Reforma nuk do të thotë shkatërrim, besoj për këtë jemi dakord. Reforma do të thotë të ulemi dhe të rikonceptojmë diçka që nuk funksionon, të pastrojmë sistemin e drejtësisë nga të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar edhe nga të paaftët, por jo të shkatërrojmë sistemin e drejtësisë. Se kjo nuk është reformë, kjo është të marrësh kazmën e ti biesh themeleve të shtetit. Për një njeri që është i njohur nga të gjithë si antishtet, kjo nuk është çudi por problemi ynë këtu që do të kemi përgjegjësinë edhe morale për votën që do të japim për reformën në drejtësi është i papranueshëm ky leksik pavarësisht se ky vjen nga kryeministri i Republikës së Shqipërisë. E kishte bërë planin që në 2013. Nuk keni punë me drejtësinë, jam unë. Çdo e mirë dhe e keqe do t;ju vijë nga unë. Në çdo demokraci normale është shumë herë më mirë një demokraci që nuk funksionon si duhet se një drejtësi në dorën e një kryeministri që qeveris keq. Për këtë arsye është shpikur ndarja e pushteteve shumë kohë më parë. Henry Kissinger thotë: Ndarja e pushteteve është shpikur ndër të tjera për të frenuar autoritarizmin dhe totalitarizmin e ekzekutivit. Ekzekutivi sot është Edi Rama. Është shpikur për këtë arsye dhe kush do ta kuptojë të thellohet dhe lexojë, kushdo nga ju të nderuar kolegë, përpara se sa të miratoni reformën në drejtësi sepse është turp i madh që kryeministri dhe ju deklaroni që jeni gati ta votoni ndryshimin kushtetues jo ndryshimin e një neni, por mbi 60 nene të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë pa i lexuar një herë, sepse kjo s’ka ndodhur kurrë. Nuk ka rëndësi sa kohë keni dërdëllitur nëpër lloj-lloj foltoresh se po bëni reformë në drejtësi. Reforma në drejtësi ka vetëm një mënyrë si bëhet, bëhet vetëm me konsensus, behet me transparencë, bëhet me gjithpërfshirje dhe jo fallso por e vërtetë. Një reformë e drejtësisë e cila bëhet në këtë formë, nuk ka shans tjetër përveçse të na humbasë siç na ka humbur deri më sot 2 vjet kohë. Tani, të bëjmë një pyetje të thjeshtë. Çfarë po kërkon kryeministri? Po kërkon reformë në drejtësi, apo në fakt po kërkon ta dështojë?

Me këtë presionin që bën ky zotëri do ta cojë shumë shpejt drejt votimit, kur votat nuk i ka. Dy janë opsionet, ose në këtë sallë parlamenti do të gëlojë koprrupsioni politik nëpërmjet  blerjes së deputetëve dhe ky do të ishte një turp i madh dhe një rrënim jo për këtë parlament por për politikën shqiptare, ose ky zotëri që do të ishte më e mundshmja që mund të ndodhë, nuk i ka këto vota dhe duke mos i patur këto vota kjo i intereson atij dhe partnerëve të tij në qeveri. Sepse me 94 vota të pabëra reforma në drejtësi dështon dhe kushtetuta e përcakton të zezë mbi të bardhë, në nenin 177 “reforma në drejtësi për kënaqësi të kryeministrit do të shtyhet me një vit” dhe nuk është ky interesi jonë dhe besoj se nuk është interesi dhe disave prej jush kolegë socialiste që nuk e keni marrë mundimin të lexoni as kushtetutën as ndryshimet kushtetuese.

Merrni dhe lexoni c’themi ne. Ju kemi thene që po propozoni një system që Komisioni i Venecias jua quan shumë kompleks dhe të ngatërruar, një sistem i cili do të dështojë brenda dhjetë vitesh dhe kjo sallë e Parlamenti ndoshta pa ne këtu, do të detyrohet që të negociojë një reforme në drejtësi. E kujt i duhet kjo. Kush janë ata shqiptarë, që kane nevoje të bëhet reforme në drejtësi cdo dhjetë vite, për një sistem i cili nuk funksionon. Kush janë ata shqiptarë që u intereson sesa organe në krye të sistemit të drejtësisë ka Shqipëria? Sot kur shkon në gjykatë cdo shqiptar shpreson që gjyqtari ta caktojë datën shumë shpejt, ta shqyrtojë shumë shpejt, të japë drejtësi efikase pa korrupsion. Nuk pretendon shqiptari sesa veta do të emërohen në krye të drejtësisë.

Por po ju them dicka. Kush nga ju i mban mend akronimet e të gjitha institucioneve të larta të drejtësisë? Janë 14, KNGJ , KLP, KED, etj.

Po edhe partitë nuk kanë kaq shumë sigla sa ka ky system. Po ti numëroj unë të gjitha pa i lexuar unë vetë nuk arrij deri në fund të tyre, janë 14 institucione. E dini sesa funskionarë të lartë  do të paguajnë shqiptarët se për ti zgjedhur do ti zgjidhni ju mazhoranca, sa zyrtarë të lartë të qeverisë së gjyqesorit do të zgjedhim? 80 zyrtarë, pra më shumë se gjysma e këtij parlamenti dhe do të paguhen më shumë sesa ne, deputetët dhe gjysma e këtyre zyrtarëve do të zgjidhen nga ky parlament. A i thërrisni mendjes? Një reforme në drejtësi që bën që gjysma e qeverisë së gjyqesorit do të zgjidhet nga politika. Po ku është shmangja e politikës në këtë histori? Ky është politizim i pastër nga fillimi në fund dhe ne ju themi thjeshtojeni sepse thjeshtimi i bën mirë sistemit, heq mundësinë që politika të futet në shumë pika. Kryeministri përpiqet ti mbushë mendjen shqiptarëve se PD ka kërkuar dy të tretat. Po ju them që kjo është një gënjeshtër e madhe dhe në fakt këtij lakrori po i hapen petët të gjitha. Që shqiptarët ta kuptojnë thejsht, dy të tretat nuk i bëjnë punë askujt. Dy të tretat është formulë për bllokimin e këtij parlamenti në zgjedhjen e 40 personave nga sistemi i drejtësisë. Imagjinoni 35 deri në 40 persona që do të zgje dhe kjo salle dhe njëri pas tjetrit me dy të tretat këtu? Kjo sallë bllokohet. Por është pikërisht kjo qe kërkon kryeministri. Sepse e ka gjetur zgjidhjen te Këshilli i emërimeve në drejtësi të cilin ose me korrupsion ose me presion si ai djeshmi i bërë ndaj gjyqesorit do ta kapë të paktën në gjysmën e tij dhe nëpërmjet atij kur kjo sallë bllokohet, nëpërmjet atij do të emërojë pastaj të gjithë gjyqtarët. Sipas kryeministrit kush renditet i pari atje me telefonatën e tij, ai do të emërohet më pas.

Ja ku është truku që kërkon duke na e shitur se po e kërkojmë me 2/3. Jo. Më mirë ta marrë me 3/5 dhe pastaj ti përgjigjet shqiptarëve se pse e kapi sistemin e drejtësisë. Ajo që ne propozojmë është e propozuar e zezë mbi të bardhë nga Komisioni i Venecias, paragrafi 17 i raportit final, futnot i 4-t, thotë: 2 zgjidhen nga lista e profesionistëve të propozuar nga opozita dhe 3 zgjidhen nga lista e profesionistëve të propozuar nga mazhoranca. Kaq e thjeshtë. Lista e mazhorancës, lista e opozitës e thotë Komisioni i Venecias. Po ju them diçka të nderuar shqiptarë. Ajo që propozojmë ne është një formulë e thjeshtë e Komisionit të Venecias, jo e opozitës. Na e ka propozuar OPDAT dhe EURALIUS duke filluar nga janari dhe shkurti dhe ne e kemi pranuar. Për shumë pak, ne mund të arrijmë një marrëveshje historike dhe ta bëjmë gati këtë reformë për votim në parlament. Por kryeministri këtë nuk e do. Ndoshta i intereson dështimi me 94 vota që të shtyhet një vit reforma në drejtësi. Sepse Edi Rama ne te vertetë nuk do reformën në drejtësi, por do thjesht të kapë drejtësinë.

Komisioni i Venecias thotë t’i garantohet përfaqësimi opozitës në Këshillin e Lartë Gjyqesor, në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, në komisionet e posaçme për verifikimin e gjyqtarëve dhe gjithashtu në Kolegjin e Posatshëm. E thotë Komisioni i Venecias, doni, s’doni ju, kështu do të jetë. Kështu që tregohuni mendjehapur, beni kompromisin për një gjë që e kanë thënë ndërkombëtarët, jo ne, dhe marrëveshja mbyllet nesër dhe paketa bëhet gati për të ardhur në këtë sallë të parlamentit. Populizmat nuk ju bëjnë punë, me ato nuk do të shkoni larg, është si puna e gënjeshtrës që i ka këmbët e shkurtra.

Është mirë të jesh këtu dhe jo të bredhësh nëpër dynja. Që të lexosh dy rreshta nga ndryshimet kushtetuese, që edhe shqiptarëve të dish çfarë t’u flasësh. Koleg, ju rekomandoj të mos ndiqni këshillën e kryeministrit. Lexoni më parë atë që propozohet, atë sistem katastrofik që propozon mazhoranca juaj, ç’thotë Komisioni i Venecias dhe sa thjeshtë e propozojmë ne, që të arrijmë në një kompromis, por lexoni më parë.


Fjala e deputetit Oerd Bylykbashi në parlament, 9 qershor 2016