Të nderuar kolegë!
Dje Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm bënë histori.
Përmes mediave dhe FB dje, fatkeqësisht edhe sot, Edi Rama në seancën plenare, ndërsa Saimir Tahiri në një konferencë për shtyp, të dy këta drejtues të pushtetit i shtuan dhe një kapitull, historisë voluminoze të qeverisjes dhe mazhorancës së krimit, duke i bërë gjyq publik, me akuza dhe vetëshpallje dënimi, gjyqtarëve.
E padëgjuar, e pandodhur kurrë më parë , në asnjë vend!
Më e pakta, cënim i pavarësisë së pushteteve, linçim të tyre por më së shumti, ky qëndrim antikushtetues, antidemokratik, dëshmoi mentalitetin e etërve të Bllokut që merrnin në qafë gjyqtarë e avokatë të shkolluar jashtë, që zhduknin dhe shkatërronin jetë njerëzish e brezash, për pushtet të paaftësh, faraonësh.
Qëndrimet e djeshme dhe të sotme dëshmojnë arrogancën e pafre të një kryeqeveritari dhe shokëve të tij të armëve, që mendon se ka gjithçka në dorë, frymën e njerëzve, përgjimin e çdo dite dhe nate të tyre, mendon se është Zoti dhe ka pushtet e fuqi të pakufishme.
Në cilin shtet demokratik, anëtar të NATO-s , shtet të së drejtës, kryeministri dhe ministrat i bëjnë gjyqe sistemit të drejtësisë dhe nga ana tjetër trumbetojnë me mashtrime dhe prepotencë mediatike reformën e saj?
Në cilin vend anëtar të NATO-s, ministrat dhe kryeministri shantazhojnë opozitën dhe akuzojnë atë për kapjen e sistemit kur është vetë Rama që, nga mëngjesi në darkë, kërcënon gjyqtarët, linçon Presidentin dhe bëjnë fletërrufe në internet?
A mund të quhet demokratik dhe i lirë një vend edhe pse anëtar i NATO-s, ku kryeministri dhe ministri i brendshëm përgjojnë ministra, deputetë, njerëz të institucioneve, ambasadorë, gazetarë e më pas trumbetojnë për reformë në drejtësi?
Kë do reformosh zoti kryeministër, dhe me çfarë instrumentesh? me urdhra? me kërcënime ? apo me vendime të “gjyqësorit” ekzekutiv?
Edhe më absurde dhe më cinike vjen qëndrimi i një kryeministri dhe i anëtarëve të qeverisë e mazhorancës ndaj Reformës në Drejtësi, kur janë po këta njerëz në konflikt të hapur me drejtësinë, janë po këta njerëz në shkelje të rëndë me Kushtetutën, me ligjin, me respektimin e standardeve të shtetit të së drejtës, kur akuzat e shpeshta që rëndojnë mbi ta janë për vrasje, plagosje, trafik të qenieve njerëzore, grabitje të parave të shqiptarëve dhe fondeve publike.
Cdo ditë që kalon në këtë Parlament është një bilanc i shtuar i kësaj ngrehine të pushtetit të krimit, që e po e çon Shqipërinë në kufi të greminës, me krizën më të thellë historike në 25 vite liri dhe demokraci.
Si kurrë më parë, këtij Parlamenti i ka rënë hija e zezë jo vetëm e korrupsionit dhe e lidhjeve kriminale, por mbi të gjitha besimi tek shqiptarët, të cilët ju nuk keni më guximin t’u përsërisni një milion shuplakat e zgjedhjeve të 2013-ës .
E bindur, sigurisht jo vetëm unë se, nga një milion shuplakat nuk kanë mbetur as një mijë të tilla, sot me sigurinë më të natyrshme mund të thuhet se këta deputetë përfaqësojnë vetëm paratë dhe burimet me të cilat siguruan ardhjen e tyre në këto karrige të shenjta.
Kur vendi ka rënë në kllapinë e papunësisë në nivelin e 30 %, kur afro 400 mijë shqiptarët jetojnë për dhe me bukën e gojës, kur popullsia këta tri vite të qeverisë suaj është rrudhur me shpejtësi për shkak të azilit të lartë për mbijetesë, kur tenderët qindra milion euro i kanë çuar në rrënim të plotë shërbimet publike si shëndetësinë, energjetikën, arsimin, infrastrukturën,etj sot mbetet vetëm për të thënë
Rilindja është në agoni të pakthyeshme.
E dhimbshme është bërë për çdo deputet takimi me banorët e zonës së tij.
E dhimbshme te takosh ne Tropojë një te paralizuar te gozhduar mbas karrocës i cili kërkon nga sistemi juaj i shëndetesisë falas, ti krijohet mundësia e te berit te një analize te mpirjes se gjakut në Tropojë dhe te mos detyrohet te shkoje ne gjakove per ta bere ate me 5 euro si dhe te paguaje afro 120 mije leke për taksinë deri atje.
E turpshme për një ministër krenarist të shëndetësisë, që në pamundësi për të menaxhuar sistemin (në rendje për të mbyllur aferat e tij) të sëmurët me dializë duhet të shkojnë në Kukës për të tërhequr ketosterilin jetësor për ta, apo një invalid që duhet të marrë ilaçet në fillim të muajit, por zyra përgjegjëse për të shpërndarë pensionet e invaliditetit i sorollat deri në data 15 apo 18 te muajit.
Shikoni foton e nje kabine elektrike në fshatin Shumicë të Tropojë…12 milion kanë paguar afro 5 shtëpi që kanë mbetur atje por përveç ndriçimit si kandil në shtëpitë e tyre, asnjë investim ne rrjet.
Kjo kabine por jo vetëm, po shndërrohen ne një rrezik jete për fëmijët e tyre qe luajnë rreth e rrotull.
Por paratë e tyre i hëngri korrupsioni dhe investimet për luks qeveritar.
Lista e zullumeve është e gjate por Shqipërinë e shqiptarët do ti shpëtojnë vetëm zgjedhjet e lira dhe demokratike për te shpëtuar nga shkaktaret e tyre.
Nuk ka reformë dhe pseurdoreformë, pas të cilës ju kapeni si te fija e barit, që mund ta gjeni si pretekst për të zhvendosur vëmendjen dhe krizën ku e keni degraduar vendin.
Parlamenti në ketë prag të mbylljes së sesionit është më në pikëpyetjen më të madhe historike, sepse ai ka humbur rolin dhe funskionimin e tij në cdo dimension. A janë përfaqësues të shqiptarëve , të sovranit, deputetët me precedent të rëndë penalë, deputetët që kanë grabitur haptas në shkelje arrogante të ligjit dhe Kushtetutës paratët e taksapaguesve, a janë më këta deputetët e shqiptarëve që votojnë çdo seancë vetëm ligje dhe ndryshime ligjore që përligjin grabitje tendera, prokurime që tjetërsojnë pronat e shqiptarëve dhe pasurojnë agallarët e Rilindjes.
A janë këta deputetët e shqiptarëve, të cilët bashkë me njerëzit e qeverisë dhe kryeministrit të kapur, bënë votimet më të korruptuara dhe të inkriminuara sikurse ishin zgjedhjet e vjetshme lokale ?
Cili është bilanci i tyre pas një viti?
Bashkitë si kështjellat e krimit po bien një nga një sepse prijësit na dolën vrasës, hajdutë, përdhunues femrash, fallsifikatorë dokumentash e me plot zullume të tjera.
A e meritonin banorët e nderuar demokratë, heronj të lirisë , kavajsit, një kryetar të tillë, e meritonin krutanët e zgjuar dhe patriot një kryetarë të tillë? Po tepelenasit?
Absolutisht JO, por sistemi i kryeministrit të një milion shuplakave solli qëllimisht njerëzit e krimit për të mbajtur pushtetin e tij me cdo kusht dhe për ti shërbyer jo komunitetit por pushtetit, për të zbatuar aspak ligjin, por për të mos folur dhe për shërbëtorët e qeverisë, shoëmenët dhe abuzuesit me fondet publike, përfaqësues vetëm të interesave të tyre sic është Tirana, Durrësi, Korca Vlora etj,
Pooor dhe ora e të vërtetës së tyre do të trokasë shumë shpejt.
Sot kryeministri dhe qeveria është në një akzuë të shtuar për krim, për mbrojtje të tij.
Sot qeverisë dhe Ramës i rezultojnë të arratisur, por ende me imunitet bashkiakët dhe deputetët e krimit.
Edi rama është avokati më i fortë i tyre dhe kjo qeveri ky ministër i brendshëm mbron me fanatizëm vendstrehimin e tyre.
Por nuk është më koha për ti mbrojtur njerëzit e krimit zoti kryeministër. Është koha të dëshmosh këtu nga kjo foltore, nga kjo sallë se e ke vullnetin për dekriminalizimin e shtetit dhe se reformën në drejtësi nuk mund ta përdorësh për alibi.
Gjithkush e ka të kuptuar dhe të sqaruar në kokë, se reforma në drejtësisë nuk mund të jetë histori surealizmi apo skenar për një gjyq të ri ndaj opozitës.
Reforma për pavarësi dhe konsolidim te drejtësisë është nevoja për të shpëtuar këtë realiteti kritik që ti e ke gremisur në një krizë të thellë me akuzat dhe kërcënimet publike ndaj gjyqtarëve.
Reformën në drejtësi nuk mund ta përdorësh më si top futbolli për të bërë gola në portën e opozitës, sepse opozita nuk ta ka fajin që ti përgjon edhe ministrat e tu edhe shërbëtorët e tu, sepse në krim nuk ka besë dhe nuk ka burrni.
E deri sa reforma në drejtësi, me variantin tuaj, ta sillni në këtë sallë për miratim, kam frikë se nuk do ngelet kush nga ju ta votojë, pasi fotografia “bella mafia” do ketë mbetur vetëm me kryeministrin në sfond, sepse krimi i ha bijtë e vet.
Fjala në Parlament e deputetes së Partisë Demokratike, Mimoza Hajdarmata, 9 qershor 2016