Ti zonja Leskaj je bërë më e fuqishmja në Partinë Socialiste pasi arrite ti hash kokën edhe Koço Kokëdhimës, për të cilin ç’është e vërteta unë nuk kam asnjë keqardhje. Ty të mbajtën aty ku je, ti more lokomotivën, gjërat duhen thënë siç janë, ty të mbrojtën, atë jo. Se bëhet ligji dy copash e tre copash sipas interesit të Edi Ramës është puna e tij por unë s’pajtohem me një gjë të tillë. Ligji është një për të gjithë.
Vijmë pak të çështja tjetër. Edi Rama e ka shndërruar KESH në institucion terrori ndaj qytetarëve shqiptarë. Në një institucion gjobvënieje masive, në një institucion të vjedhjes më të madhe shtetërore në historinë e këtij vendi. Pasi vodhi dhe përvetësoi me fatura të qarta si drita e diellit 620 mln euro detyrime që CEZ iu kishte ndërmarrjeve shqiptare, vuri në krye të tij, Akrabanë e familjes së vet. Pse nga kujton se doli ky Çela? Pa pyesni pak kush e emëroi Celën aty. Familja e emëroi. E emëroi si hajdut të sprovuar të Ramës. Dhe ky zotëri, me një zinxhir të pafundëm tenderash ka vjedhur dhe po vjedh në mënyrë monstruoze qytetarët shqiptarë. A ka krim më të shëmtuar se të vjedhësh 720 milionë lekë për imazh dhe freskim. A e dini sa është vjedhja? Shkoni se ja u thotë ERE. Humbjet në rrjet janë shumë më të mëdha sesa ishin në momentin kur e morën. Dështimi është i plotë dhe total. Nga vijnë paratë atëherë kur humbjet janë shumë më të mëdha? Nga dalin paratë? U vidhen në mënyrë monstruoze shqiptarëve. U shkatërruan 180 mijë sahate për të rritur numrin e familjeve që paguajnë aforfe në 200 mijë. Natyrisht që nëse ti liston 200 mijë familje, ku secila prej tyre paguan tre-fishin për kilovat/orë nga çmimi që paguan Sali Berisha këtu, apo që paguan kryeministri apo ministri, atëherë natyrisht që arka mbushet. Arka mbushet sepse nuk ke më 200 mijë familje, ke 600 mijë familje, merr sa për 600 mijë familje.
Dhe kush e bën këtë? Këtë e bën një njëri i cili u premtoi shqiptarëve heqjen e TVSH nga çmimi i energjisë elektrike, një njëri që po bën vjedhje të pafundme në energji, burgosje të qytetarëve për një lidhje energjie për 38 dollarë, dhe dërgimi i tyre në atë botë, janë të gjitha këto dëshmi e shndërrimit të këtij institucioni në një institucion terrori mbi qytetarët shqiptarë.
Ju po shkatërroni tërësisht energjetikën dhe energjinë shqiptare në një kohë kur ajo kishte arritur pa diskutim nivele të admirueshme në shumë aspekte. Këta zotërinj, njëlloj si një shtet zuzar e një qeveri zuzare, të gjitha kontratat e hidrocentraleve të vogla, në mënyrë arbitrare, duke i përdorur si top futbolli, janë 108 deri tani këto, ja kaluan një ndërmarrje tjetër vetëm e vetëm për të mos paguar borxhet e tmerrshme që kanë ndaj tyre. Cfarë janë këta? Këta janë shkatërrues të njërës prej shtyllave kryesore të zhvillimit të vendit që është shtylla energjitike.
Janë me qindra investitorë që kishin gati miliarda euro të investonin në hidrocentrale.
Po kush investon me një qeveri zuzare që ndryshon kontratat e që ndryshon rregullat, që shkatërron në palcë sigurinë ligjore? Ndaj dhe prodhimi bie në pikiatë. Nga maji i vitit të kaluar në maj të këtij viti, eksportet kanë një rënie 15 %. Kjo është rënia më katastrofale në 25 vitet e fundit që është regjistruar ndonjëherë, e këtyre krenarëve që s’kuptojnë se ç’ndodh dhe po rrokullisin këtë vend drejt katastrofës ekonomike.
Të gjitha projektet i shtynë, i larguan. A e dini ju se janë nja tre by passe të filluara. Lamë të filluar by passin e Fierit, ku është? Eshtë kërkund. Janë shtuar nja 40 mln euro të tjera për t’u vjedhur aty.
Cfarë bëtë me rrugën e Elbasanit, Ibë-Elbasan? Ishte e përfunduar e tëra, në Tiranë ishte në ndërtim e sipër. Ndodhi një shkarje. Por shkarjet për atë që ka njohuritë më elementare, kur janë të lidhura me gjeologjinë, ato rikalkulohen. Ky është rregulli në çdo ligj të prokurimeve të kësaj bote. Por në hakmarrje që u inaugurua tuneli para zgjedhjeve, këta i thonë s’të njohim ne, dhe tani fatura e rrugës Ibë-Tiranë, shkon 1 km – 9 mln euro, kundrejt 10 mln euro që shkoi kilometri te tuneli, madje më pak. Pse i mbushin xhepat.
Lëxojeni pak artikullin e Albatrosit. Se Albatrosi, ju e merrni për shpend, ai është zogu i fatkeqësisë. Sot një nga gazetat më të mëdha amerikane, Washington Times shpall kreun tuaj si albatrosin e Shqipërisë. Kundërmon erë në mbarë votën vjedhja e korrupsioni i tij, dhe në mënyrë të veçantë lidhjet e tij të tmerrshme me krimin. Lexoni dokumentin e albatrosit, se albatros e quan. Se juve mund t’ju duket emër i bukur por por ai është shpendi i fatkeqësisë, gjë që e kemi thënë këtu një mijë herë; EdiDrama. (Gjiknurit) Ndaj kur flet për energjinë ti je i pafajshëm, se pikërisht për të mos marr vesh gjë nga energjia të ka zgjedhur ty te ai, ngaqë ai vet nuk merr vesh, ti s’merr vesh. Po vidhet në mënyrën më monstruoze. A keni ju zgjedhës? A e shikoni ç’ndodh në Vlorë? By passi i Vlorës ka qënë i sigururar qindarkë për qindarkë, ka qënë i projektuar, duhet të përfundonte ndërkohë që asnjë kilometër nuk është bërë në by passin e Vlorës. Lungomaren nga katër korsi e kthyet në dy korsi dhe sot është rradha e tmerrshme. Ja shkatërruat Vlorës turizmin, i latë qytetarët pa drita. Nuk mund të dalësh këtu të bësh avokatin e një prej hajdutëve më të mëdhenj në historinë e shtetit.
Ku është by passi i Vlorës? Asnjë kilometër nuk është bërë. Ku është rruga? E dini ç’kanë bërë me rrugën e Mokrës, rrugën Qafë Plloçë Qukës? E kanë zgjatur projektin 20 km. E kanë vrarë projektin. E kanë bërë tani kilometër për kilometër të njëjtën gjatësi. Ku jeni ju o deputetët e Korçës? A keni interesa të qytetarëve të Shqipërisë apo jo? Apo vetëm të partisë? Pasi e shtytë, se donit ta anullonit rrugën e Mokrrës, tani thatë prit, se duhet të vidhni normal. Ishte rruga për 84 mln, e kanë çuar në 140 mln rrugën. Unë e kuptoj që këto ja u vrasin veshët ju por unë absolutisht nuk do lodhem kurrë pa i denoncuar në këtë parlament që të gjitha një për një.
E dëgjuat dje mesazhin e miqve tanë? Nuk e kisha dëgjuar kurrë. Për herë të parë bien sirenat që “o votoni reformën bashkë me opozitën ose hiqet statusi”. Qeveria e ka këtë sigurisht. Ai mesazh ishte i qartë si kristali. Një qeveri që do të kapë drejtësinë nuk është për në BE thotë mesazhi. Po nëse nuk doni të kapni drejtësinë hajde të zbatojmë amandamentin 88 të Venezias.
Amendamenti 88 i Venezias thotë: ”Nëse palët në procesin politik nuk pranojnë shumicën e cilësuar të këruar për anëtarët jo gjyqtarë të KLGJ, KLP, KPK, DHSK, ata mund të zgjedhin një sistem proporcional që garanton përfaqësimin e opozitës në organet kolektive ose çdo model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte ndikimin e opozitës në procesin e zgjedhjes”. Kurse ju opozitën e keni shpallur armike dhe nuk doni të merreni vesh për asgjë. Opozita bëri lëshimet më të jashtëzakonshme, i bëri shërbimet më të jashtëzakonshme kësaj reforme, e cila në draftin e parë i nxirrte shqiptarët jashtë kontinentit europian, u hiqte atyre të drejtën, në rast se merrnin një masë administrative, për t’iu drejtuar gjykatave. Ligj i paprecedent ky në historinë e demokracive, opozita e shpëtoi këtë draft me qëndrimet e saj, Venezia dha verdiktin dhe e rrëzoi, po kështu edhe draftin e dytë. Ju bëj thirrje ta votojmë reformën në përputhje me këtë amendament. Ju ftoj ta merrni dhe lexoni këtë amendament. Mos u udhëhiqni ju nga këto momente. Unë ju them që është shumë gjë në lojë. Interpretojeni këtë amandament qoftë sipas ndërgjegjes tuaj, njihuni me të dhe kam bindjen se pasi të thelloheni mbi të, nuk do pranoni kurrë të përjashtohet opozita. Thirrjet janë: “qeveria që tenton të kapë drejtësinë nuk çon vendin në BE”. Thirrjet janë: “Po nuk votuat do rishikojmë statusin”. Natyrisht nuk përjashtoj opozitën nga përgjegjësia por opozita ka bërë gjithë lëshimet e veta, opozita thotë se s’dua gjë tjetër veçse këtë amandament kurse ju doni ta përjashtoni me çdo kusht opozitën. Nuk ka opozitë në botë që të guxojë për ti dhënë çelsat në dorë, ti bëj kazmën sistemit të drejtësisë dhe vendit të vet, ta lërë atë jashtë BE-së, duke i dhënë një kryeministri si Edi Rama drejtësinë në dorë. As Ramës, as Bashës, askujt që do bijë mbrapa. Ndaj dhe ju bëj thirrje të votojmë, të mos bëjmë lojë kukamshefti. Opozita ka shumë vërejtje por i ka lënë mënjanë për një interes të madh, vjen e voton mbi bazën e kësaj. Doni ta sikterisni? Nuk sikteriset kurrë opozita. Nuk ak gfjë në botë që mund ti imponojë opozitëstë lëshojë drejtësinë në duart e Ramës. Hiqeni nga mëndja. Ne jemi konstruktivë, në jemi për dialog, kemi dhënë një kontribut shumë të madh në këtë reformë, kemi qënë palcor në një kohë kur jeni përpjekur në të gjitha format që të na largoni e ta bllokoni por ne kemi interesa të tjera më të mëdha dhe kemi qëndruar për ti dhënë vendit një reformë e cila është jetike për të sotmen dhe të ardhmen. Unë e kuptoj se edhe statusin ju e morët nga ne, njëlloj si ata që midis atij që ka luftuar përliri dhe atij që e ka lirinë dhuratë, më i lumtur është ky i dyti. por ai i pari ja di më shumë. Edhe ju kështu . Statusin e morët nga reformat që kreu qeveria e mëparshme.
Mesazhet e para kanë filluar t’iu vijnë dhe janë shumë të hidhura. Por ju garantoj dhe këtu do jemi, do jenë shumë herë më të hidhura mesazhet që do merrni në kohën që vjen. Mos u nisni ju nga disa qëndrime të diktuara nga momentet. Këtu u deklarua se ka zero progres në luftën kundër krimit, ka zero progres në luftën kundër korrupsionit. Shumë shpejt do të dëgjoni atë që shkruhet për Albatrosin (i referohet Edi Ramës sipas shkrimit të ëashingtone Times), që është bërë frymëzues me lidhjet e tij të krimit dhe krimin që shkon deri te koka e tij, zogu fatal i Shqipërisë, shpendi fatal.
Thirrja ime është ta lexoni amandamentin 88. I lutem drejtuesve të kuvendit që nenin 88 t’ja u japi çdo deputeti, të përkthyer shqip dhe anglisht. Po ta lexoni gjykoni vet. Po i the vetes Pandeli Pandeli, s’mund t’ia mohosh opozitës kurrë nenin 88. Asnjëri prej jush. Si mund të lini opozitën jashtë në vend se të falenderoni opozitën. Nëse e bëni, kostoja do jetë mbi ju, shqiptarët do ju ndëshkojnë shumë keq!
Fjala e ish-kryeministrit Sali Berisha në Kuvend, 30 qershor 2016