Prej 17 ditësh, maxhorancës i është ofruar një formule e re në përputhje të plotë me rekomandimin 88, si kompromis për të miratuar Reformën në Drejtësi, por ska asnjë përgjigje.

  • Opozita ka dhënë një zgjidhje të pranueshme, të ekzekutueshme të përputhur me “Venecian” dhe që në parim zgjidh çdo kundërshtim të derisotëm të Edi Ramës. Nuk ka më kundërshtime, prandaj nuk ka çfarë të thotë. Ka vetëm shpresën që me 21 korrik të drejtojë gishtin tek opozita, por gishtin ia ka prerë Bilali me shokë.
  • Në qoftë se ka bërë plan të shkojnë në zgjedhje të parakohshme me këtë kalë beteje po i them që sot që e ka gomar të ngordhur.
  • Nuk ka shqiptar sot që të besojë se Edi Rama nuk ka frikë se gjyqtarët dhe prokurorët e pavarur do të marrin një ditë në dorë të gjitha dosjet; që nga CEZ-i, tek koncesionet e Ilir Beqës, tek grabitjet e bandës së kriminelëve me lidhje të drejtpërdrejta me kupolën drejtuese të Ministrisë së Brendshme dhe Saimir Tahirin që ka shpallur zonën Fushë-Krujë –Durrës si zonë të lirë të krimit të organizuar, përgjimet e paligjshme, apo “Bilalgate”-in 80 mijë dollarë financim i paligjshëm.

Konferencë për shtyp e Kryetarit të Partisë Demokratike

Mbledhja e grupit parlamentar, të cilës i parapriu mbledhja e aleatëve opozitarë, rikonfirmoi qëndrimin tonë dhe vendosi të bëjë publike faktin se opozita prej 17 ditësh, prej datës 24 qershor i ka ofruar maxhorancës përmes një formule në përputhje të plotë me rekomandimin 88, rrugën e daljes, kompromisin për të miratuar Reformën në Drejtësi.

Deri ditën e sotme, me përjashtim të disa deklaratave të miat të cilat ju i keni pasqyruar, ne nuk e kemi bërë publik këtë fakt me shpresën dhe besimin se pala tjetër do të vazhdonte të negocionte në mirëbesim për të gjetur zgjidhje.

Prej 17 ditësh Partia Socialiste dhe përfaqësuesit e Partisë Socialiste jo vetëm që refuzojnë kompromisin e ofruar nga opozita, por po kështu refuzojnë të paraqesin me shkrim apo me gojë argumentet se përse kjo zgjidhje në pikëpamjet e tyre është e papranueshme.

Në këto kushte konkluzioni ynë është i qartë; sa më shumë maxhoranca futet në llogoret e saj duke refuzuar, tashmë jo thjeshtë rekomandimin 88 por edhe logjikën, vullnetin për të shkuar drejt një zgjidhje, aq më shumë shqiptarët e kanë të qartë se Edi Rama nuk e do reformën në drejtësi por fajin do t’ia lërë Partisë Demokratike, do t’ia lërë opozitës.

Sigurisht, në qoftë se ka bërë plan të shkojë në zgjedhje të parakohshme me këtë kalë beteje po i them që sot që e ka gomar të ngordhur. Se nuk ka shqiptarë sot që të besojë se Edi Rama nuk ka frikë se gjyqtarët dhe prokurorët e pavarur do të marrin një ditë në dorë të gjitha dosjet; që nga CEZ-i, tek koncesionet e Ilir Beqës, tek grabitjet e bandës së kriminelëve me lidhje të drejtpërdrejta me kupolën drejtuese të Ministrisë së Brendshme dhe Saimir Tahirin që ka shpallur zonën Fushë-Krujë –Durrës si zonë të lirë të krimit të organizuar, përgjimet e paligjshme.

Apo “Bilalgate”-in 80 mijë dollarë financim i paligjshëm, sot një vepër penale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për dorasin, dhe nëse drejtësia shqiptare vepron me 50% të integritetit dhe pavarësisë së drejtësisë amerikane, nesër do të marrë të pandehur kryeministrin si porositës dhe përfitues i kësaj vepre të paligjshme korrupsioni për të cilat akoma nuk denjon të japë përgjigje dhe të bëjëtransparencën minimale para qytetarëve, se nuk ka çfarë të thotë.

Në këtë kontekst ndodh edhe refuzimi i Edi Ramës dhe kasnecëve të tij për të gjetur një zgjidhje funksionale.

Javën e kaluar i bëra thirrje, harxhoi edhe një javë tjetër ndërkohë që bën lojën e tij të dyfishtë. Ndërkombëtarëve u thotë unë jam gati të votoj çfarëdo që propozohet, opozitës i refuzon propozime logjike në përputhje me 88-ën, pa i dhënë asnjë arsye.

Sepse dëshiron dështimin e reformës.

Natyrisht në kushtet aktuale parlamentare ne nuk kemi votat për të diktuar  një reformë sipas “Venecias” por ne insistojmë deri në fund, siç kemi bërë deri më sot, që opinioni final i Venecias të materializohet i plotë në draftin kushtetues.

Nëse kjo dështon, dështuesi ka vetëm një emër dhe ky është Edi Rama. Përgjegjësia është e tij dhe të jetë i sigurt se me fakte dhe argumenta edhe të patreguara deri më tani të një procesi të gjatë ku jemi investuar me mund, me energji, me përkushtim, me ekspertët tanë më të mirë, me politikanët tanë më të mirë do t’i bëjmë të qartë çdo qytetari shqiptar, demokrat dhe socialist se si opozita e vendit, e cila kishte 1001 arsye të thoshte se nuk futem me ty për Reformën në Drejtësi sepse ti je palë e pabesueshme,në fakt u investua për Reformën në Drejtësi dhe sot gjendet përballë një loje të pastër të Edi Ramës për të sabotuar Reformën në Drejtësi.

Ka një rrugë për të vërtetuar të kundërtën dhe rruga është të pranojë formulën e kompromisit, e treta që opozita ofron apo përqafon.

E para, ka qenë ajo që u ofrua nga OPDAT dhe EURALIUS në 10 shkurt dhe që ne e riadoptuam në draftin tonë të datës 29 maj.

E dyta, ka qenë propozimi i 6 qershorit në takimin me të për “listat alternative” prapë sipas rekomandimeve të “Venecias”.

Ky është propozimi ynë i tretë. I treti që opozita bën dhe Edi Rama vazhdon të insistojë në mospranimin e këtij propozimi pa asnjë argument. Argument është sigurisht frika që Edi Rama ka nga një reformë e vërtetë në drejtësi dhe përgatitja që bën për të dështuar këtë reformë, me shpresën se do t’ia lërë fajin në derë opozitës.

Kjo nuk ka për të ndodhur. Opozita është e vendosur edhe në kontekstin aktual politik të ofrojë rrugën e zgjidhjes. Rrugët e zgjidhjes janë mbi tavolinë dhe së shpejti ne do ta bëjmë këtë ofertë tonën publike për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Por duhet ta dini dhe të jeni të sigurt, ashtu siç ju kam thënë deri më sot, për gjithçka tjetër në raport me Reformën në Drejtësi, për BKH-në, për vendet e rezervuara etj, se opozita ka dhënë një zgjidhje të pranueshme, të ekzekutueshme të përputhur me “Venecian” dhe që në parim zgjidh çdo kundërshtim tëderisotëm të Edi Ramës.

Nuk ka më kundërshtime, prandaj nuk ka çfarë të thotë. Ka vetëm shpresën që me 21 korrik të drejtojë gishtin tek opozita, por gishtin ia ka prerë Bilali me shokë.

Kështu që edhe një herë e ftoj që të reflektojë. Kjo nuk është një përplasje mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, as një kacafytje mes opozitës dhe maxhorancës. Kjo është një çështje shumë më e madhe që i takon çdo shqiptari. Ndaj jemi angazhuar në mënyrë të tillë pavarësisht se përpara kishim dikë që s’i kemi besuar që orën e parë, sot që na ndan vetëm kjo çështje ofertën e ka mbi tavolinë. Nëse ka një kundërshtim të vetëm ta paraqesë atë me shkrim dhe ne jemi gati që këtë betejë, këtë debat ta bëjmë publik pastaj para çdo qytetari.

Pyetje: Zoti Basha, a e pranojnë ndërkombëtarët formulën tuaj?

Basha: E rëndësishme është që formula jonë është bazuar mbi dokumentin themelor ndërkombëtar që është opinioni final i “Venecias”. Mbi opinion final të “Venecias” nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë institucion tjetër.

Pyetje: Zoti Basha cila është formula juaj?

Basha: Do ta bëjmë publike në ditët në vijim në mënyrë që të uleni dhe ju, ta projektojmë dhe qytetarët ta kuptojnë.

Pyetje: A përjashton ajo operacionin ndërkombëtar të monitorimit?

Basha: Sigurisht që jo. Operacioni ndërkombëtar të monitorimit ka..

Pyetje: Si vendimmarrëse?

Basha : Jo, opozita nuk ka vendosur asnjëherë që operacioni ndërkombëtar i monitorimit të ketë kompetenca që nuk i jep Venecia. Ne kemi qenë dhe jemi për kompetenca që “Venecia” i njeh komisionit apo operacionit ndërkombëtar të monitorimit dhe për këto kemi qëndruar dhe do të qëndrojmë deri në fund.

Pyetje: Do të thotë që jeni kundër fshirjes së mandaturave që ia jep operacioni?

Basha: Jo nuk jemi futur në detaje të tilla.

Pyetje: Operacioni vetëm këtë bën, fshin kandidaturat.

Basha:  Jo, operacioni bën atë që i ka ngarkuar “Venecia”. Se në çfarë mënyre e zgjedh ta bëjë, këtë natyrisht e zgjidhin më mirë ekspertët. Detyra jonë është të garantojmë zbatimin 100% të “Venecias” për këtë dhe çdo aspekt tjetër.

Pyetje: D.m.th, formula juaj z.Basha…

Basha: Formulën do të kesh rast ta shpjegoj shumë gjerësisht dhe me detaje që ta transmetojnë të gjithë, sa mundeni dhe pa censurë.

Pyetje: Zoti Basha po me propozimin e ri të Fatmir Xhafës jeni njohur?

Basha: Nuk është propozim i ri, është propozim i rrëzuar nga opozita në 17 shkurt me shkrim dhe gjatë takimit tim të 6 qershorit në mënyrë të argumentuar. Sepse është një metodë me potencial  të lartë korruptimi, pa transparencë dhe tepër i ndërlikuar për kushtet  dhe për proceset për të cilat propozohet.

Falemnderit !


Konferencë për shtyp e Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 6 korrik 2016