Mirëdita!

Paratë e korrupsionit dhe krimit qëndrojnë në themel të pushtetit të djeshëm dhe të sotëm të Edi Ramës.

Ky fakt tronditës për çdo vend demokratik të botës i njohur fare mirë në sytë e shumicës dërrmuese të shqiptarëve tashmë u faktua para partnerëve ndërkombëtarë dhe botës mbarë.

Hetimet e bëra publike nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë dhe mediat prestigjioze ndërkombëtare tregojnë se Edi Rama qëndron pas një krimi të rëndë federal të kryer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dorovitës i 80 mijë dollarëve të dhëna në një mbledhje fondesh për presidentin Barack Obama. Një akt i ndaluar nga ligji amerikan, që rreptësisht përjashton futjen e parave në fushatë nga një burim i huaj.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë bën të ditur se një shtetas shqiptaro-amerikan kishte marre 80 mijë dollarë nga një burim i huaj duke e ditur se ai do t’i derdhte ato para në fushatën elektorale…. Ai kishte shkuar në San Francisko në përpjekje për të siguruar një hyrje në një event për mbledhjen e fondeve me një shtetas të huaj,që është Edi Rama, të cilit i ishte ndaluar hyrja, por të cilit iu mundësua një foto me Presidentin,”- thuhet në deklaratën zyrtare të Departamentit Amerikan të Drejtësisë.
80 mijë dollarë ka paguar Edi Rama për një foto.

80 mijë dollarë për një mashtrim.

80 mijë dollarë për t’iu hedhur hi syve shqiptarëve.

Në rrugën e tij drejt marrjes së pushtetit Edi Rama nuk u ndal para asgjëje, nuk ngurroi të thërrasë nën armë gjithfarë kriminelësh, e nuk kurseu askënd me gënjeshtrat e me mashtrimet e tij, madje as partnerin tonë strategjik, SHBA.

Ky krim i rëndë federal i porositur dhe i paguar nga Edi Rama, tregon edhe një herë se si e nisi rrugën drejt pushtetit.

E nisi me krim, e vazhdoi me krim dhe sot sundon me krimin.

E veshi krimin me pushtet dhe pushtetin me krim.

E mbushi parlamentin me vrasës, me banditë, me trafikantë droge e me tutorë prostitucioni.
I nxori nga çdo vrimë ku ishin fshehur përdhunues, trafikantë dhe kriminelë dhe i bëri kryetar bashkish, drejtorë dhe shefa zyrash.

Por nuk mjaftoi kjo. Me një mendësi kriminale, në një shtet ku ligji dhe drejtësia nuk blihen as shantazhohen, ai guxoi të shkelë ligjet e SHBA-ve, të mashtrojë ekipin e presidentit Obama për një foto-mashtrim.

Ajo foto tregon shumë, tregon qartë mendësinë e Edi Ramës, për të cilin me paratë e pista të krimit dhe të korrupsionit blihet gjithçka, qëndrohet mbi ligjin dhe mbi drejtësinë.

Kjo foto është në të njëjtën kohë prova se në  SHBA drejtësia nuk mund të kapet nga Edi Rama, as të blihet e të shantazhohet nga ai.

Drejtësia atje është drejtësia që nuk do Edi Rama.

Drejtësia që do Edi Rama është drejtësia që shantazhohet prej tij si në rastin e skandalit, megaskandalit të përgjimeve ku sulmon gjyqtarët duke i quajtur “killer”.

Gjyqtarët që dëshiron Edi Rama janë të prerjes  së zonjës Sadushi, bashkëshortes së ekspertit të Ramës e cila ktheu dje në detyrë dhe dy të fundit të krimit të tmerrshëm shtetëror të përgjimit të paligjshëm.

Drejtësia që do Edi Rama është drejtësia që shantazhohet dhe gjunjëzohet për të mos hetuar lidhjet e Tahirit me krimit, të Beqajt me korrupsionin, të Ahmetajt me pazarin e pasurive publike, të Gjiknurit me aferën CEZ, e kështu me radhë.

Në fund të fundit, drejtësia që do Edi Rama i ngjan asaj drejtësie që përfytyron e dëshiron çdo i kapur në krime e korrupsion, pra një drejtësi të njëjtë me të, ortak me të, të kapur në krim e korrupsion.

Por i ka bërë llogaritë gabim. Drejtësia në SHBA nuk shantazhohet, nuk blihet sado para të kesh mbledhur nga krimi dhe korrupsioni.

Unë sot dua t’i bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm dhe prokurorisë shqiptare që paralel me hetimet që po kryen FBI, të nisë menjëherë hetimet brenda juridiksionit shqiptar dhe sipas ligjit shqiptar për këtë rast të pastër të korrupsionit politik.

Ku i gjeti Edi Rama 80 mijë dollarë në një kohe kur kishte deklaruar një pasuri prej 3 mijë eurosh?

Apo janë para ryshfeti e korrupsion?

Cili është burimi i tyre?

Çfarë ka marrë në këmbim të këtyre parave sponsorizuesit?

Sot, çdo shqiptar por dhe partneri ynë strategjik SHBA duhet ta dinë të vërtetën e këtij krimi të shëmtuar dhe të njohin kështu pa maskë, pa maskën që përdor me propagandën e tij Edi Rama.

Ai duhet e do të japë llogari për rolin dhe përgjegjësitë e tij lidhur me këtë krim për të cilin sot drejtësia e SHBA-ve përgatitet të dënojë dorasin, por jo porositësin dhe përfituesin. Sepse kjo e fundit është detyrë e drejtësisë shqiptare, është detyrë e votuesve shqiptarë.


Deklaratë për mediat e Kryetarit të Partisë Demokratikë Lulzim Basha, 1 korrik 2016