Në ditën e fundit të Konventës Kombëtare të demokratëve, ku Hilari Klinton pranoi nominimin për kandidate për presidente të SHBA-ve, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua me senatorë dhe kongresmenë mes të cilëve dhe me nënkryetarin e Komitetit për Punët e Jashtme në Kongresin Amerikan, Z. Eliot Engel.

Kongresmeni Engel ka vlerësuar kontributin e rëndësishëm të zotit Basha dhe PD për reformën në drejtësi. Zoti Engel e përgëzoi zotin Basha për lidershipin e treguar për të sjellë në fund një reformë bazuar nga standardet më të mira të rekomanduara dhe nga Komisioni i Venecias dhe miratimin me konsensus të saj.

Konsensusi ishte e vetmja mënyrë për të garantuar një drejtësi të pandikuar politikisht, theksoi Engel duke përgëzuar zotin Basha për qëndrimin e tij parimor.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e madhe që SHBA i ka dhënë Shqipërisë në këtë proces i cili ishte kompleks dhe i vështirë, por në fund produkti është ai nga i cili përfiton çdo qytetar.

Pas Dekriminalizimit dhe Reformën në Drejtësi, zoti Basha ka theksuar se Zgjedhjet e Lira dhe të Ndershme janë sfida e ardhshme për Shqipërinë. Për këtë zoti Basha kërkoi angazhimin dhe mbështetjen e kongresmenit Engel dhe të Komitetit për Punet e Jashtme në Kongresin amerikan.

Zoti Engel ndërsa theksoi se një vend nuk mund të bëj progres nëse nuk garanton votën e lirë të qytetarëve të tij ka ofruar mbështetjen dhe gatishmërinë për të kontribuar në të gjithë procesin që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri.

Kryetari i opozites dhe Kongresmeni Engel diskutuan gjerësisht edhe mbi zhvillimet në Kosovë, Maqedoni, Mal te Zi etj dhe situatën politike në rajon e më gjërë.​


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 29 Korrik 2016