Përpara se të filloj me rendin e ditës, dua të njoftoj kolegët për një informacion shumë të rëndësishëm dhe të rëndë njëkohësisht, që na ka mbërritur në këto momente dhe gjithashtu të bëj edhe një kërkesë drejtuar parlamentit, kryesisë së parlamentit dhe kujtdo që mbulon këto çështje. Sipas, informacioneve të ardhura jo nga ministria e Sajmir Tahirit, por nga persona që po merren specifikisht me fotografimin e fushave të mbjella me kanabis, dhe brenda pak ditëve do të paraqitet raporti mbi sipërfaqet dhe sasitë e mbjellja me kanabis në territorin e Republikës së Shqipërisë, e nga këto informacione del se gjendja është më shumë se katastrofike. Përmasat janë të tilla që rrezikojnë ta fusin Shqipërinë në listat më të zeza që kanë ekzistuar ndonjëherë dhe kjo, edhe një herë e përsëris, sipas informacioneve që na vijnë nga shërbimet që po merren me këtë çështje.
Fakti është edhe më i rëndë kur po nga këto informacione rezulton se nuk janë vetëm trafikantët që e kryejnë këtë aktivitet, por është vetë policia e shtetit e implikuar direkt, pothuajse zyrtarisht në këtë aktivitet. Rezultojnë pothuajse të gjithë drejtuesit e policisë të implikuar drejpërdrejt, të cilët ngarkojnë punonjës policie të ruajnë arat e mbjella me kanabis. Para pak ditësh, u ndaluan disa prej këtyre policëve, por si duket ata ishin nga ajo pjesë që nuk çonin pjesën tek shefat. Eshtë direkt policia që merret me ruajtjen e arave me kanabis. Këtë informacion, po e përsëris, e sjellin të huajt dhe pas pak ditësh do ta keni në raport zyrtar. Prandaj këtu në këtë vend ndodhin këto që ndodhin; hyjnë bandat mes aeroportit dhe grabisin ditën për diell miliona euro sepse policët e Sajmir Tahirit ndërkohë po ruajnë arat me kanabis. Eshtë mbjellë Shqipëria me drogë nga cepi në cep. Na përmendnit Lazaratin. Lazarati…Lazarati…Lazarati… në atë kohë mbillej në Lazarat. Por sot, rezulton se vetëm në Lazarat nuk është mbjellë dhe është mbjellë në të gjithë Shqipërinë dhe kjo me urdhër dhe me porosi të Policisë së Shtetit, ose më mirë të atyre që drejtojnë rendin, sigurinë dhe policinë në këtë vend. Janë fakte që vijnë dhe pas pak ditësh do ti keni në raport ndërkombëtarësh. Me këto para blihet gjithçka. Me këto para si duket kërkojnë të blejnë votat prandaj i janë sulur dhe as nuk duan t’ia dinë se çfarë ndodh në Shqipëri. Vazhdojnë të bëjnë propagandë për gjëra pa vlerë, ndërkohë që bëhet nami nga cepi në cep. Janë miliarda që mbillen nga pushtetarët. 30 përqind kërkojnë shefat, ua numërojnë policët rrënjë për rrënjë, e në fund ua bëjnë edhe llogaritë aritmetike, kaq do më sjellësh mua. Eshtë bërë zyrtare dhe kjo do të pasqyrohet në raportet ndërkombëtare. Eshtë shumë e rëndë, sigurisht për ata që janë normalë. Janë miliarda se ku, për çfarë i mbledhin, ku duan t’i hedhin, ne provat i kemi. Me paratë e trafikantëve dhe të drogës, blihen vota. Blihen edhe media. Ka dalë që tentohen, të blihen takime me Presidentin e SHBA-së. Për këtë i duan paratë dhe për këtë heshtin. Sepse, gjithë paratë shkojnë në xhepat e atyre që drejtojnë, duke filluar që nga kryeministri tek ministri i brendshëm. Ndaj zonja kryetare, si kërkesë minimale është që raporti që do të bëhet publik brenda pak ditësh, minimalisht t’i vihet në dispozicion në mënyrë urgjente komisionit të sigurisë dhe ti dërgohet edhe Presidentit të Republikës. Po ju paralajmëroj, është një gjendje, pasojat e të cilës do ti ndjeni shumë shpejt.
Fjala e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Edi Paloka, në Parlament, 14 korrik 2016