Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka nisur një tur takimesh në vendet anëtare të Bashkimit Europian. Pas Gjermanisë dhe Italisë, zoti Basha është pritur në Greqi nga drejtues të lartë politikë. Zoti Basha u prit në takime të veçanta nga Kryetari i Nea Demokracia, Z.Kyriakos Mitsotakis. Më pas ai zhvilloi një takim me Grupin Parlamentar të Nea Demokracia dhe me Kryetarin e Komisionit Parlamentar të Marrëdhënieve me Jashtë Kostas Duzinks. Kryetari i Partisë Demokratike u prit dhe nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PASOK, Andrea Loverdos.
Zoti Basha vlerësoi shumë të rëndësishme marrëdhëniet me shtetin fqinj dhe theksoi angazhimin e Partisë Demokratike për të mbështetur dhe nxitur më tej këto marrëdhënie të cilat ndikojnë edhe në lehtësitë dhe përmirësimin e kushteve të bashkëkombasve tanë që jetojnë dhe punojnë në shtetin grek. Për të shfrytëzuar plotësisht potencialin që ekziston në marrëdhëniet Shqiptaro-Greke, zoti Basha theksoi se është e rendësishme qe të trajtohen në frymën e bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë të gjitha çështjet e mbartura dhe të zgjidhen duke demonstruar vullnet të përbashkët dhe vizion europian. Në këtë kuadër, z. Basha shtroi anullimin e ligjit të luftës, si një çështje zgjidhja e të cilës do të kishte një impakt shumëplanësh pozitiv në marrëdhëniet dypalëshe.
Në takimet e zhvilluara me drejtues të partive politike dhe me deputetë të komisionit të Jashtëm të parlamentit grek, zoti Basha ka kërkuar mbështetjen e tyre në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Zoti Basha u takua dhe me kryesinë e Partisë Demokratike të Greqisë.
Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 7 Korrik 2016