Edi Rama dhe Saimir Tahiri po rreken të gjejnë përgjegjës e fajtorë larg tyre për ngjarjen e rëndë të aeroportit, por këto janë lëvizje të dëshpëruara, sepse inkriminimi i pikave kyçe të policisë nga Rama dhe Tahiri është arsyeja kryesore e rrëzimit të tmerrshëm të sigurisë publike dhe sigurisë kombëtare.
Siguria Kombëtare është kërcënuar më rëndë se asnjëherë tjetër pas vitit 1997 sepse praktikisht është “pushtuar Aeroporti”, një infrastrukturë e rëndësisë strategjike, e Shqipërisë dhe e NATO-s.
Ky sulm me armatim të rëndë ka ndodhur pas sulmit terrorist ne Aeroportin e Stambollit, pra në një koheëkur niveli i kërcënimit dhe “gatishmërisë së strukturave përgjegjëse për sigurinë në aeroport sipas Ramës “ishin vendosur në shkallën më të lartë”.
E vërteta është se akte te tilla kriminale janë përsëritur frikshëm në aksin Tiranë-Vorë-Rinas, që është një nyje me rëndësi strategjike kombëtare, sepse nëpërmjet kësaj rruge lidhen të gjitha aktivitetet ekonomike, diplomatike, ushtarake dhe ato të turizmit.
Praktikisht kur bien Aeroportet – çfarë garancie mund të ofrojë shteti për sigurinë e jetës, pronës dhe qytetarit të zakonshëm, e me tej stabilitetit dhe sigurisë kombëtare?

Asnjë reagim, asnjë marrje përgjegjësie, asnjë koment nga Edi Rama, nga ky që nuk lë rast pa ndërhyrë me çdo mjet e çdo formë për çdo sebep e me çdo shkas në hapësirën publike dhe mediatike të shqiptarëve.
Kjo është heshtja e një fajtori. Fakte të reja kanë dalë në dritë që tregojnë se Rinasi me Ramën është kthyer në një çerdhe korrupsioni dhe nepotizmi, një burim i madh përfitimi financiar për bandën kryeministrore, për avokatin e tij Eno Bushin që ka 25 përqind të aksioneve të kompanisë së sigurisë, për shefin e komisariatit, i afërm i ministrit të Brendshëm që kontrollon kanalet e trafikut, dhe vazhdon të qendrojë në detyrë megjithë skandalet e shumta, e me gjithë sulmin e armatosur tre dite më parë.
Ndërkohë dokumentet zyrtare kanë shuar çdo spekullim të Ramës duke konfirmuar se policia është përgjegjëse për sigurinë e aeroportit dhe rrethimit të jashtëm, dhe grabitja ka ndodhur vetëm pak metra larg nje trupe policie që nuk u vunë kurrë në lëvizje.
Renia e Rinasit, renia e sigurisë kombetare është vërtetimi i renies së çdo standardi, është dëshmi se grabitja, maskat, krimi, me Ramën e Tahirin kanë zëvendësuar rendin, ligjin, sigurinë.


Deklarata për mediat e nënkryetarit të PD, Edi Paloka, 3 Korrik 2016