Ngjarja e djeshme në Rinas është dëshmi e shkallmimit të çdo standardi sigurie në vend, dhe konfirmim se Shqipëria dhe shqiptarët janë më të ekspozuar se kurrë dhe më të pambrojtur se asnjëherë më parë nga krimi dhe pasojat e tij. Kjo ka ardhur nga lehtësia që krimi ka për të shkelur edhe në vende e territore që duhet të ishin të paprekshme.
Kur Edi Rama, Saimir Tahiri e kupola e tyre drejtuese në Policinë e Shtetit marrin e japin me banditë, trafikantë, gjobvënës e vrasës, prej tre vitesh, sigurisht krimi rritet dhe fiton ato përmasa si me grabitjen e djeshme, ku persona të armatosur e me maska shkuan deri tek shkallët e avionit, dhe morën me dhunë miliona euro.
Një gjë është e qartë dhe e kuptueshme për çdo shqiptar sot: pa dorën, pa bashkëpunimin e një shefi të madh, asnjë grabitës sdo të mund të bënte atë që bëri dje.
Kjo e shumëfishon alarmin për gjendjen e rendit dhe sigurisë.
Gjendja është katastrofike. Pak kohë më parë pikërisht afër Rinasit u grabitën 3 milionë euro dhe ende ska autor. Në qendër të Tiranës pranë stacionit të trenit u grabitën me armë e me maska miliona euro. Shqipëria është mbuluar nga kanabisi dhe kumbarët e drogës gjenden pranë Tahirit. Bandat po rrisin sundimin, ndërkohë që banda e bandave në qeveri numëron paratë e krimit e trafikut. Skafet me drogë nuk ndalen, bashkë me to dhe trafiku i armëve që po alarmon europën.
E gjitha kjo, në kohën kur alarmi për terrorizmin është në klumin e vet, ndërkohë që gjithë shtetet kanë marrë masa mbrojtëse, e në kontrast të plotë, në vendin tonë ka rënë çdo standard i sigurisë.
Eshtë e kotë të shpresosh sot që dikush nga klani Rama-Tahiri të mbajë përgjegjësi për ngjarjen, pasi kjo dyshe është zhveshur tashmë nga çdo normë e ndërgjegje morale.
Asnjë fjalë skanë thënë as njëri e as tjetri, edhe pse ka rënë në tokë çdo standard i sigurisë publike dhe i sigurisë kombëtare.
Por ne kërkojmë që ligji të funksionojë e përgjegjësitë të nxirren të gjitha nga i pari tek i fundit.
Ndaj, Partia Demokratike i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të kryejë një hetim të shpejtë e të plotë pasi është cënuar rëndë siguria kombëtare e vendit.
Partia Demokratike i kërkon Presidentit të Republikës të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, e të bëhet çdo analizë e të dalë çdo përgjegjësi për këtë krim të rëndë, që e ka nxjerrë vendin tonë të rrezikuar e të pasigurtë, pikërisht në kohën e kërcënimeve të mëdha të terrorizmit.
Deklaratë e Nënkryetarit të Partisë Demokratike, Edi Paloka, 1 korrik 2016