Sjellja prej cubi e ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati në dyert e Presidentit, është më shumë se fodulleku i një mediokri, është fytyra arrogante e një qeverie që nuk njeh rregullat, ligjin, normat e institucionet, por sundon sipas tekave e interesave të saj.

Ashtu si Bushati në dyert e Presidentit që përplaset, dhe agreson punonjësit e gardës, ministri tjetër i Ramës, Tahiri i habilajve e Shullazit, përplaset e sulmon institucionet e drejtësisë, i kërcënon ata në mënyrë mafioze.

Edhe fytyra tjetër e qeverisjes, Veliaj, sulmon gjykatat e ngre barrikada, për interesat e tij private e klienteliste.

Dhe në krye të kësaj bande që mendon se ka pushtet absolut e nuk njeh asnjë institucion të pavarur me Kushtetutë, është Edi Rama, i cili jo vetëm frymëzon e shpërblen aktet si këto të Bushatit, Tahirit e Veliajt, por ai vete është në vijën e parë të sulmit e shantazhit kriminal ndaj gjykatave, prokurorëve e institucioneve që nuk mendojnë si ai, që nuk marrin vendimet që dëshiron ai.

Ky mentalitet sunduesish ka qënë qeverisja e këtyre tre viteve, dhe ky mentalitet është e vërteta e përpjekjes së Edi Ramës për të mos bërë Reformën në Drejtësi, por për ta kapur drejtësinë, për ta vënë nën vete, për ta asgjesuar si pushtet të pavarur.

Lepuri i madh i hajduterisë e korrupsionit ka gjetur strehë në barkun e Edi Ramës, ndaj ai nuk do drejtësi, por gjykatës e prokurorë që do të mbyllin dosjet e tij të panumërta të korrupsionit.


Deklarata për mediat e zedhënëses, Ina Zhupa, 16 Korrik 2016