Për të 6-ten ditë radhazi, Pazari i Korçës me një traditë qindra vjeçare vazhdon të mbetet i bllokuar nga Policia Bashkiake.

Për të 6-ten ditë radhazi, 140 biznese, plotësisht të ligjshëm që kanë kryer çdo detyrim tatimor dhe ligjor ndaj shtetit shqiptar nuk lejohen të ushtrojnë aktivitetin e tyre nën moton “që të tregtosh duhet të tregtosh atë që të them unë”.

Parrulla të tilla, të denja vetëm për një shtet diktatorial, shqiptarët i kanë lënë pas 26 vite më parë por me sa duket Bashkia Korçë po e risjell  përsëri në realitet mbas 26 vitesh.

Ajo që po ndodh me këto biznese është anti ligjore, antihumane, antikushtetuese në kundërshtim të plotë me ekonominë e lirë të tregut.

Po ku është parë kjo që një biznes të imponohet se çfarë duhet të tregtojë vetëm e vetëm se kështu do Bashkia e qytetit?

Po dëmin e pa llogaritshëm moral dhe ekonomik që po pësojnë këto biznese kush do ta paguajë?

140 biznese me rreth 900 persona në familjet e tyre, për 6 ditë me radhë kanë mbetur pa asnjë të ardhur duke u ndëshkuar vetëm e vetëm se nuk po bëjnë atë që Bashkia po ju imponon.

Partia Demokratike, që në fillimet e kësaj tentative të bashkisë muaj më parë, ka dënuar dhe vazhdon ta dënojë me forcë këtë raprezalje të pa shembullt që po ju bëhet këtyre bizneseve në Pazarin e Korçës.

Partia Demokratike ka kërkuar dhe vazhdon të kërkojë që Bashkia e Korçës të ulet të bisedojë, të dialogojë me këto biznese dhe t’i lejojë ato të ushtrojnë aktivitetin e tyre.

Partia Demokratike është në mbështetje të plotë të kërkesës të këtyre bizneseve për të zhvilluar aktivitetin e tyre tek Pazari i Korçës.

Të dashur qytetarë. Qeveria e rilindjes, krahas mashtrimeve të pa shembullta që ka bërë, do të mbahet mend si qeveria me anti biznes që ka egzistuar ndonjëherë në këto 25 vjet, si qeveria që bëri gjithçka për të goditur dhe rrënuar biznesin, si qeveria që rrënoi ekonominë e çdo familje shqiptare, si qeveria që në një mënyrë ose tjetër grabit çdo ditë të ardhurat e familjes shqiptare.

Partia Demokratike do të vazhdojë të jetë në krah të çdo biznesi që i rriten taksat, që gjobitet, që kërcënohet, që dhunohet me pa të drejtë.

Partia Demokratike, tashmë ka programin e saj që do i shpaloset shqiptarëve, program i cili mbështet në maksimum biznesin, program që çliron biznesin nga taksat e larta, gjobvënia dhe nga dhuna.


Deklarata për mediat e kryetarit të Partisë Demokratike të Korçës, Andrea Mano, 1 Gusht 2016