​Të gjitha dëshmitë që kanë dalë në media, të punonjësve të landfillit, të familjarëve të tyre, tregojnë se ishte thirrja e Erjon Veliajt që i bëri të shkonin e të punonin aty.

Erion Veliaj me thirrjen që bëri në televizione, premtoi punë të sigurt e kushte teknike të garantuara.

Këtë thirrje dëgjoi edhe Arditi 17 vjeç, por gjithçka rezultoi një mashtrim.

Mashtrim i Erion Veliajt që për fat të keq Arditit i mori jetën.

Është zbuluar se jo vetëm nuk kishte asnjë parametër teknik e sigurie në landfillin e Veliajt, në biznesin e tij me kreun peqinas të PS-së, por aty shfrytëzoheshin barbarisht çdo ditë, të mitur e gra me tre turne për fare pak lekë.

Pagesa ishte qesharake ndërkohë që të rinjve, të miturve, burrave dhe grave u merrej fryma në atë punë të rëndë, në atë biznes fitimprurës për Veliajn dhe partnerin e tij Teqja, i shpallur në kërkim nga policia.

Të gjitha këto rrethana e nxjerrin Erion Veliajn njësoj përgjegjës e njësoj fajtor sa ata që direkt në landfill merrnin në punë të mitur e nuk garantonin kushte.

E nxjerr fajtor Veliajn thirrja e tij publike për rekrutim në atë aferë kriminale, thirrje që solli vdekjen e 17 vjeçarit.

Çfarë pret prokuroria që të thërrasë Veliajn e ta marrë atë nën përgjegjësi penale.

Ky falsifikator, hajdut, i korruptuar që mbledh të mitur në biznesin e tij, ku rezulton që mund të humbësh dhe jetën, pse qëndron mbi ligjin?

Çfarë duhet të ndodhë tjetër që ky mashtrues që shet për punë të mirë e të sigurt një ferr paligjshmërie ku humb jetën një 17 vjeçar, të mbajë përgjegjësi e të dalë para ligjit.

Erion Veliaj është sot pa asnjë dyshim përgjegjësi kryesor për humbjen e jetës së Arditit.

Nëse prokuroria vonon hetimin e ndjekjen e tij penale, për fat të keq bëhet pjesë e padrejtësisë.

Partia Demokratike do të qëndrojë fort tek kjo çështje,  ne do të bëjmë gjithçka që të zbardhet e plotë ngjarja e të përgjigjen para ligjit ata që e shkaktuan dhe e çuan drejt vdekjes Arditin.


Deklarata për mediat e deputetes së Partisë Demokratike, Mimoza Hajdarmataj, 24 Gusht 2016