Qeveria Shqiptare ka nisur në terr dhe mungesë të plotë transparence, procesin e përzgjedhjes së kandidatëve që do të votohen për postin e gjyqtarit që përfaqëson Shqipërinë në Gjykatën Europiane të së Drejtave të Njeriut.
Edhe këtë proces, Kryeministri që synon të kontrollojë çdo qelizë të drejtësisë, po kërkon ta kthejë në një tender të shëmtuar, me qëllim të sigurojë interesat e tij dhe jo të drejtat e njeriut që ai i shkel çdo ditë në Shqipëri.
Kryeministri kërkon të çojë në Strasburg avokatin e interesave të tij dhe jo gjyqtarin e pavarur në majat e drejtësisë europine. Ai deklaroi se ka arritur marrëveshje me Gjykatën e Strasburgut që pronaret të mos i marrin pronat e shpronësuara, dhe tani po përpiqet të çojë në Strasburg njeriun e tij që do të mbrojë ligjin e rishpronësimit të pronarëve.
Pyetja që shtrohet sot është: a do t’i nënshtrohen vetting-ut antikorrupsion kandidatët e Ramës siç do t’i nënshtrohet çdo gjyqtar e prokuror shqiptar? A do të pranojnë shqiptarët që t’i përfaqësojë në Gjykatën e Strasburgut dikush që ka hije të korrupsionit?
Përzgjedhja e kandidatëve në zyrat e mbyllura të Kryeministrisë në këto ditë gushti dhe larg vëmendjes së opinionit publik ështe këmbanë alarmi për aferën më të fundit korruptive të Kryeministrit.
Kandidatët për gjyqtarë në Strasburg duhet t’i nënshtrohen vettingut! Vetting-u garanton besimin e shqiptarëve tek drejtësia. Vetting-u nuk mund të jetë pistoletë për shantazh e Edi Ramës për gjyqtarët dhe gjykatat , ashtu si kërcënimi që i bëri pak ditë më parë gjyqtarit që rrëzoi kërkesën e tij absurde për të penguar zgjedhjet në Peshkopi.
Me Edi Ramën nuk mund të ketë reformë në drejtësi, nuk mund të ketë drejtësi të pakapur nga pushteti dhe krimi i lidhur me të dhe aq më pak mund të ketë gjyqtarë që mbrojnë të drejtat e njeriut.
Pa Edi Ramën Shqipëria do të jetë më e mirë.
Deklarata për mediat e nënkryetarit të Komisionit për Reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashi, 13 Gusht 2016