Mirëdita
Lajmet e përditshme për grabitjet, aksidentet me pasojë vdekje, vrasjet dhe kultivimi i drogës në cdo pëllmbë të territorit, dëshmojnë gjendjen dramatike të rendit dhe shpartallimin e cdo standardi sigurie. Arratisja dje e një shtetasi turk në Rinas në sytë e policise kufitare dhe përpjekja për ta fshehur këtë skandal që doli në dritë falë denoncimit të Partisë Demokratike, është një tjetër konfirmim se Edi Rama ka hequr dorë nga detyrimi kryesor që ka si kryeministër në detyrë, për të ofruar rend e siguri. Edi Rama po provon cdo ditë se prioriteti i tij nuk janë qytetarët dhe fatet e tyre, por garantimi i biznesit të drogës.
Në funksion të biznesit të drogës Edi Rama ka shtrirë inkriminim e drejtuesve të Policisë, sic raportohet edhe nga qytetarë dhe punonjës me integritet të Policisë së Shtetit.
Drejtori i Qarkut Durrës, Perlat Cullhaj bashkë me shefin e Komisariatit Krujë, Erjon Ismaili drejtojnë dhe kontrollojnë territorin dhe trafikun e hashashit në gjithë malësitë e Krujës, duke vjelë 30% të parave për cdo rrënjë kanabis për shefin e madh në Tiranë. Ata kanë sigurisht një aleat të mirë për këtë biznes kriminal, që është kryetari i Bashkisë, Bushi i famshëm, i proceduar në Itali për trafik droge.
Drejtori dhe shefi i policisë së Ramës, sigurojnë kalim të lirë të mallit për në Itali në Portin e Durrësit, përmes Drejtorit të kufirit, Boge Budini, dhe zëvendës drejtorit të Kufirit, Moisi Sula.
Aranit Arapi, Drejtor i Qarkut të Gjirokastrës, vegla qorre e Ramës, gardiani besnik i plantacioneve dhe hambarit të madh të drogës që shtrihet në gjithë zonën, vecanërisht në vendlindjen e ministrit të brendshëm.
Dritan Lenja është proceduar nga shërbimi i kontrollit të brendshëm për shkelje, abuzime dhe lidhje me narkotrafikun. Me lobimin e fuqishëm të Armando Prengës, ai vjen në krye të policisë së Qarkut të Lezhës, deputetit të Edi Ramës që gjakosi qytetarët në derën e komisariatit të Kurbinit.
Ndërsa kushëriri i afërt i Tahirit, që ishte drejtor në Lezhë, Alban Cela, shkon me ngritje, drejtor i Policisë së Qarkut Shkodër.
Ja pra sesi Edi Rama inkriminon Policinë e Shtetit, sipas nevojave të baronëve të drogës.
Ja pse Shqipëria është mbuluar nga droga si kurrë më parë. Ky biznes kriminal po asfikson vendin dhe ekonominë e ndershme, për të pasuruar një grusht njerëzish që ndajnë paratë me Edi Ramën.
Por droga nuk është zgjedhja e shqiptarëve. Nuk është e ardhmja e tyre. Shqiptarët meritojnë dhe do të kenë punë të ndershme, rend e siguri. Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën.
Deklarata për mediat e nënkryetarit të PD, Edi Paloka, 9 Gusht 2016