Në zonat e Kolonjës po bëhen 3 vite që sundojnë bandat e kanabisit, me mbështetjen e qeverisë. Territore të tëra janë mbjellur me drogë dhe ruhen nga njerez të armatosur. Krerët e policisë si kudo tjetër, me urdhër të Edi Ramës janë vënë në dispozicion të menaxhimit të këtij biznesi kriminal dhe vjeljes së taksës 30 përqind për çdo rrënjë kanabis. Banorët ndihen të kërcënuar, askush s’duhet ti afrohet plantacioneve me hashash.
Sekretari për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji ishte në terren dhe denoncoi fenomenin brenda parcelave me kanabis.
“Jam në një prej zonave të Kolonjës, zonë e mbuluar nga kjo bimësi e cila është një çiban, një mortje që ka rënë mbi të gjitha familjet shqiptare të cilat janë të detyruara që fëmijët e tyre, modelin e tyre të kenë dhunë e forcë prej trafikatëve e qeveritarëve. Kjo bimë e drogë çon përfitime në miliona euro në mënyrë të drejtpërdrejtë për drejtuesit e Policisë së Shtetit, për ministrin e Brendshëm dhe për kryeministrin. Jam në zonën që njihet si vendlindja e drejtorit të Përgjithshëm të Radiotelevizionit Publik dhe ku vjen shpesh edhe i vëllai i kryeministrit, i cili flitet nga banorët që na kanë sjellë në këtë zonë, që u ofron mbrojtje të drejtpërdrejtë duke telefonuar shefin e komisariatit, duke telefonuar drejtuesit e Policisë së Shtetit për të lejuar mbjelljen e kësaj bime. Gjithë lugina dhe zona është e mbjellë dhe e rrethuar në këtë formë dhe këtu jemi në vetëm disa qindra rrënjë të cilat janë mbjellë për herë të dytë ose të tretë. Kjo bimësi sjell përfitime të drejtpërdrejta nga trafikantët e më pas drejt qeverisë duke mjeruar dhe varfëruar popullin, duke dhënë një model që për Shqipërinë është kthyer në plagën më të madhe sociale, në themelimin e republikës së drogës e cila duhet shembur njëherë e mirë bashkë me Edi Ramën dhe shpurën e tij që e rrethon”, tha Salianji.
Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 12 Gusht 2016