Banorët e dhjetra fshatrave në Bashkinë e Lushnjës janë ngritur në protestë kundër emërimit të kryepleqve që sipas ligjit duhet të zgjidhen me votë të lirë. Në fshatin Kasharaj të njësisë administrative Karbunarë, banorët protestuan pranë shkollës së rrënuar të fshatit pasi sipas tyre, kryeplaku i emëruar nuk mund të ngrejë hallet dhe shqetësimet e komunitetit. Problem parësor për këta banore ishte zgjedhja e kryetarit të fshatit dhe kryetarëve të lagjeve që si në të gjithë territorin e bashkisë janë caktuar pa u marrë mendimi i tyre.
“Zgjedhja e kryeplakut dhe kryetarëve të lagjeve na u bënë fshehtas kësaj radhe. Pa na u thënë fare si në kohën e komunizmit. Kemi halle shumë ndaj duam një kryetar të zgjedhur vetë që të ngrejë hallet tona”, tha një banor.
“Kryetari i Bashkisë na e ka zgjedhur kryeplakun. Por ka norma e rregulla që fshati e zgjedh vetë më të mirin. Nuk mund ta zgjedhë partia se parti nuk ka më. Në jemi në demokraci dhe s’mund të jemi në kohën e Enverit. U bë kohë që nuk ka pyet njeri. Bashkia nuk na e hap derën”, tha një banor tjetër.
Kryetari i Partisë Demokratike të Lusnjës, Myslym Murrizi u shpreh se këshillarët e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak do të ngrenë zërin për kërkesat e tyre ndërsa e cilësoi emërimin e kryepleqve në kundërshtim me ligjin. Sipas Murrizit, PD nuk do të pranojë që banorët të mos shprehen me votë për kryetarët e tyre dhe i garantoi ata për mbështetje të plotë deri në plotësimin e kërkesave të tyre legjitime për të zgjedhur me votë të lirë.
“Zgjedhjet e kryepleqve po bëhen fshehtas dhe ju jeni rasti i 10-të që po ngrini zërin për këtë punë me protesta. Nuk vij të bëj politikë por këta po i ikin fshehtash dhe po i shmangen grafikut për takimet që duhet të bëhen në çdo fshat. Të 12 këshilltarët e PD-së në Këshillin Bashkiak nuk i firmosin këto letra fiktive dhe këshilltarët e PS-së, kryetari i Bashkisë i tremben zgjedhjeve të lira për kryetarët e fshatrave. Ne nuk duam të dime se i kujt partie është kryeplaku por duhet që të jenë njeri i respektuar dhe i votuar se në të kundërt nuk do e pyesë askush. Ligji thotë që çdo lagje të zgjedhë anëtarin e vetë dhe ata zgjedhin kryeplakun. Nuk mundesh më t’ua zgjedhësh kryepleqtë me zor banorëve. Ka zgjidhje për çdo hall të çdo banori në fshatra. Qytetari ka në dorë votën në demokraci. Vlerësoni njerëzit që punojnë me votë dhe ndërshkojini me votë ata që sillen si harbutë. Të kujdo partie të jetë. Përsa kohë që politika ua blen votën me një trastë miell apo me mashtrime nuk ju pyet më. Ditën që u merr votën u kthen kurrizin. Votoni për vetën tuaj dhe mos ia qani hallin politikës dhe votoni njerëzit e punës dhe jo njerëzit e kollovarit sepse keni vuajtur 26 vite. Çojeni votën atje ku u dhëmb ju. Që të mos u gjuajnë me shkelm kur ju shisni, që të mos u mbyllin derën kur keni një hall, që të mos u caktojë kryeplakun natën si hajdutët, që të mos u ndalojë polici kot në rrugë kur atje matanë korrin hashash. Shqetësimin tuaj ne do e përcjellim zyrtarisht në Këshillin Bashkiak me të 12 këshilltarët e Partisë Demokratike”, tha Murrizi.
Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 7 Gusht 2016