Ishte një mbledhje dhe diskutim shumë i dobishëm i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike që në qendër pati natyrisht ngjarjen kryesore politike në vend, zgjedhjet në Dibër dhe domethënien e zgjedhjeve në Dibër, për të ardhmen e zgjedhjeve, të votës, të demokracisë në Shqipëri.
Konkluzioni i qartë i grupit parlamentar në këtë diskutim, në raport me atë çfarë duhet të bëjmë e çfarë do bëjmë nesër, është ajo që tashmë e di çdo qytetar dibran e shqiptar. Se aleanca e politikës me krimin dhe në veçanti bashkëpunimi i kartelit të drogës me Edi Ramën mohuan mundësinë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, shkatërruan procesin politik. Dhe ky është një problem ekzistencial për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo thjesht dhe vetëm për opozitën dhe për Partinë Demokratike.
Grupi tregoi një vendosmëri të plotë dhe të gjithanshme për një konkluzion të cilin unë e kam shpallur tashmë dhe dua t’ua përsëris: Vendosmërinë e Partisë Demokratike për të bërë gjithçka që të këpusë hallkat që lidhin krimin me politikën. Në veçanti kartelin e drogës e cila ka mbuluar Shqipërinë dhe e ka futur për herë të parë në 26 vite në një situatë të paprecedentë për sa i përket kultivimit të drogës.
Dhe me këtë rast dua të shpreh bindjen se hapat e mëtejshëm që ne do të hedhim, aksioni politik që do të diskutojmë e do të vendosim bashkë me qytetarët, me aleatët tanë politikë dhe me aleatët tanë të natyrshëm, që në këtë gjendje janë të gjithë forcat shoqërore, të gjithë qytetarët e ndershëm në këtë vend, ne do t’ia dalim t’i këpusim këto hallka, të riinstalojmë lirinë e votës, pa të cilën nuk mund të ketë asnjë liri tjetër.
Ju faleminderit!
Prononcimi per mediat i Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas mbledhjes së grupit parlamentar, 14 Shtator 2016