Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mori pjesë në Aktivin e Degës Nr.5, në kuadër të turit kombetar për dëgjimin dhe bashkëbisedim  me strukturat e Partisë Demokratike. Zoti Basha thekoi se Edi Rama e ka zhytur vendin në papunësi, varfëri dhe mjerim. Edi Rama mbron sot vetëm interesin e mafies dhe krimit dhe për këtë kreu i demokratëve solli shembullin e ligjit të mbetjeve. Tre vjet më parë Edi Rama erdhi në pushtet me premtimin se nuk do të  importohen mbetje ndërsa sot jo vetëm e ka miratuar ligjin por po bën gjithçka që qytetarët të mos ushtrojnë të drejtën e tyre të referendumit. Partia Demokratike do të mbështesë qytetarët në këtë përballje, jo si kalkulim politik por për t’i dhënë zë zërit qytetar, një praktikë që do ta instalojë në vendimmarrje të rëndësishme në qeverisjen e saj nesër.

“Cili është problemi kryesor me pushtetin sot? Është papërgjegjshmëria totale. Pse tre vite më parë e ndaloi importin e mbetjeve dhe sot e lejon? Pse?  Mbrapa kësaj qëndron mafia e plehrave. Nuk ka asnjë arsye tjetër që një njeri të shkelë kaq hapur fjalën që iu dha vetë qytetarëve, që kishin mbledhur firmat bashkë me të për të rrëzuar ligjin dhe sot jo vetëm iu riktheu ligjin por iu mohon edhe të drejtën për t’u shprehur me votë. Dhe do ta mohojë këtë të drejtë deri sa të kuptojë që përballet më një mur të vendosur të refuzimit dhe të protestës qytetare që fillon të shtunën me 1 tetor, dhe për këtë tmerri e ankthi e kapi siç e patë që në Parlament. Dhe kjo është një nga ato çështje që nuk ka kalkulim politik, po ku demokratët duke nisur me grupin parlamentar që depozitoi (dje) kërkesën për referendum, e çdo anëtar e simpatizant i Partisë Demokratike nuk kanë dhe nuk mund të kenë dilemë, të jemi aty me protestuesit për t’i dhënë zë zërit qytetar dhe për ta bërë protestën një fitore të përballjes qytetare më një oligarki të pashpirt dhe të korruptuar deri në palcë.”

 

Në bashkëbisedim me demokratët e Degës Nr.5, z. Basha theksoi se Edi Rama është sot në panik pasi e kanë braktisur qytetarët. Përballë këtij realiteti Partia Demokratike duhet të vijojë bashkimin dhe hapjen e saj ndaj kujtdo që është i gatshëm t’i bashkohet betejës, kundër krimit drogës dhe votës së lirë.

“Kanë paratë, kanë drogën, kanë një polici që e kanë inkriminuar dhe çfarë do tjetër që nuk kanë duan ta shtinë në dorë. Pse? Sepse kanë një ankth që iu zmadhohet ditë për ditë, ndërkohë që iu zvogëlohet ditë për ditë mbështetja popullore.

Lufta jonë, përpjekja jonë do të kurorëzohet me sukses vetëm përmes bashkimit, bashkimit në respekt të diversitetit. Në këtë parti nuk ka, përveç atyre që vendosin vetë me vullnetin e tyre, nuk ka njerëz të tepërt. Hapja ndaj çdo kujt që  do të jetë pjesë e këtij fronti pa asnjë paragjykim për votën e lirë, për luftën kundër krimit, për luftën kundër drogës. Kushdo që do të vijë në këtë betejë është i mirëseardhur, është i mirëpritur, do ta mirëpresim, do ta mirëprisni e do të hidhemi bashkë me ta në betejë. Kjo duhet të jetë një aksiomë”.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 30 shtator 2016