Partia Demokratike dhe unë personalisht jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që zëri qytetar të vendosë për çështje të interesit publik, jo vetëm për çështjen e plehrave. Dhe kjo nuk është më çështje e zhvillimit të një sektori , apo e një trajtimi mjedisor, është çështje e një modeli të ri shoqëror dhe politik që duam t’i ofrojmë shqiptarëve. Partia Demokratike është e vendosur të kufizojë pushtetin shtetëror dhe të fuqizojë qytetarët.

  • I kërkojmë Presidentit të Republikës mos dekretimin e projektligjit dhe kthimin e tij në Kuvend.
  • Do të bëjmë gjithçka që grupi ynë parlamentar ka në dorë për të penguar kalimin e këtij ligji për herë të dytë në Kuvend.
  • Ne po shqyrtojmë edhe ushtrimin e të drejtës parlamentare për ti kërkuar Kuvendit që të miratojë një referendum për ndalimin e importit të plehrave. Kërkesë që kërkon nismën e 28 deputetëve dhe pastaj miratimin e  Kuvendit.

Ligji i plehrave nuk vjen për të ringjallur industrinë e falimentuar të riciklimit, por për interesa mafioze të Edi Ramës, Damian Gjiknurit, Arben Ahmetajt dhe mafies ndërkombëtare të plehrave.

Kryeministri mburret se do ta kalojë vetëm nga porti i Durrësit, po a nuk është porti i Durrësit ku kaloi makina e Emiljano Shullazit e blinduar dhe me armë dhe askush nuk ngriti gishtin. A nuk është porti i Durrësit nga nisen tonelatat e drogës për në BE?!

Në kushtet e sotme kur qeveria ia ka dorëzuar kontrollin e territorit mafias së drogës dhe kriminelëve me të cilët bashkëqeveris, me kushtet ku ndërtohen pista avionësh, aerodromë droge, është akoma më emergjente ndalimi i këtij ligji.

 

Konferenca për shtyp e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha

 

Sot kryeministri i quajti qytetarët që kundërshtojnë ligjin për importin e mbetjeve sharlatanë, ndërsa ricikluesit heronj. Tre vite më parë kur i duhej të vinte në pushtet heronjtë ishin qytetarët, protestuesit që u ngritën kundër ligjit “Për importin e mbetjeve”  dhe këta qytetarë e sollën në pushtet.

Sot që është në pushtet, qëllimi i tij është pasurimi me çdo kusht. Ndaj qytetarët që ishin heronj janë bërë të bezdisshëm. Tani që është në pushtet të mençur, të ditur me integritet për Edi Ramën janë vetëm klientët e tij, janë të fortët, janë kriminelët që i sjellin para dhe vota.

Të mençur për të janë kriminelët që i ka bërë deputetë, i ka bërë kryetar bashkie, biznesmenët me katër klasë shkollë të cilëve po iu fal të gjithë Shqipërinë, kriminelët që i ka dekretuar të grabisin dhe rrëmbejnë gjithçka në pasuritë publike.

Pyetja që duhet të shtrojë çdo shqiptar është: Pse ndodhi ky ndryshim në tre vite?! Pse para tre vitesh qytetarët që kundërshtuan importin e mbetjeve ishin heronj dhe pse sot janë sharlatanë?!  Përgjigjet kanë filluar të dalin në pah.

“Open Data Albania” sapo ka publikuar një tender, një koncesion në Fier për djegien e mbeturinave i cili është hapur zyrtarisht në faqen e Prokurimit Publik akoma pa u futur në fuqi ligji.

Është maja e ajsbergut të një korrupsioni kriminal dhe mafioz që është arsyeja e vetme  pse Edi  Rama tre vite më parë bëri të anulohej referendumi duke anuluar ligjin për mbetjet dhe sot është avokati numër një i ligjit për mbetjet të cilin e kaloi në mënyrë të pabesë të enjten e kaluar.

Qëndrimi i PD është i qartë : Ne jemi kundër çdo lloj importimi të mbetjeve.

Së pari sepse ka një vullnet të qartë popullor kundër importit. Politika, qeverisja e  ushtrojnë vullnetin në emër të qytetarëve ndaj duhet t’i nënshtrohen vullnetit të popullit.Çështja e plehrave nuk është më në vullnetin e qeverisë, nuk ka qenë që prej momentin kur u mblodhën 64 mijë firma nga ata që dje Edi Rama i quante heronj dhe sot i quan sharlatanë.Çështja e plehrave është një çështje për të cilën nuk mund të vendosë më qeveria por duhet të vendosë populli.Asnjë justifikim, asnjë argument dhe asnjë arsye nuk mund të ushtrohet në shpërfillje apo në kundërshtim të këtij vullneti.

Të gjitha kushtet politike, ekonomike, sistemit të drejtësisë në Shqipëri bëjnë që importi të jetë i rrezikshëm dhe lehtësisht të futet në dorë të kriminelëve dhe mafies ndërkombëtarë të plehrave. Kjo është arsyeja e dytë.

Sot në Shqipëri ka një mungesë totale të rendit publik dhe të kontrollit nga qeveria.

Sot në Shqipëri ka korrupsion, kapje dhe kriminalizim të qeverisjes qendrore, qeverisjes lokale.

Sot në Shqipëri qeveria nuk garanton dot as cilësinë e produkteve ushqimore që importon. Ndërkohë nga ana tjetër në shumë vende, fqinje dhe të huaja kanë një situatë emergjente në lidhje me mbetjet e rrezikshme dhe të parrezikshme dhe ka interesa të mëdha për të larguar mbetjet nga këto vende drejt vendeve të tjera.

Kjo do të thotë që me miratimin e këtij ligji Shqipëria është kthyer drejtpërdrejtë në shënjestër të të gjithëve për të sjellë plehra këtu, mbetje të rrezikshme dhe të parrezikshme, përfshi këtu shënjestrën e grupeve kriminale ndërkombëtare, asaj që njihet si mafia ndërkombëtare e plehrave.

Ndaj rruga e vetme për t’i prerë rrugën një katastrofe kombëtare është ndalimi i importit të mbetjeve. Në këtë kuadër ne do të bëjmë gjithçka në aleanca me qytetarët që kjo çështje të mbyllet një herë e mirë.

Do të hedhim hapat tonë duke kërkuar:

  • Presidentit të Republikës mos dekretimin e këtij projektligji dhe kthimin e tij në Kuvend.
  • Do të bëjmë gjithçka që grupi ynë parlamentar ka në dorë për të penguar kalimin e këtij ligji për herë të dytë në Kuvend.
  • Do të shikojmë të gjithë hapësirën kushtetuese dhe rolin që deputetët tanë mund të luajnë brenda kësaj hapësire kushtetuese, për t’i dhënë qytetarëve një mundësi për tu shprehur. Sepse zëri i qytetarëve në këtë çështje duhet dhe do të dëgjohet.Ndaj për këtë qëllim ne po studiojmë edhe ushtrimin e të drejtës tonë, të drejtës parlamentare për të kërkuar Kuvendit që të miratojë një referendum për ndalimin e importit të plehrave. Kërkesë që kërkon nismën e 28 deputetëve dhe pastaj miratimin e  Kuvendit.

Duhet të bëj  një sqarim të rëndësishëm. Bashkimi Europian vendos standardet e menaxhimit të plehrave dhe mbetjeve brenda vendit por Bashkimi Europian nuk vendos kushtet apo detyrimet që një vend duhet patjetër të marrë plehra nga një vend tjetër. Kjo është një gënjeshtër e pastër që Edi Rama iu bën qytetarëve shqiptarë.

Ndaj ligjet, vendimet e miratuara në fshehtësi dhe në pabesi bëhen vetëm për interesa korruptive, për interesa kriminale. Kjo është arsyeja e miratimit të këtij ligji në shkelje të plotë dhe flagrante të qëndrimit të Edi Ramës para se të vinte në pushtet, në shkelje të plotë të qëndrimit të tij me anulimin e ligjit “Për importin e mbetjeve” pas ardhjes në pushtet, në përpjekjen  tij për të asgjësuar vullnetin e qytetarëve të cilët kishin dhe kanë të drejtën e tyre të shprehen për këtë çështje.

Edhe një herë e përsëris qëndrimi ynë është i qartë dhe i prerë dhe asnjë sharlatanizëm i tipit që vetë Edi Rama bëri sot nuk do t’i hedhë hi syve qytetarëve.

Dua të them se nuk kemi gjë me ricikluesit shqiptarë. E dimë që ricikluesve shqiptarë ju është rënë në qafë padrejtësisht dhe u çuan në zgrip të falimentimit, disa prej tyre falimentuan. Por dua tu them se ligji sot nuk po vjen për ju. Nuk vjen as për të ringjallur industrinë e falimentuar të riciklimit, as për të krijuar vende pune. Vjen për interesa mafioze të Edi Ramës, Damian Gjiknurit, Arben Ahmetajt dhe mafies ndërkombëtare të plehrave. Dhe kjo meriton ndaljen me çdo kusht, me çdo çmim të këtij ligji dhe efekteve shkatërruese dhe helmuese që kanë për Shqipërinë, për shqiptarët, për çdo qytetar shqiptar, për fëmijët tanë dhe për brezat që do të vijnë.

Pyetje: Z.Basha, ju folët edhe për idenë e një referendumi , por çfarë do të bëjë Partia Demokratike pas ardhjes në pushtet me ligjin?

Basha: Qëndrimi ynë për këtë ligj është i qartë. Partia Demokratike është kundër këtij ligji, Partia Demokratike e ka lexuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë. E lexoi edhe kur firmat u mblodhën edhe kur ligjit që ne kishim aprovuar në vitin 2013, u dekretua referendumi, do të respektohej vullneti i qyetarëve. Sot jemi në pozitat e një reflektimi të dyfishtë. Partia Demokratike dhe unë personalisht.

Dua të ndaj me ju dhe qytetarët shqiptarë një reflektim personal si kryetar i opozitës. Në kushtet dhe në dijeninë e plotë të rrethanave kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare gjykoj se ligji që ne propozuam për importin e plehrave ka qenë një vendim i gabuar. Jo vullneti. Mendoj se vullneti ka qenë një vullnet i drejtë për të disiplinuar dhe kontrolluar mbetjet e rrezikshme nga njëra anë, dhe për t’i dhënë frymëmarrje industrisë së riciklimit nga ana tjetër. Por edhe në ato kushte mendoj se levat e mafias ndërkombëtare do ta kishin bërë zbatimin e këtij ligji jashtëzakonisht problematik.

Sot kur kryeministri mburret se do ta kalojë vetëm nga porti i Durrësit, po a nuk është porti i Durrësit ku kaloi makina e Emiljano Shullazit e blinduar dhe me armë dhe askush nuk ngriti gishtin. A nuk është porti i Durrësit nga nisen tonelatat e drogës për në BE?! Në kushtet e sotme kur qeveria ia ka dorëzuar kontrollin e territorit mafias së drogës dhe kriminelëve me të cilët bashkëqeveris, me kushtet ku ndërtohen pista avionësh, aerodromë droge, është akoma më emergjente ndalimi i këtij ligji.

Ndaj qëndrimi që kemi sot, është edhe qëndrimi që Partia Demokratike do të mbajë nesër si mazhorancë, ndalim total të importit të plehrave.

Pyetje: Z. Basha, më dukeni si z. Rama në vitin 2013, pa i hequr asnjë presje. Dhe meqënëse jemi këtu, a mund të më thoni, përse në vitin 2011nuk e keni kundërshtuar asnjëherë ligjin e mbetjeve. Në programin e Partisë Demokratike të zgjedhjeve të kaluara nuk ka qenë kjo çështje fare. Përse nuk ka qenë kjo çështje. Ju keni deklaruar në një emision televiziv, kur ju jeni pyetur për këtë çështje, se është e pamohueshme se gjatë qeverisjes sonë 8 vjeçare, pesha e grupeve të caktuara të interesit për çështje të caktuara, kanë ndikuar në vendimmarrje të cilat jo gjithmonë kanë qenë në përputhje me interesin publik. Ligji i mbetjeve, ka qenë një nga këto raste? Nëse jo, cilat janë këto raste?

Basha: Dua të jem fare i hapur Elona me ty, me kolegët e tu dhe me ata që na ndjekin. Nuk mund të deklaroj se ligji i mbetjeve ka patur një prapavijë korruptive në kohën kur është miratuar nga qeverisja jonë.

Atë që mund t’ju them është se unë personalisht kam reflektuar për vendimin e marrë dhe ju them se nëse do të isha para këtij vendimi, vendimi do të ishte negativ. Përse? Rrethanat e diktojnë këtë. Një vend që shpall prioritet turizmin nuk mund të ketë prioritet në të njëjtën kohë importimin e mbetjeve. Duhet zgjedhje. Duhet të zgjedhim akoma më shumë kur strukturat tona shtetërore, vetë shteti ligjor, policia, doganat, gjyqësori, qeveria janë lehtësisht të korruptueshme apo të paafta apo të dobëta për ti bërë ballë presioneve të jashtëzakonshme që vijnë nga grupe të fuqishme të interesit siç është mafia ndërkombëtare e plehrave.

Pra po, ka një evoluim të qëndrimit të Partisë Demokratike dhe ka një reflektim timin personal në këtë drejtim. Ne besuam në atë moment se po vepronim në favor të interesit publik. Ngritja e mbi 64 mijë qytetarëve në këmbë ishte pa dyshim një këmbanë, një zile zgjimi për ne. Fakti që ne pranuam referendum, dekretuam referendumin ishte po kështu një shenjë e qartë se vendosëm të dëgjojmë zërin e qytetarëve.

Sot, më shumë se kurrë Partia Demokratike dhe unë personalisht jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që zëri qytetar të vendosë për çështje të interesit publik, jo vetëm për çështjen e plehrave. Dhe kjo nuk është më çështje e zhvillimit të një sektori , apo e një trajtimi mjedisor, është çështje e një modeli të ri shoqëror dhe politik që duam t’i ofrojmë shqiptarëve.

Që ta kuptojnë se këtu nuk ka dy parti që luftojnë për t’i zënë vendin njëra- tjetrës, por se Partia Demokratike është e vendosur të kufizojë pushtetin shtetëror dhe të fuqizojë qytetarët.

Dhe një nga mënyrat për ta bërë këtë, është pa dyshim dëgjimi i zërit të tyre, i interesit publik, siç është çështja e riciklimit. Nuk mjafton të dëgjojmë vetëm ricikluesit dhe vetëm fjala bie, grupet e ambientalistëve. Veçanërisht kur gjendemi para fakteve siç jemi sot, 64 mijë firma të mbledhura për referendumin që do të ndodhte tashmë të tradhëtuara dhe të quajtur në grup “sharlatanë”. Partia Demokratike dhe unë personalisht zotohemi të bëjmë gjithçka për të dëgjuar zërin e qytetarëve. Ky është angazhimi im, ky është angazhimi ynë dhe ky është fillimi i ri që besoj presin dhe duan të shohin qytetarët tek Partia Demokratike, tek opozita.

Pyetje: Zoti Basha, a do ti mbështesni qytetarët në protesta? Ata kanë paralajmëruar një tubim më datën 1 Tetor…

Basha: Padyshim që po. Protesta është e tyre, do të ketë mbështetjen tonë të plotë. Nuk do të ketë asnjë përpjekje për të zëvendësuar zërin e tyre. Opozita ka instrumentin e protestës, ka instrumentin e mbështetjes së protestës, ka instrumentin e ofrimit të rrugëve alternative në betejat e saj, sic do ta ofrojmë dhe në kuadrin institucional, sic e përmenda më herët.

Por protesta do të ketë mbështetje të fuqishme. Pse? Është bërë e qartë tashmë që ky është një shtet, kjo është një qeveri që i shërben vetëm interesave të klientelës së ngushtë dhe, për këtë  është e gatshmë të dëmtojë interesat e gjithë shqiptarëve, siç është rasti i plehrave, siç është rasti i drogës, siç është rasti i maturantëve. Çdo vendimi kësaj qeverisje  bëhet për ti marrë shumicës së qytetarëvem taksa të drejta, akses dhe për të favorizuar një grusht klientësh të kësaj qeverie. Prandaj aleanca me qytetarët dhe në vecanti,  protesta qytetare janë një ndër veglat, instrumentet e domosdoshme të përballjes me këtë rregjim.

Nuk bëhet fjalë më, për një demokraci as përfaqësuese, pjesëmarrëse jo që jo, por bëhet fjalë për një rregjim që merr vendime kundër shumicës, kundër zotimeve që ajo ka marrë në pabesi sic është rasti i mbetjeve, në shkelje të ligjit siç është rasti i maturantëve, në dërrmim të ligjit siç është rasti i drogës dhe çdo protestë e e qytetarëve ka patur , ka dhe do të ketë mbështetjen tonë.

Pyetje: Ju thatë që kryeministri Rama e ka marrë këtë vendim për shkak të interesave mafioze, por nuk thoni cilët janë mafiozët në këtë mes dhe përse duhet të besojmë fjalën tuaj dhe të mos besojmë që edhe ju keni marrë të njëjtin vendim për shkak të interesave mafioze në 2011?

Basha: Së pari, për këtë të dytën që the ne, vendosëm të dëgjojmë zërin e qytetarëve, aprovuam referendumin. U aprovua referendumi dhe ne vendosëm ti bindemi zërit të qytetarëve. Kishte një kontekst tjetër, ku synimi i qeverisë ishte për të disiplinuar procesin e ardhjes së  importit të mbetjeve. Këtu ka një kontekst tjetër. Këta njerëz që i quan sharlatanë firmosën për mosardhjen e mbetjeve, këta njerëz që i quan sharlatanë  firmosën të drejtën për referendum, Edi Rama erdhi dhe u tha; nuk ka nevojë për referendum, unë do ta anulloj. Pas tri vitesh po lëpin atë që pështyu, po pret në besë qytetarët. Pyetja që unë shtroj, që është pyetje dhe pastaj induksion logjik është, pse e bën këtë. Dhe është një pyetje edhe për ju. Pa dyshim që ne si opozitë kemi ngritur dhe vazhdojmë të ngrejmë denoncimet tona mbi bazë indiciesh dhe faktesh.  Fakti  i fundit sapo erdha këtu në këtë sallë dhe me siguri do të keni mundësi ta hulumtoni ne konferencën tuaj për shtyp, është ky tenderi i  Fierit, tani që bëhet akoma pa hyrë në fuqi ligji. Kemi faktetë tjera të cilat kanë dalë në sipërfaqe e që meritojnë hulumtim si afera e plehrave në Marok.

PD po i shqyrton të gjitha në bazë të fakteve, të dhënave që po publikohen,  e do të publikohen dhe do ta ndjekim me prioritet të madh këtë se bëhet fjalë për helmimin e njerëzve.  Bëhet fjalë për helmimin e tokës , ambjentit ushqimit dhe të ardhmes së shqiptarëve.

Ju ftoj po kështu, juve si media,  ndonëse në situatë jashtëzakonisht të vështirë të cilën e di shumë mirë, të vazhdoni të bëni punën tuaj, për të sjellë në vëmendje të qytetarëve të gjitha ato indicie, prova dhe fakte që vërtetojnë të vetmen arsye se pse,  Edi Rama në tri vite, ndryshoi 180 gradë. Heronjtë i quan sharlatanë dhe sharlatanët i bëri heronj.

Pyetje: Z Basha, në lidhje me çështjen e Fierit, unë i pashë dokumentat dhe bëhet fjalë për një koncension për mbetjet urbane të qytetit të fierit dhe jo të importuara, edhe për të prodhuar energji. A jeni ju dakord për të stimuluar industrinë e mbetjeve që në burim në Shqipëri?

Basha: Kjo nuk është pyetja që shtrohet sot. Pyetja është; a është ky impjant një pararendës i impianteve të tjera të cilët nuk do të bëjnë vetëm djegien e mbetjeve urbane të cilat janë katasfrofë.

Shko shiko Gjanicën ta shikosh se ku është situate me mbetjet urbane në Fier. Shko shiko deltën e Semanit dhe shikon se ku është situata me mbetjet në Fier. Do jem vetë sot në Fier. E kam parë sa herë kam qënë aty, qytetarët e kanë një problem të jashtëzakonshëm. Shikoni mbetjen e naftës që derdhen në lumenjtë e Fierit.

Problemi është: ky impiant a do të djegë edhe mbetje të cilat do të importohen në Shqipëri?! Me pretekstin e ligjit që sapo u miratua, por në shkelje të ligjit që sapo u miratua duke mbyllur syrin dhe duke mbyllur veshin, siç e mbyll syrin dhe veshin kryeministri Rama kur futet makina e Emiljano Shullazit me armë dhe e blinduar në Durrës. Siç e mbyll sot syrin Saimir Tahiri dhe Edi Rama kur kalojnë tonelatata e drogës nga Durrësi. Keni ju siguri që kjo nuk do të ndodhë?! A mund të besojnë qytetarët se kjo nuk do të ndodhë?! Ky është shqetësimi. Kjo është çështja. Ky është problemi. Dhe për këtë, qendrimi ynë është fare i qartë: ndalim i plotë i importit të mbetjeve.


 

Konferencë për media e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 26 shtator 2016