Sot është një ditë përgëzimi për kompaninë Statkraft e cila ka përfunduar veprën e parë të projektit “Hidropower Devoll”në hidrocentralin e Banjës. Është një ditë përgëzimi për një kompani e cila në vitin 2009, falë vizioni, planit dhe programit të qartë të qeverisë së Partisë Demokratike për energjitikën në vend, u kthye në investitorin më të madh të huaj në Shqipëri, në një sektor strategjik, siç është sektori i energjitikës.

Ky vizion që përfshinte taksat e ulëta, kushtet e përshtatshme për investitorët e huaj, sigurinë për ta dhe shpalljen e energjisë si prioritet absolut, bëri të mundur që Statkraft dhe partnerët e tyre të vinin në Shqipëri dhe të merrnin përsipër një ndër projektet energjitike më të mëdha në Europë.

Bashkë me përgëzimet dua të shpreh sot edhe mirënjohjen, edhe krenarinë tonë të ligjshme se kjo vepër do të përmirësojë situatën energjitike në vend dhe mbi të gjitha ka punësuar gjatë viteve të ndërtimit mijëra qytetarë shqiptarë. Po kështu, dua të shpreh kënaqësinë që pjesa e kontratës koncensionare e firmosur me qeverinë shqiptare të Partisë Demokratike për ndërtimin e një rrjetit rrugor si pjesë e koncensionit, sot është materializuar me një infrastrukturë tërësisht të përmirësuar për qytetarët, për banorët e zonës përreth hidrocentralit, kryesisht të bashkisë së Gramshit.

Devolli, bashkë me projektin tjetër të firmosur nga qeveria demokrate atë të TAP-it, kanë mbajtur gjallë investimet e huaja në vend edhe gjatë 3 viteve të qeverisjes Rama të cilat kanë qenë vite shkretëtire sa i përket investimeve të huaja dhe zhvillimit të ekonomisë.

Kjo konfirmohet nga të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë të cilat tregojnë qartë se në 6 mujorin e parë të këtij viti investimet e huaja kanë rënë edhe me 10 % më pak sesa 6 mujori i vitit të kaluar.

Sot, Edi Rama u mburr sikur të ishte noter province sepse i paska rregulluar kontratën investitorit.

Se sa investime ka bërë Edi Rama e dinë të gjithë. I thoni Edi Ramës të zbresë volumin e investimeve të “Hidropower Devoll”, të zbresë volumin e investimeve të TAP-it dhe të na tregojë sa është shifra e investimeve që ka sjellë në Shqipëri në këto 3 vite.

Është 10 herë herë më e vogël vit për vit se sa viti më i keq i investimeve në 8 vite paraardhëse. Dhe pse vjen kjo?!

Sepse ai është përkujdesur dhe ka mbështetur vetëm investimet e klientëve të tij që po zaptojnë gjithcka nga veriu në jug, nga bregu i detit në majat e maleve.

Investimet e tij të vetme janë fasadat, gjysma e parave të të cilave përfundojnë në xhepat e klientëve të tij. Dhe bumi i investimeve të tij është droga, është kthimi i Shqipërisë në një plantacion gjigand droge.

E vetmja gjë që do të kishte qënë e pamundur pa Edi Ramën është  kthimi i Shqipërisë në një hambar droge dhe lidhja e paktit me mafien e plehrave.


Deklarata per mediat e kryetarit te Partise Demokratike, Lulzim Basha, 23 Shtator 2016