Të nderuar anëtarë të KQZ

Vendimarrja e sotme vendos vulën përfundimtare në farsën zgjedhore që u luajt në Dibër në datën 11 Shtator, në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë Dibër.

Fatkeqësisht Dibra konfirmoi në një shkallë të paprecedentë më parë, nëpërmjet dhjetëra rastesh të faktuara e të denoncuara publikisht nga mediat, nga Partia Demokratike, nga qytetarë e madje dhe nga vetë rezultati përfundimtar, se qeveria Rama nuk është në gjëndje të sigurojë një garë elektorale sipas standardeve demokratike më elementare.

Aktivizimi i individëve me rekorde kriminale në shtabin elektoral të kandidatit Rama në Dibër, përfshirja masive e administratës publike me kërcënime apo premtime të lidhura me vendin e punës, pagesa në ‘cash’ për blerjen e votës, abuzimi me ndihmën sociale deri te përdorimi i forcave të policisë në mbështetje të kandidatit socialist, ishin disa nga fenomenet që karakterizuan fushatën zgjedhore për Kryetar Bashkie në Dibër.

Partia Demokratike dhe aleatët e saj e ngritën alarmin mbi manipulimin elektoral që po përgatitej në Dibër, qysh në fillim të shatorit, kur denoncuan në prokurori, me emra të përvecëm, me prova dhe fakte, gjithë grupin e strukturuar kriminal të cilët në emër dhe për llogari të pushtetit kërcënonin, blinin, shantazhonin votuesit dibranë.

Të gjithë e panë qartë se në Dibër nuk pati zgjedhje, por betejë me krimin të bërë njësh me pushtetin. 

Makineria e pushtetit funksionoi me të gjithë peshën dhe ingranazhet e saj jo vetëm për të siguruar fitoren e kandidatit të majtë në këto zgjedhje, por për të perfeksionuar skemën që synon të përdorë në 2017, për të vjedhur dhe manipuluar dhe ato zgjedhje.

Dibra provoi edhe një herë në qoftë se ishte e nevojshme, se, me Edi Ramën nuk ka dhe nuk do të ketë ndonjëherë zgjedhje!

Rasti i Bert Agës, që është kallzuar penalisht nga Partia Demokratike me 1 shtator si anetar kryesor i grupit të strukturuar kriminal i cili në abuzim të detyrës së shefit të Komisariatit të Peshkopisë, ushtroi presion ndaj zgjedhësve dhe ofroi mbështetje logjistike dhe mbrojtje ekstraligjore për operacionin e shperndarjes së parave në këmbim të votave, apo i Admir Trupes, Shefit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë Dibër, i cili ka shpërndarë lekë në këmbim të votave, janë raste domethënëse, se si në Dibër u shit dhe u ble vota.

Akoma më domethënëse janë rastet kur me zë e me figurë media dëshmoi se ishin të afërmit e kandidatit të majtë ata të cilit udhëhiqnin pazarin e votës, së bashku me “komisarë partie”, si Nuri Meda, administratori i njësisë Tomin, i cili krahas shpërndarjes së parave të thata në shkëmbim të votës rreshtonte në bllokun e tij qindra premtime për punësim në arsim, shëndetësi, polici etj.

Ne i kuptojmë por nuk i mirëkuptojmë ata 17 qytetarë të cilët i kemi denoncuar si të kapur duke fotografuar votën, ashtu si dhe ata qindra të tjerë të cilët nuk u evidentuan, se nuk arritën ti bëjnë dot ballë presionit me vendin e punës, me ndihmën ekonomike dhe me bukën e gojës.

Të gjitha sa më sipër duhet të ishin në fokusin e punës dhe të përgjegjësisë tuaj si organi më i lartë shtetëror i ngarkuar me barrën e organizimit dhe të mbarëvajtjes së zgjedhjeve, por konstatojmë së fatkeqsisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka asnjë mundësi të frenojë shkatërrimin e procesit zgjedhor, sic po vërehet nga zgjedhjet në zgjedhje.

Përsëritja e vazhduar e këtyre fenomeneve elektorale, paralelisht me kriminalizimin e qeverisjes dhe të proçesit zgjedhor, në veçanti në zonat rurale të vendit, kërkon në mënyrë urgjente marrjen e masave rrënjësore për organizimin e zgjedhjeve të lira e demokratike në Shqipëri.

Ne kemi qenë dhe mbetemi të bindur së zgjedhjet e lira dhe të ndershme nisin me cmontimin e kupolës kriminale në qeveri.


Fjala e Sekretarit për Zgjedhjet, Ivi Kaso, sot në KQZ, 20 shtator 2016