Ju dëgjoj të thërrisni fitore dhe fitore do të jetë për Dibrën e çdo dibran. Shoh në sytë tuaj entuziazëm dhe shpresë, optimizëm dhe vendosmëri. Dhe kjo është energjia dhe bekimi i vërtetë, bashkimi për Dibrën dhe dibranët.

Do të doja të ndaja me ju një zemër të gëzuar. Por e vërteta është se me gjithë gëzimin dhe optimizim e fitores që shoh në sytë tuaja e ndjej në zërat tuaj, vij sot këtu me një zemër të rënduar nga dhimbja, nga trishtimi. Kemi qenë bashkë në këtë muaj në çdo cep të Dibrës, në çdo fshat e lagje të qytetit.

Kam qenë në këto tre vite në çdo cep të Shqipërisë, në çdo fshat e çdo qytet, kudo është shtuar varfëria dhe shkaku është elita e korruptuar politike që grabit shumicën për t’ia dhënë pakicës.

Kudo ka izolim, ka prapambetje, ka vuajtje dhe i vetmi shkak për këtë është korrupsioni dhe keqqeverisja.

Anembanë Dibrës dhe Shqipërisë ka papunësi të skajshme, pasiguri për të nesërmen, pamundësi dhimbëse si ato që Sherefedini i përmendi e që i ka prekur dhe ndjerë në çdo takim me dibranët e dibranet në oda, në ara, në kodra, sheshe dhe salla.

Ka papunësi të skajshme dhe shkaku është shpërfillja, braktisja dhe arroganca nga ata që Agim Kaca i përmendi këtu si socialist i ndershëm dhe mijëra të tillë si ai.

Nga ata që 3 vite me pare  i besuan Edi Rames me shoke se do të sillnin ndryshimin. Por i vetmi ndryshim i mirë që sollën ishte për veten e tyre dhe familjen e tyre. Dhe ndryshim negativ për mijëra e mijëra familje të ndershme dibrane demokratë dhe socialistë.

Ky është realiteti vëllezër e motra.

Dhe sot nga ky shesh i entuziazmit dhe i fitores dua t’ju them atyre që na ndjekin përmes ekranit se realitetin duhet ta shohim ashtu siç është, pa zbukurime, pa gënjeshtrat e qeverisë.

Ju e keni parë fytyrën e vërtetë të pushtetit dhe e njihni më mirë se kushdo tjetër. Keni parë banda që vijnë vërdallë, banditë të importuar që sillen si çamër por që s’kanë asgjë të përbashkët as me çame, as me kosovarë, as me dibranë, as më lebër por janë horra dhe banditë.

Kë përfaqësojnë vallë këta kriminelë?!

Mos përfaqësojnë vallë Partinë Socialiste?! Nuk e besoj. Ata nuk përfaqësojnë socialistët e ndershëm. Unë i kam takuar ata, ne bashkë i kemi takuar, patëm privilegjin t’i dëgjojmë nga afër këtu para disa ditësh dhe sot përfaqësuesit e tyre folën këtu në shesh të burrave para jush.

E treguan publikisht socialistët e ndershëm, kundërshtarët tanë politikë se ata nuk ndihen të përfaqësuar, ata dolën sot në këtë shesh, siç dolën para disa ditësh në mes të Peshkopisë për t’i thënë çdo dibrani: Socialistët e ndershëm të distancohen nga krimi!

Kë përfaqësojnë vallë këta kriminelë?!

Përfaqësojnë vetëm Edi Ramën dhe janë këtu sepse duan Bashkinë e Dibrës si plaçkë. Që ta coptojnë e ta ndajnë mes vete. Duan tenderat, emërimet korruptive, duan ta mbjellin me drogë cep më cep e të korrin fitime për vete e për bandat.

E keni parë gjithë këtë kohë fytyrën e pushtetit, duket në kodrat e mbushura me drogë ku dibranët nuk shkojnë dot, ku fshatarët janë ndaluar të shkelin, të presin dru apo të çojnë dhentë dhe bagëtitë e tyre.

Me drogë dhe banditë përfaqësohet Edi Rama sot në Dibër.

Por ai ka ardhur këtu dhe është ulur këmbëkryq edhe në forma të tjera, me mënyra të tjera, njësoj të barabarta e kriminale.

Duke shtuar varfërinë, duke shtuar papunësinë, duke shtuar mjerimin tuaj, duke ju rritur faturat të energjisë elektrike, të ujit, duke ju rritur taksat, duke ju rritur barrën e rëndë që çdo familjar duhet të mbajë deri sa nuk e sheh dot në sy fëmijën e vet.

Mbylli universitetin dhe ju hoqi të rinjve dibranë një mundësi të mirë për t’i dhënë drejtim të ardhmes së tyre me kosto shumë të ulta.

Mbylli projektin e Rrugës së Arbrit, e varrosi atë duke lënë mbi 100 mijë dibranë në izolim e në arrest. E ndaloi projektin sepse nuk i interesonte Dibra, nuk i interesonin dibranët, donte vetëm të merrte milionat e qeverisë kineze, ai  dhe vetëm ai.

Bëri plane në hotelet luksoze të Stambollit, në avionët privatë të Arben Ahmetajt për Skavicën, pa pyetur askënd, as në Dibër, as në Tiranë sepse do të përmbytë dhe zhvendosë gjysmën e Dibrës, gjysmën e dibranëve nga pronat e tyre dhe t’i çojë refugjate.

Cili dibran nuk e di se ai i jep Bashkisë së Dibrës, edhe tani që kryetarin e kishte të zgjedhur vetë, 4 herë më pak para në vit sesa ç’i jep Sadri Abazit, 5 herë më pak në vit se sa ç’shpenzon për avionët e tij privatë dhe për biletat e avionit për qeverinë?!

Asnjë lopatë dheu nuk e lëvizi për Rrugën e Arbërit. Kontratën e tunelit e kishte mbi tavolinë, sot erdhi me një fjalim ordiner, me gënjeshtra ordinere që nuk meriton t’i dëgjojë asnjë shqiptar e aq më pak dibranët e zgjuar që të japin ujë në bisht të lugës.

Dhe e mbani mend. 12 herë e premtoi, 12 herë e premtoi por e prishi se iu prish pazari.

Nuk ka lek, ju tha. Nuk ka lek për Dibrën, sepse lekët për Dibrën bëhen rrush e kumbulla nga një njeri i vetëm i cili me tenderat që merr dhe vetëm me fitimin e këtyre tenderave do të mjaftonin për të futur në ndihmë ekonomike të gjitha familjet dibrane pa përjashtim.

Këto të gjitha ju i dini e unë nuk dua të zgjatem.

Por, dua të flas hapur me ju në këtë shesh dhe me mijëra të tjerë që na ndjekin përmes ekranit.

Ndaj me ju atë që ndjej, jo vetëm si kryetar i opozitës, por edhe si njeri, si qytetar, si prind dhe si bir nëne. Problemet e Dibrës janë të mëdha. Ato duan kohë, punë dhe kurajë që të zgjidhen. Ato duan njerëz që i dinë problemet, i njohin problemet, i ndejnë problemet dhe dinë t’i zgjidhin, duan t’i zgjidhin dhe do t’i zgjidhin.

Dhe i tillë është Sherefedin Shehu, biri juaj. Dibrani shembullor që ngërthen në vetvete tre veçoritë për të cilat kombi çmon Dibrën dhe dibranët. Mençurinë, punën  dhe ndershmërinë, si prind, si familjar, si ekonomist, si menaxher, si politikan dhe nesër me votën tuaj, si kryetar i ardhshëm i Bashkisë së Dibrës.

Problemet janë të mëdha, por ato janë të zgjidhshme. Ndaj këto muaj Sherefedin Shehu ka bërë takime në çdo fshat të Dibrës, në çdo komunë të saj, për t’ju treguar se si, me zemrën që ndjen me zemrat tuaja, me eksperiencën e çmuar dhe besimin që ka nga shqiptarët dhe institucionet ndërkombëtare, mund të ndihmojë që jeta juaj të jetë pak më e lehtë, mund të ndihmojë që jeta juaj të jetë pak më e mirë.

Është e mundur që Dibra të dalë nga izolimi, është e mundur që Dibra të dalë nga varfëria, është e mundur që Dibra të ketë një të ardhme të denjë për veten e saj dhe për fëmijët.

Por për këtë gjërat duhet ti themi troç. Duhet ta shohim realitetin siç është e të mos mashtrohemi.

Ndaj së pari i bëj thirrje çdokujt që nuk është akoma mendjendarë në atë pakicë, sepse shumica e ka ndarë mendjen për 11 shtatorin. Mos u gënjeni nga propaganda. Mos u gënjeni nga mashtrimet. Mos u bëni viktimë e parasë. As e presionit për t’ju marrë votën.

Ata që sot duan t’ju blejnë votën, ata do t’jua marrin me dhunë nesër gjithçka që keni. Nderin, pasurinë, të ardhmen. Ata nesër do ju nëpërkembin, do ju shpërfillin, e do ju përçmojnë.

Ata që sot nuk duan t’ju lënë të zgjidhni me vullnetin e lirë, nesër nuk do t’ju pyesin për asgjë.

Vëllezër dhe motra,

Dibra është bërë në mënyrë të pamerituar arena ku po bëhet prova për rrëmbimin me lek dhe krim të zgjedhjeve të vitit 2017.

Edi Rama i ka dhënë liri krimit, të bëjë çdo gjë në Shqipëri. Të vjedhë, të vrasë, ta kthejë Shqipërinë në Kolumbinë e Europës.

Si shpërblim ai i ka kërkuar kriminelëve që të qëndrojë në pushtet duke vjedhur votat tuaja, duke vjedhur zgjedhjet.

Ne do t’i themi ndal këtu, në Dibër. Ndal në emër të Dibrës. Ndal, në emër të çdo shqiptari të ndershëm këtij bashkëpunimi kriminal, kundër lirisë, kundër njerëzve, kundër demokracisë, kundër vlerave.

Ne nuk do të lejojmë që në pushtet të vijnë përfaqësues të krimit që nesër me hir e me pahir do t’i shërbejnë atij. Nëse i lëshojmë krimit politikën, Shqipëria do të shuhet një herë e mirë.

Dje ambasadori amerikan bëri thirrje që të largojmë vrasësit, trafikantët, dhunuesit nga parlamenti dhe nga bashkitë. Ju keni shansin ta bëni të parët.

Mos e lejoni qytetin tuaj të bjerë preh e krimit, mos e lejoni drogën në tokat tuaja, në shtëpitë tuaja. Mos ju jepni fëmijëve të ardhmen e drogës.

Unë e di që varfëria, frika, joshja bëjnë punën e tyre, por sot dua t’ju them se e di që jeni kurajozë, jeni të matur, jeni trima, jeni të vendosur.

Nuk është e largët dita kur gjerat do të kthehen për të mirë.

Partia Demokratike, aleanca jonë e zgjeruar dhe e bashkuar do të punojnë për këtë ditë, për Dibrën dhe gjithë Shqipërinë.

Ndaj ju premtoj 3 gjera.

Ju premtoj një kryebashkiak të ndershëm që do të punojë vetëm për ju siç ka punuar tërë jetën për të mirën publike. Një kryebashkiak që nuk do të jetë peng as i grupeve kriminale, as i biznesmenëve të pangopur. Sherefedin Shehu ka shërbyer në shtet dhe ka një jetë faqebardhë. Nuk ka për ta nxirë faqen tani që po i zbardhen flokët. Thinjat e tij janë jo vetëm garancia e ndershmërisë dhe pjekurisë por edhe dashurisë dhe përkushtimit për ju dhe Dibrën.

Ju premtoj se së bashku të bashkuar siç jemi sot edhe më shumë do të fitojmë zgjedhjet e vitit që vjen dhe së bashku do të zgjidhim problemet më të mëdha që ju keni; izolimin për shkak të mungesës së infrastrukturës, papunësinë për shkak të mungesës së çdo lloj mbështetjeje për ju e për bujqësinë në veçanti. Ju jap fjalën se atë që bashkë nisëm, bashkë do ta përfundojmë me ndihmën e Zotit dhe dibranëve dhe gjithë shqiptarëve, Rrugën e Arbrit, rrugën e bashkimit.

Ju premtoj ju dhe përmes jush këtu në Dibër çdo shqiptari, nga jugu në veri, se Partia Demokratike dhe unë, se çdo anëtar i koalicionit tonë të vlerave do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë dhe çdo sakrificë për ta kthyer pushtetin tek ju, për ta kthyer fuqinë tek njerëzit, për tu sjellë ju në pushtet. Ne do të bëjmë gjithçka që të keni zërin tuaj, mundësitë tuaja të ndershme, dinjitetin që meritoni.

Pra, vëllezër e motra, dibrane e dibranë, zgjedhja juaj është e thjeshtë

Mes të mirës e së keqes,

Një zgjedhje midis integritetit dhe krimit,

Një zgjedhje mes njeriut të lirë dhe njeriut të kapur,

Një zgjedhje mes atij që do ti shërbejë Dibrës dhe shërbëtorit të mafias,

Një zgjedhje mes atij që do të punojë për Dibrën dhe dhe ta shfrytëzojë atë

Dhe ndaj jam i bindur se zgjedhja juaj quhet Sherefedin Shehu.

Kam një mesazh për çakejtë dhe orlat e Edi Ramës që sillen vërdallë. Mos guxoni të prekni një votë të vetme. Mos fusni duart në vullnetin e sovranit se do të jetë një përgjegjësi që nuk do tua mbajnë dot gjunjët.

Ne opozita, Partia Demokratike, vëzhguesit, njerëzit tanë, jemi të pranishëm kudo. Ne jemi garancia se vota nuk do të preket, se Dibra do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Se Dibra është dhe do të jetë e dibranëve dhe jo e trafikantëve,

e punës dhe jo e drogës,

e dinjitetit dhe jo e nëpërkëmbjes.

Dibra është e burrave e grave të saj, e bijëve të saj më të mirë. Nuk ka qënë, nuk është dhe nuk do të jetë e plaçkë e Edi Ramës.

Ndaj dhe ti japim së bashku fund këtu nga Dibra politikës së përçarjes që i shërben një pakice të babëzitur duke plaçkitur dhe robëruar një popull të tërë. Le ti themi së bashku nga Dibra; jo mashtrimit, jo plaçkitjes, jo krimit, jo drogës.

Le ta fillojmë nga Dibra ndryshimin që do ta çojmë në të gjithë Shqipërinë për të rikthyer jo thjeshtë dhe vetëm Partinë Demokratike, por qytetarët shqiptarë në pushtet dhe në qeverisje.

Së bashku të ngjallim shpresën e vrarë, ti sjellim mundësitë e mohuara, të sjellim mirëqënien. Si thoni o rini e Dibrës, ju që e nisët këtë fushatë me zjarrin e zemrave tuaja?! Ju që e bënë natën ditë. Ju që keni ndezur rrezen e shpresës në çdo zemër dibrane, në çdo zemër shqiptare. Le të bëhemi kjo rreze drite të dielën e 11 shtatorit duke votuar për Dibrën dhe dibranët, Sherefedin Shehun kryetar bashkie.

Me Zotin para!

Rroftë Dibra.

Rroftë Shqipëria.

Rroftë Liria.


Fjala e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në mbylljen e fushatës në Dibër, 9 Shtator 2016