Prosperiteti dhe të drejtat e pronës janë të lidhura pashmangshmërisht me njëra tjetrën. Nuk mund të kemi prosperitet, në një ekonomi të lirë tregu, nëse politikat e një vendi shpërfillin një nga të drejtat parësore të individit; atë të pronës. Liria për të shfrytëzuar pronën sipas asaj që të zotit të saj i duket më e arsyeshme është një nga shtyllat mbi të cilat ekonomitë por edhe politikat e Evropës që ne sot rrekemi t’i bashkohemi. Unë e di që ndoshta mund t’ju duket koncept shumë i djathtë, të paktën për rekordet e kësaj qeverie. Po janë të gjitha të lidhura, prona, liria ekonomike, zhvillimi.
Kjo do të thotë që në një shtet të së drejtës, në një shtet që zbaton rregullat dhe parimet demokratike sipas konventave Europiane të të Drejtave të Njeriut. Një shtet i tillë, duhet t’u sigurojë pronarëve të drejtën e tyre për të zotëruar, shfrytëzuar dhe trashëguar pronësinë në mënyrë të lirë.
Por a është ky shteti i rilindjes? A është kjo esenca e rilindjes sa i takon respektimit të një prej lirive më themelore të njeriut?
Për një shtet të së drejtës dhe bazuar në ekonominë e tregut, liria e individit është e bazuar në të drejtën e tij për të zotëruar pronën. Ndërsa për rilindjen, liria e individit është e bazuar në dëshirat e oligarkut strategjik.
Në një shtet të së drejtës, ndalimi i një personi për të gëzuar pronën private është një shprehje dhune dhe force ndaj lirisë së individit madje edhe vetë njeriut. Ndërsa në shtetin e rilindjes, ndalimi me dhunë në një të drejtë që ta sanksionon kushtetuta nuk është se vetëm zhvillim i domosdoshëm i portofolit strategjik të oligarkut në krah të qeverisë.
Dhe këtë nuk e them unë nga vetja ime, por e thotë neni 28 i Ligjit për Investime Strategjike, të cilin ky parlament i kthyer në noter, dëshmon që rilindja ka rregulla të tjera loje.
Ri dëgjojeni edhe një herë se çfarë thotë ky nen në ligjin për Investimet Strategjike “për të mundësuar zhvillimin dhe realizimin e projekteve investuese strategjike lejohet shpronësimi për interes publik, i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private”. Siç e kam thënë nga ky vend, ditën që është miratuar ky ligj duke paraqitur edhe amendamentet edhe për këtë nen, një ligj i tillë asnjëherë nuk do të ndihmojë zhvillimin e ekonomisë. Përkundrazi, do të nxisë dhunë dhe largim të investitorëve real ndërsa do t’u falë tokat e qytetarëve, pronat e pronarëve oligarkëve strategjik të rilindjes.
Gati një vit e gjysmë pas asaj seance, të gjithë ne jemi dëshmitar të largimit të firmës ONMIX me një investim 450 milionë USD dhe me 1200 vende pune tanimë të mbyllura. Nga ajo që kuptohet nga e gjithë kjo histori e paprecendentë, është se heshtja deri në krye të qeverisë na lajmëron se mafia edhe kodi i saj mund të kenë larguar dhe vendosur damkën Shqipërisë. Një damkë që asnjë ligj investimesh nuk mund ta cc’bëjë, një damkë që nuk do të groposë milionat e dollarëve që firma do të shtonte në tregun tonë të varfër por që do të groposë edhe investimet e tjera të huaja.
Por kjo, një qeverie të lidhur ngushtë me aksionet e oligarkëve nuk i intereson, sepse ajo konsideron investim strategjik vjedhjen e pronave në jugun e vendit.
Qeveria e sotme, sicc edhe ministrat propagandojnë në studio televizive, është e interesuar në investimet strategjike por në fakt nuk ka asnjë politikë reale për thithjen e investitorëve. Megjithëse, rilindja sot e kësaj dite, ironikisht, përfiton nga investitorët strategjikë që jo më larg se dje lajmëruan përfundimin me sukses të një tjetër investimi para rilindjes.
Kjo qeveri në këtë mandat kaq të shkëlqyer sa investitorë strategjik ka sjellë? Ky grup ministrash që flasin mjaft mirë gjuhën e huaj, sa investitorë seriozë si Stratcraft kanë sjellë?
Sa investirorë strategjikë që sjellin rritjen ekonomike si TAP ka sjellë kjo qeveri që po zhvillon dita ditës vendin?
Rezultati i bilanceve është një hiç i madh, të cilin megafoni i propagandës e paraqet në të kundërt.
Sot vendi është rreshtuar në vendet e fundit sa i takon zërit të respektimit të pronës në Raportin e fundit të Lirisë Ekonomike 2016 të Fraser Institute dhe nëse ndokush nga qeveria sot krenohet se jemi rritur me 20 vende do t’i kujtoja se ato 20 vende nuk vlejnë asgjë në krahasim me zërin më të rëndësishëm në një ekonomi tregu. PRONA PRIVATE!
Sundimi i ligjit përmes mbrojtjes së jetës dhe pronës private është kushti kryesor për të krijuar një shoqëri më të mirë dhe të lirë. Nuk mund të kemi një zhvillim ekonomik nëse sot e drejta e pronës nëpërkëmbet për interesa personale të një kryeministri që do të qerasë miqtë e paradhomës dhe bashkë aksionarët e rilindjes.
Por a mund të flasim për një shtet të së drejtës kur një investitor rrihet për vdekje edhe më pas largohet me 1200 vende pune dhe 450 mln USD investime, duke lënë damkën e vendit që nuk duhet investuar? A mund të flasim për një shtet që respekton pronën private kur pronarët e tokave hidhen në det ndërkohë që qeveria krenohet me “investime strategjike” që i shkojnë oligarkëve strategjikë? A mund të flasim për zhvillim ekonomik kur pasuri si Karpeni i shkojnë kompanive fantazmë me një buxhet qesharak?
JO! Po si është e mundur pra, që kjo qeveri nuk flet asnjë fjalë për gjithë sa më sipër?
Për mua, ka një arsye të thjeshtë. Hajdutët nuk kanë pse të shpjegojnë aktin e vjedhjes ai ndodh sepse ato e kanë ves vjedhjen. Kjo mazhorancë ndoshta e ka detyrimin t’i përgjigjet votuesve të saj në jug apo veri të vendit, për vjedhjen e pronave përmes nenit 28 të Ligjit mbi Investimet Strategjike. Por kjo qeveri nuk ka ndërmend për asnjë moment të argumentojë se përse shqiptarëve sot u mungon liria për të gëzuar pronën e tyre e rrjedhimisht për të pasur mundësinë për ta shfrytëzuar atë.
Bjerrja e vazhdueshme e investimeve në këtë vend është një prodhim i qeverisjes rilindase, prodhim i një kryeministri që nuk e kupton se ekonomia dhe vendi s’mund të jenë pengje të pikturave të tij. As pengje të babëzisë së oborrtarëve të tij. Investimet në këtë vend kanë ngelur në dorë të një qeverie që nga paaftësia apo dashakeqësia vendosi gjobën prej 57 mln eurosh ndaj një kompanie si Bankers. Një gjobë për të cilën sot janë tërhequr dhe nuk kanë ndërmend për ta ccuar në apel, e jo vetëm kaq..por nuk kanë marrë asnjë masë administrative për personin që vendosi këtë gjobë marramendëse abuzivisht.
Dhe arsyeja e heshtjes së qeverisë dhe kryeministrit Rama për këtë gjobë, është e lidhur drejtë për drejtë me Besnik Sulën. Njeriun i cili sot e kësaj dite përmes një kompanie fantazëm kontrollon edhe rafinerinë e Ballshit edhe atë të Armos. Një nga oligarkët e kësaj qeverie, të cilit i është dhënë një pasuri kombëtare ndonëse biznesi i tij në mes të Tiranës (edhe ky i falur nga ish kryebashkiaku Rama) sot është nën sekuestro për shkak të detyrimeve të pashlyera.
A është ky biznesmeni i cili do të paguajë punëtorët e ARMOS si dhe detyrimet e prapambetura të saj tek shteti?!
Ky lloj biznesmeni është në fakt biznesmi strategjik i Rilindjes dhe kësaj mazhorance. Biznesmena fantazëm që fshihen me lloj-lloj pseudonimesh nëpër ishujt e parajsave fiskale. Jo më kot nën këtë qeveri numri i kompanive nga këto vende është rritur madje edhe eksportet në këto vende janë rritur ndjeshëm nga 2014 e këndej..të paktën sipas raporteve të INSTAT.
Fridrik Hajek në veprën e tij “Rruga drejt Robërisë” ndërsa analizon ato sisteme që sillen pandjeshmërish ndaj pronës private shprehet se “Prona private është garancia kryesore e lirisë, jo vetëm për pronarët por edhe për ato të cilët nuk e zotërojnë atë.“
Është prona të nderuar kolegë, që nuk i jep mundësinë askujt brenda apo jashtë kësaj salle t’ju kontrollojë mendimet dhe veprimet tuaja. Sepse nëse ju, do t’i jepni pushtetin e pronës dhe lirisë suaj duarve të një personi apo grupi personash, pak rëndësi ka në është “socialist” apo “rilindas” sepse ai në fakt do të jetë pronari i cili ushtron kontrollin e tij të plotë mbi secilin prej nesh dhe mbi secilin prej jush.
Prandaj jeni ende në kohë për të shpëtuar veten dhe mendjet tuaja nga një Republikë Kanabisi që për pronar të gjithçkaje do të ketë një njeri…atë të cilin sot i thërrisni “Udhëheqësi jonë”!
Por nëse juve, do të vazhdoni ta ushqeni veten me iluzionet se jemi mirë, se po zhvillohemi, se kemi rritje ekonomike, se kemi rritje të punësimit e gënjeshtra të tilla. Do të jenë shqiptarët që këtë mundësi, jam e bindur që do ta shfrytëzojnë pas pak muajsh. Ku përballë do të kenë alternativën aktuale të robërimit dhe alternativën e lirisë dhe zhvillimit të pronës. Sepse për Partinë Demokratike, prona dhe të zotët e saj janë të shenjtë dhe jo më plaçkë beteje për të kënaqur pasionet oligarke të cilitdo që do të zaptojë trashëgiminë apo mundin e çdo qytetari.
E në fund dy fjalë për ligjin e mbetjeve. Mua më vjen keq për kolegët socialistë që sot ndodhen në këtë pozitë të vështirë. Me vjen keq që mbas 3 vitesh nuk ka ngelur asgjë nga ajo që keni premtuar, shpresuar e besuar. Nuk do të doja të isha në pozitën tuaj, e me aq sa e njoh veten nuk do të jem ndonjëherë në këtë pozitë.
Por duke qenë se kam vizituar shumë kompani serioze riciklimi, e duke ditur situatën në Sharrë them se sot JO për importin e mbetjeve duhet të jetë me e fortë se dje.
Fjala ne Kuvend e deputetes Jorida tabaku, 22 Shtator 2016