I nderuar z kryetar i seancës

Të nderuar deputetë

Të nderuar qytetarë

Kuadri ligjor mbi riciklimin e mbetjeve, është kthyer sot në një prej pikave më të rëndësishme për shumicën e vendeve  të kontinentit tonë, sepse me të lidhet zhvillimi i qendrueshëm ekonomik por edhe ruajtja e mjedisit, duke bërë që edhe konventa ndërkombëtare si ajo e Bazelit ta përcaktojë atë, si një prej prioriteteve të vetë Bashkimit Evropian. E në një kohë kur bota e zhvilluar drejt së cilës orientohemi dhe duam të shkojmë e konsideron si një prej çështjeve më serioze dhe mbledh specialistët më të mirë të jurisprudencës mjedisore dhe të teknologjive ricikluese me qëllim që të hartojë strategji afatgjata, tek ne papritmas, pa asnjë konsulencë, pa asnjë diskutim publik të hapur, me kërkesë të tre deputetëve, na vjen ky projektligj.

Një projektligj  gjysmak, evaziv  në përmbajtje, ndërsa politikisht, duke pasur parasysh ndalimin që i bëtë tre vite më parë, mund të quhet edhe më qesharaku. Padyshim, ky projektligj do të mbetet një prej shfaqjeve më të qarta të hipokrizisë dhe amoralitetit politik të  kësaj mazhorance.Shumëkush ka pyetur veten se çfarë ndryshoi, pse erdhi ky projektligj po nga ata persona që e ndaluan më 2013?

Çfarë sjellin të re 4 nenet e këtij projektligji, të cilët ndryshokan thelbin e ligjit të 2011 për menaxhimin e integruar të mbetjeve, që lidhet dhe me importimin dhe riciklimin e tyre?

Cila qenka zgjidhja e deputetëve amendues që rikthyen ligjin e shumëpërfolur nga kjo mazhorancë, që  tre vite më parë e ndryshoi,  duke  ndaluar plotësisht importimin e mbetjeve dhe duke e shpallur këtë si një fitore e premtim të mbajtur prej saj?

Asgjë!

Madje ndryshe nga ligji i 2011, ku lejohej vetëm importimi i mbetjeve që i përkisnin listës së gjelbër, listë e çertifikuar dhe e vendosur nga Bashkimi Evropian, tani mbetjet që do të importohen miratohen nga ministri dhe kryeministri, siç thotë pika 9 e nenit 48/1 “Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton listën e mbetjeve, sipas pikës 1 të këtij neni,  që lejohen të importohen dhe rregullat për zbatimin e këtij neni, si dhe rregullat e trasparencës në lidhje me këtë import.”

Madje, pikën më kritike ku në çdo vend normal, standartet dhe rregullat  e importimit të këtyre materialeve miratohen me ligj në parlament, pika 10 e nenit 48/1  ia jep këtë të drejtë ministrit dhe kryeministrit: “Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton  rregullat dhe procedurat, për importimin mbetjeve për përdorim, përpunim, riciklim dhe si zëvendësues”.Kështu argumentohet se me vendimin e Këshillit të Ministrave, ku do të përcaktohet lista e mbetjeve jo të rrezikshme që do të futen në territorin shqiptar, procesi do të jetë më i kontrolluar, por nuk jep mënyrat se si do të bëhet një gjë e tillë.

Ndërkohë që procesi i kontrollit dhe zhdoganimit përfundimtar i mbetjeve, që mbetet një proces mjaft delikat, sipas pikës 1 të këtij neni, do të kryhet  në jo më shumë se në  tre pika doganore që kanë kapacitetet teknike dhe njerëzore për monitorimin e tyre.

Kur doganat tona arritën perfeksionimin infrastrukturor? Në një kohë kur dihet që këto dy vitet e fundit po rezultojnë më problematiket, mjafton të kujtojmë gropën financiare të shkaktuar në të ardhurat e buxhetit të shtetit.

Duke qenë se edhe mbrëmë përfaqsues të mazhorancës thërrisnin me të madhe se në kohën e Berishës mund të bëhej zhdoganimi në të gjitha doganat, a nuk mund ta jepnin një zgjidhje të tillë tre vite më parë, duke mos bllokuar e falimentuar një industri që kishte investuar miliona euro?

Për më tepër, nenet e këtij porjektligji që tani lejojnë importin e mbetjeve me qëllim riciklimin e tyre në Shqipëri nuk  justifikojnë implementimin e direktivës së Bashkimit Europian për zbatimin e parimit të vetëmjaftueshmërisë dhe afërsisë. Sipas direktivës së BE-së, neni 16, çdo vend duhet të synojë të menaxhojë mbetjet e veta dhe ato duhet të trajtohen sa më afër burimit të prodhimit; gjë që tregon qartë se për këtë projektligj nuk ka nje konsultim të mjaftueshëm me specialistët as të mjedisit dhe as të normativave të Bashkimit Evropian.

Një pyetje tjetër, që natyrshëm vjen tani që preket një temë e tillë: pse ky ndryshim i papritur, pse kjo hapje ndaj mbetjeve të importit? Në fakt një projektligj i tillë duhej të vinte me një analizë të hollësishme nga ministritë e linjës se në çfarë situate jemi me mbetje të tilla brenda territorit tonë. Tre vite më parë thatë se nëpërmjet heqjes së mundësisë së importimit të mbetjeve, të gjithë faktorët shoqërorë, politikë, administrativë, qeverisës në Shqipëri do të realizojnë reduktimin e mbetjeve në Shqipëri, duke e kthyer vendin në një territor më të pastër, sepse industrisë së riciklimit i mjaftojnë dhe i tejkalojnë kapacitetet e tyre mbetjet që prodhohen këtu.

Por nga analiza e impaktit rreth 3-vjeçar të ndalimit të importit të mbetjeve na rezulton se kjo masë nuk ka ndihmuar aspak në reduktimin dhe në riciklimin e mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë. Vendi vazhdon, në mos është edhe më i ndotur se tre vite më parë siç thonë statistikat. Sot duhej të ishte koha, dhe ky parlament vendi ku të diskutohej mbi një strategji mbi prioritetet që duhet t’i jepet riciklimit. Do të duhej të diskutohej mbi ndarjen e mbetjeve në burim, në arritjen e një bashkëpunimi të ngushtë të qeverisë me pushtetin vendor, në financimin e ndërtimit të impianteve për një përpunim sipas standardeve europiane. Do të duhej të shihej mundësia që subvencioni, që jep pushteti qendror në formën e grantit të njësive vendore, të rritej dhe pjesa që duhet për menaxhimin e integruar të mbetjeve të jepet e kushtëzuar, e të tjera si këto për të mundësuar sa më shumë përfitimin ekonomik, ruajtjen e mjedisit e të shëndetit publik, qoftë edhe punësimin përmes rritjes së sektorit të industrisë ricikluese që sot duhet t’i kërkoni të falur më shumë se kurrë.

Por jo, gjithë këto problematika nuk i hyjnë në sy mazhorancës, sepse nuk i intereson se vazhdojmë të jemi vendi më problematik në menaxhimin e mbeturinave, por duhen shtuar edhe të tjera; nuk i intereson se mbetjet asgjësohen shpesh herë duke i djegur në vendgrumbullimet e mbetjeve, të cilat nuk plotësojnë asnjë lloj kriteri, duke bërë të mundur ndotjen e mjedisit dhe rrezikimin e shëndetit të njerëzve.

Po lexoja mbrëmë procesverbalin e seancës së 10 tetorit 2013, kur ky parlament ndërmori vendimin e moslejimit të importimit të mbetjeve dhe mendova se do të ishte e mirë t’i jepej dhe qytetarëve shqiptarë për të parë se në çfarë amoraliteti politik e ka futur këtë parlament kjo mazhorancë.

Do t’i drejtohem atyre deputetëve të majtë që tre vite më parë ishin aq  të entuziazmuar në këtë foltore, se me çfarë morali do ta votoni projektligjin e sotëm, si do t’ i  justifikoni  fjalët e thirrjet edhe për referendum të bëra në atë kohë.

Dhe më qesharake duket deklarata e kryeministrit Rama që thoshte se “Plehrat në Shqipëri nuk do të hyjnë asnjëherë deri ditën kur Shqipëria të jetë në gjendje t’i seleksionojë e t’i përpunojë plehrat që prodhon vetë. ..se… ne nuk kemi asnjë zgjedhje tjetër për të respektuar deri në fund popullin, për të respektuar deri në fund shëndetin e çdo qytetari dhe për të respektuar deri në fund interesin tonë kombëtar dhe publik”. Sot e rikthen. Çfarë talljeje me shqiptarët!

Çfarë ka ndryshuar? Cilat janë rrethanat që e kërkojnë një ndryshim të tillë?

Përgjigjen në fakt e dinë dhe e kuptojnë të gjithë:

Është një projekt-ligj i pastër klientelist. Një tjetër shteg për të zhvatur para, një përfshirje në atë që vetë kryeministri e cilësonte tre vite më parë si “mafia e plehrave”.

E gjithë kjo mungesë serioziteti, e përgjegjësie, i gjithë ky amoralitet politik deri në paturpësi, po na kujton se drejtohemi prej një grushti njerëzish që këtë vend e sheh si domenin e vet, që bën si të dojë me interesat dhe paratë publike, që i jep të drejtën vetes t’i  thotë bashkisë më të madhe të veriut se “kokërr leku nuk ke”, sikur lekët e shtetit janë të xhepit të tyre, që promovojnë dhe mbrojnë kriminelët, që e kanë kthyer vendin në një plantacion gjigand hashashi, i cili trafikohet nga deti, toka dhe ajri.

Meqë jemi te riciklimi i plehrave, siç i pëlqen kryeministrit ta quajë, mendoj se ndër gjërat e para që ka nevojë për riciklim ky vend është modeli juaj.

Këto po importojnë plera dhe na thonë t’i quajmë mbetje, të tregohemi politikisht korrekt. Po fusin plehra dhe femijët tanë po eksportohen si mbetje të pariciklueshme, nëpërmjet eksodit që nuk po ndal e nuk do të ndalë pa ikur kjo qeveri. Ikin fëmijët tanë e qindra mijëra atë ëndërr kanë këto ditë të zeza, sepse toka e ëndrrave që po krijon Kryeministri me çetën e tij është shumë perfekte për fëmijët tanë inperfekt. Unë them mos ikni, e ka një zgjidhje. Shqipëria mund të jetë si Zvicra apo Luksemburgu me pasuritë natyrore që ka dhe me pozicionin gjeografik. Mos ikni nga ky vend që Zoti e ka begatuar me natyrën e saj.
Ka vetëm një problem të madh që populli duhet të zgjidhë me vehten e tij, problem që po i pengon: “opozita me opozitën”. Thonë që opozita nuk di të bëjë opozitë, thonë që mbasi humbët zgjedhjet në Dibër ju nuk jeni opozitë, thonë Sali Berisha nuk bën, Lulzim Basha nuk bën, një pyetje kam për demokratët të parët, dhe për gjithë shoqërinë civile e njerëzit e ndershëm të këtij vendi, aq sa kanë mbetur pa u infektuar.

“Çfarë prisni më shumë nga opozita ku çdo ditë po denoncojmë të vertetën e madhe,  krimet më të paturpshme dhe skandalet më të mëdha që ndoshta gjithë rajoni ka parë ndojherë, rrjedhimisht e gjithë Europa?! Çfarë prisni më shumē nga 40 gra e burra?! Të dalim këto 40 te Kryeministria?! Ja ku jemi duke protestuar, përballë Kryeministrit çdo të enjte dhe me aq sa ka fuqi fjala, çdo ditë”

Po a mund të më thoni çfarë mund të bëjë një opozitë, për këtë parlamentaren flas, më shumë se sa të argumentojë në çdo seancë dhe të mundohet te bind këtë qeveri që nuk njeh më asnjë kufi?! Kaq e kemi fuqinë e kartonit, kaq na kanë votuar në 2013 për të sjellë në pushtet këtë qeveri. Qeveri e cila, mendon se si popull, ka disa dele, që as të blegërojnë nuk dinë. Edhe sa duhet të bëhet mali i skandaleve që opozita të mos jetë vetëm në parlament, por të ketë opozitë edhe në rrugë, edhe në shkolla, edhe në spitale, edhe perballë çdo ministrie. Në çdo cep të Shkodrës e në çdo cep të Shqiperisë?!

Qytetarë të nderuar, unë mendoj se opozita e ka tejkaluar veten e saj. Jemi 40 e pak deputetë që jemi përballë kësaj makinerie të rrezikshme dhe deri tani nuk na e kanë mbyllur gojën. Por me këtë trend të blerjes së votave, lulëzimit të trafiqeve të drogës, papergjeshmerisë në votimin e ligjeve dhe në dhënien e tenderave, kapjes thuajse totale të medias, do vijë ndoshta dita, që edhe ne do na e mbyllin gojën. Unë them që populli, pjesë e të cilit jam edhe unë, duhet të reagojë. Njoh shumë zonja e zotërinj që nuk e pranojnë nënshtrimin, është koha të mbushim çdo shesh nëse na ka mbetur ende pak krenari.
Opozita e ka tejkaluar vehten  përballë këtij pushteti, që kurrë më përpara në demokraci s’ka qenë më i madh për nga sasia e kurrë, ndoshta as para demokracisë, më i rrezikshëm për nga cilësia.
Është populli ai që i ka borxh brezave ta rrëzojë këtë qeveri. Një shuplakë sot, që ta mbajnë mend edhe qeveritë e tjera nesër. Ta marrin vesh fatin që i pret kur qytetari nuk respektohet, por konsiderohet si mbetje e pariciklueshme.

Faleminderit!


Fjala ne Kuvend e deputetes Irma Kopliku, 22 Shtator 2016