Kallëzim penal në prokurori i Këshilltarëve të PD në Bashkinë e Tiranës
Partia Demokratike ka depozituar sot një kallëzim penal ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj për një numër të madh shkeljesh ligjore, që sollën si rezultat humbjen e jetës së 17 vjecarit Ardit Gjoklaj, në landfillin e Sharrës, një muaj më parë.
Zanafilla e paligjshmërisë nis me krijimin e shoqerisë Eco Tirana, me dhënien e 49 përqind të kapitaleve një firme italiane, pa garë, pa konkurs pa transparencë, dhe më pas me kushtet e rënda të paligjshmërisë në punën që bëhej në landfillin e Sharrës, ku për të gjitha është përgjegjës, drejtuesi i Bashkisë, Erjon Veliaj.
Pas hulumtimit, ekspertët e PD kanë zbuluar të gjitha shkeljet e Veliajt, dhe ai kallëzohet për;
1- ”Shpërdorim detyre” neni 248 KP
2- “Shpërdorimi i kompetencave” neni 164 KP
3- “Punësimi i paligjshëm” neni 170/a KP
4- “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme” neni 251 KP
5- “Shpërdorimi i kontributeve të dhëna nga shteti” neni 256 KP
6- “Përfitimi i paligjshëm i interesave” neni 257
7- “Shkelja e Barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankandeve” neni 258
Material shpjegues:
Trajtimi nga Bashkia e Tiranës e shoqërisë aksionere “EcoTirana”, sh.a, e cila do të ofronte disa shërbime publike, ka një sërë parregullsish dhe paligjshmërish. Paligjshmëri këto që ngarkojnë  Drejtuesin e Bashkisë së Tiranës me përgjegjësinë e konsumimit të veprës penale të shpërdorimit të detyrës dhe për shkaqet e mëposhtme:
1.Në rastin e përfshirjes së një Etniteti Publik në një shoqëri tregtare, në bazë të ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, duhet më parë që nga ekspertë të licensuar të përllogariten kontributet reale me të cilat Etniteti publik kontribuon në këtë shoqëri. Dhe në bazë të këtyre kontributeve të përcaktohet më pas pjesa takuese e aksioneve të Etnitetit Publik në shoqërine e krijuar. Në këtë rast, Bashkia Tiranë ka kontribuar në “Eco Tirana” sh.a, jo vetëm me shumën prej 1.989.000 lekë, por dhe me sasinë e mbetjeve urbane që prodhon qyteti, të cilat kalojnë në favor të shoqërisë së krijuar, si dhe me vënien në dispozicion të “Eco Tirana” të territorit të Landfillit të Sharrës. Pavarësisht këtij kontributi trefish të Bashkisë së Tiranës, kjo e fundit ka përfituar aksione vetëm për shumën e kapitalit fillestar që ajo ka derdhur në llogari të shoqërisë, dhe nuk janë përfshirë në kontributet e saj për shoqërinë tregtare, vlera e mbetjeve urbane që krijohet cdo vit dhe vlera e përdorimit të territorit të Landfillit të Sharrës nga ana e “Eco Tirana”
2.Pavarësisht se Bashkia Tiranë i është referuar nenit 33/1/d të ligjit “Për organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit Vendor” ku parashikohet mundësia e themelimit të një shoqërie tregtare nga ana e saj në bashkëpronësi, për ofrimin e shërbimeve publike, ajo me akordimin në favor të shoqërisë “Eco Tirana” që në vitin e parë të një shume prej 2.5 milonë euro, ka shkelur në mënyrë flagrante nenin 33/3 të po të njejtit ligj që e ndalon Bashkinë e Tiranës të akordojë fonde shtetërore në favor të shoqërive tregtare në bashkëpronësi dhe ku njësia vendore nuk zotëron Kapital të plotë të shoqërisë.
3.Shoqëria “Eco Tiana”, përfiton nga veprimet e kryetarit të bashkisë, pa kundërshpërblim, pronësinë dhe të drejtën e administrimit të mbetjeve urbane te riciklueshme të Tiranës për 25 vite që përbëjnë 200 mijë ton mbetje urbane ne vit. Kjo pronë e luajtshme e Bashkisë së Tiranës përbën një burim të madh potencial të ardhurash për administruesin dhe poseduesin e saj dhe kalimi i kësaj prone publike një shoqërie me aksionerë private, pa kundershperblim, përbën shpërdorim detyre gjithashtu.
Për këto arsye, shpërdorimi i detyrës nga ana e Kryetarit të Bashkisë Tiranë është konsumuar në rastin konkret jo vetëm për shkak të përcaktimit të partnerit privat që do të kryente këto shërbime në kundërshtim me formën dhe procedurën e kërkuar nga ligji, por edhe për shkak të shkeljes flagrante të nenit 33/3 të ligjit “Për organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit Vendor, ku ndalohet njësia vendore të mbështesë financiarisht një shoqëri tregtare përvec rastit kur shoqëria zotërohet plotësisht nga vetë Njësia Vendore në 100% të aksioneve të saj, si dhe për shkak se shoqërisë me veprimet e të kallëzuarit, i janë kaluar prona publike si rasti i mbetjeve urbane, pa kundërshpërblim. Në rastin konkret dhe pse Bashkia Tiranë zotëron vetëm 51% të aksioneve të shoqërisë “Eco Tirana” dhe 49% të tjera një partner privat, Bashkia Tiranë i ka akorduar që vitin e parë kësaj shoqërie një shumë financiare prej 2.5 milionë Euro pa TVSH, dhe ka planifikuar ti akordojë cdo vit fonde në rritje shoqërisë “Eco Tirana”. Për këto arsye, gjykojmë se i kallëzuari ndodhet jo vetëm në kushtet e shpërdorimit të detyrës por edhe të shpërdorimit të kontributeve shtetërore.
Shkelje të tjetra:
1.Moszgjedhja nga Asambleja e Ortakëve të shoërisë “Eco Tirana” e administratorit ekzekutiv, si organi më i lartë i shoqërisë, i ngarkuar nga ligji dhe statuti me detyrën për të lidhur kontratat me të tretët, krijon dyshime të arsyeshme që është një veprim i qëllimshëm i këtij organi që drejtohet nga Veliaj, për të favorizuar në mënyrë të paligjshme një tjetër subjekt tregtar që kryente veprimtarinë ricikluese dhe fitimprurëse në Landfillin e Sharrës. Sipas burimeve mediatike, ky subjekt quhej “3R”sh.a dhe kishte administrator shtetasin Edurim Teqja.
2.Moszgjedhja e administratorit ekzekutiv, si organi më i lartë i shoqërisë, i ngarkuar nga ligji dhe Statuti me detyrën e garantimit të të drejtave ligjore të punonjësve të shoqërisë, si dhe thirrja publike e Erion Veliajt për punësim në aktivitetin riciklues në Sharrë, krijon dyshimin e arsyeshëm se janë kryer veprime dhe mosveprime të paligjshme nga ana e organeve drejtuese të “Eco Tirana”, veprime ose mosveprime këto që kanë krijuar kushtet që në landfillin e Sharrës të funksiononte një ndërmarrje e cila punësonte në mënyrë të paligjshme subjekte të së drejtës përfshi dhe të mitur.
Për këto arsye, kërkojmë nga ju hetimin e të kallzuarit pervec vepres penale të shperdorimit të detyrës dhe mosmarrjes së masave për ndalimin e gjendjes se paligjshme, edhe për konsumimin e veprave penale të shpërdorimit të kompetencave dhe punësimit të paligjshëm, të parashikuara nga Kodi Penal Shqiptar, vepra penale këto të cilat kanë sjellë si pasojë vdekjen e një 17 vjecari në Landfillin e Sharrës.
Bashkengjitur, kallëzimi i plotë​

 

Kallezim penal landfilli sharres


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 6 shtator 2016