Kanë nisur të zbulohen arsyet e vërteta se pse Rama riktheu importin e mbetjeve.

Akoma pa hyrë në fuqi ky ligj, qeveria ka vrapuar të hapë tenderin dhe të japë koncesionin e parë për djegien e mbetjeve. Skandali thellohet kur zbulohet se kompania që ka fituar tenderin është regjistruar për këtë shërbim 15 ditë pas shpalljes së tenderit.

Më datë 13.07.2016 është hapur tenderi për dhënien me koncesion të ndërtimit dhe administrimit të impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier.

Më datë 28.07. 2016 kompania fituese e tenderit “Integrated Technology Services” e regjistruar për aktivitet në fushen e Teknologjise së Informacionit papritur shton ne objektin e aktivitetit te saj edhe ndërtimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve me djegie (Incenerator) dhe landfille për përpunimin e mbetjeve urbane dhe të rrezikshme.

Me 15.09.2016 njoftohet se një bashkim operatorësh ndërmjet kësaj kompanie shqiptare “Integrated Technology Services”, me administrator dhe ortak të vetëm Klodian Zoto e njohur si kompani IT-e dhe shoqërisë italiane “Energy 2SRL” e specializuar në “green energy”, pa lidhje me riciklimin, kanë fituar garën për kontratën koncesionare me një afat 6 vjeçar.

Gjithçka është bërë në fshehtësi të plotë. Në errësirë të plotë, dhe me shpejtësi marramendese. Ky është interesi i Edi Ramës dhe jo kompanitë e riciklimit që i përdor për show.

Kjo është arsyeja e vetme, shpjegimi i vërtetë se pse Edi Rama tre vite më parë bëri të anulohej referendumi duke anuluar ligjin për mbetjet, dhe sot riktheu ligjin dhe anatemon kundershtaret e tij.

Dhe ky është vetëm fillimi i të tjera kontratave koncesionare për djegien e mbetjeve në Shqipëri.

Pyetjet që shtohen natyrshëm duke parë nxitimin e qeverisë për këtë koncesion pa u miratuar akoma ligji i mbetjeve, lidhen me mbetjet që do të digjen nga ky impiant dhe dhjetra të tjerë që parashikohen të ngrihen në Shqipëri.

A do të digjen në këto impiante mbetje, që do të importohen në Shqipëri?!

Me pretekstin e ligjit a do t’i hapë Edi Rama kufijtë, mafias se plehrave të rrezikshme ashtu siç bëri për baronët e drogës?!

Ky është shqetësimi i çdo shqiptari sot.

Padyshim që pas ligjit të plehrave qëndron kjo aferë dhe dhjetra të tjera. Pas drogës Edi Rama ka vendosur ti helmojë shqiptaret edhe me plehrat dhe mbetjet e rrezikshme te Europes.

Prandaj shkeli fjalen që ju dha qytetarëve. Prandaj i tradhetoi ashiqare 65 mije qytetaret qe firmosen per refendum.

Partia Demokratike është e vendosur në qëndrimin e saj kundër importit të mbetjeve dhe do të bëjë gjithçka për ndalimin e tyre.

Ne i bëjmë thirrje qytetarëve të bashkohen për ta ndaluar këtë projekt të Edi Ramës që do të ndosë Shqipërinë, do helmojë dhe do mbjellë sëmundje dhe vdekje në këtë vend.


Deklaratë e Sekretares së Marrdhënieve me Publikun, Grida Duma, 27 shtator 2016