Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kandidati për kryebashkiak i Dibrës, Sherefedin Shehu morën pjesë në një aktivitet të organizuar nga socialistët dibranë. Kirurgu Bashkim Murati tha se janë rreth 200 socialist që kanë vendosur të largohen nga Partia Socialiste dhe t’i bashkohen Partisë Demokratike. Duke shprehur zhgënjimin e madh për partinë e tyre, braktisjen dhe mashtrimin ata kanë grisur në mënyrë simbolike teserat e PS-së. Ata thanë se Edi Rama i ka harruar socialistët, ata enden rrugëve të papune, pa bukë ndërsa pasurohen vetëm një grusht njerëzish.

Ramazan Kaziu: Unë quhem Ramazan Kaziu, kam emër dhe mbiemër.  Një mbiemër shumë të dëgjuar dhe të mirë. Ne në qoftë se po krijojmë këtë distancim dhe këtë zemërim e krijojmë se nuk është marrë me ne. Nuk na ka dëgjuar ne hiç, nuk ka qa hallet tona. Ke socialistë rrugëve pa punë, familjen pa bukë, pa asnjë mbështetje. Të lutem do të bëj një thirrje, kuptoje si të duash. Kam besim, kam shumë besim se je një djalë i zgjuar i Partisë Demokratike. Nuk të mungon asgjë, mbi të gjitha je i thjeshtë, je me këmbë në tokë. Dhe këtë besim e kam të madh që nuk do të na zhgënjesh si kryetari jonë. Data 11 të jetë një sihariq i madh për Dibrën, gjithë kombin e saj që të mos zhgënjehemi më me këto premtime boshe, jo të bëjmë Rrugën e Arbrit, jo të bëjmë rrugë të tjera, jo do të bëjmë këto asfaltime. Asfaltime elektorale që do të bëhen për 4-5 ditë dhe prishen. Shpresoj shumë që fitorja e  profesor Sherefedinit të jetë shumë e thellë. Dhe po ju them me sa e njoh unë profesorin, nuk do na zhgënjeje.

Tahir Mziu: Jam një anëtar i Partisë Socialiste, i zgjedhur disa herë në strukturat e Partisë Socialiste. Duke na premtuar kryesia e Partisë Socialiste premtime të mëdhaja edhe ne si anëtar të Partisë Socialiste dhamë kontributin tonë në maksimum.  Pasi morën kontributin tonë ata zunë karriget dhe pastaj u futën nëpër zyra dhe nuk pyetën më për organizatën e partisë, për popullin, për askënd. Kështu që duke parë që kryesia e PS-së e distancuar komplet nga anëtarët e saj edhe ne me një njeri të pabesë, të pashpresë, me gënjeshtra, edhe ne do të distancohemi nga kjo parti, nga radhët e saj. Distancimi im nga Partia Socialiste do të jetë që në këtë moment dhe teserën e saj unë… ( e gris)

Kështu që të gjithë së bashku si një trup i vetëm duhet të bashkohemi dhe ta zhdukim edhe nga radhët e shtetit që është sot sepse ky e ka shkatërruar popullin në zero, ekonomia ka rënë përtokë.  Gënjeshtrat janë shumë të mëdhaja; marrim Rrethin e Dibrës, do të bëjmë Rrugën e Arbrit, Rrugën e Abrit e stakoj, Universitetin e Dibrës ja hoqi degët, bujqësinë po ashtu përtokë, pa ujë. Kemi ujë?! Ujë s‘kemi, kështu që edhe ne … hashashi e probleme, ka shumë probleme. Po ne t’i bimë shkurt me dy fjalë siç i bie populli. Kështu që edhe ne duhet të bashkohemi të gjithë së bashku si një trup i vetëm për të shkatërruar këtë qeveri.

Bashkim Murati: Kam punuar me të vetmen arsye që edhe mendoja që PS-ja dhe aleanca e majtë po të fitonin do të kishin një kontribut dhe një vlerë shumë të madhe për t’i dhënë këtij vendi një impuls përpara dhe për ta çuar Shqipërinë tonë europiane në nivele të kënaqshme ekonomike dhe politike. Dibra është e penës, është e fjalës, është e besës, është edhe e pushkës. Nuk është Dibra ajo që udhëhiqet nga njerëz pa nivel dhe pa arsim, siç ka ai deputetët socialistë dibranë. E dimë kush janë deputetët socialistë dibranë?! Injorantë janë! Kjo është arsyeja pse unë grisi teserën e Partisë Socialiste dhe bashkëngjitëm Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike. Suksese!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se  zgjedhja e Edi Ramës për të mos qeverisur me socialistët, për të mos qeverisur me shqiptarët e ndershëm, por për të qeverisur me krimin, kriminelët,  dhe një grusht oligarkësh që i zhvasin pasuritë e shqiptarëve është arsyeja pse Shqipëria ndodhet në këtë gjendje.

“Të gjithë e dini që Muharrem Rama, për të cilin ju shprehët respektin si profesionist, nuk ka dalë  si kandidat i PS, por ka dalë si pjesë i një allishverishi që dorëzon automatikisht me letër 50% të pushtetit të bashkisë Dibër me klanet e errëta të krimit. Dhe ju e dini nga përvoja juaj se nesër ku 50% do të jetë 60%, e 70%, e 80%, derisa pushtetin lokal në Dibër ta kenë kapur përfundimisht krimi, bandat e ta përdorin për interesat e tyre, për pasurimin e tyre, për drogën e jo për socialistët dibranë e as për demokratët dibranë, për asnjë dibranë të ndershëm.

A ka shqiptarë demokratë apo socialistë që nuk bashkohet rreth nevojës për të dekriminalizuar politikën?!

Unë besoj se shqiptarët bashkohen rreth kësaj vlere të madhe të gjithë, pa ndryshim, të djathtë apo të majtë.

A ka shqiptarë që nuk bashkohet rreth vlerës bazë të një demokracie që janë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ku vota e çdo qytetari hidhet pa frikë, pa intimidim, pa shitblerje e numërohet pa hile?!

Unë besoj se të djathtë dhe të majtë bashkohemi rreth këtyre vlerave.

Por sot këto vlera janë më të kërcënuara, më nën kërcënim se kurrë më parë. Ju këtë e dini fare mirë.

Ndaj unë ju mirëpres sot në familjen tonë politike, jo thjeshtë e vetëm socialistë por si shqiptarë. E ju them kini besim se vlerat që na bashkojnë janë më të forta se sa veset që bashkojnë ata që sot kanë uzurpuar pushtetin. Sepse shumica dërmuese e shqiptarëve, demokratë dhe socialistë, mendojnë si ju, mendojnë si ne dhe ky bashkim është çelësi i fitores së Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Banda është më e izoluar se kurrë. Ata e dinë që ju kanë tradhtuar. Ata e dinë që ju kanë zhgënjyer. Ata e dinë që nuk kanë bërë asgjë për ju. Shpresa e tyre e vetme është mashtrimi, siç erdhi këtu dhe mashtroi përsëri për Rrugën e Arbrit , shpresa e tyre e vetme është pakti me krimin, siç kanë bërë me Bashkinë e Dibrës. Gjithë bastin e kanë vënë që krimi dhe kriminelët do të detyrojnë dibranët, ku me hir e ku me pahir, të kthejnë votën e tyre kundër vetes e fëmijëve të tyre.

Më lejoni që t’i kthejmë një përgjigje sot këtu nga ky takim i çiltër socialistësh e mbi të gjitha shqiptarësh e dibranësh.  A do t’ia dalin ta poshtërojnë prapë Dibrën?! A do t’ia dalin ta poshtërojnë prapë popullin e Dibrës?! A do t’ia dalin ti mashtrojnë përsëri e ti poshtërojnë sërish socialistët e Dibrës, e dibranët pa dallim?!”- theksoi zoti Basha.

Lulzim Basha e bëri të ditur dhe në këtë takim se aleanca e tij dhe e Partisë Demokratike për të ndryshuar realitetin e hidhur në të cilin ndodhet vendi është me qytetarët e ndershëm të këtij vendi, pa dallim bindjesh politike.

“Kam ardhur sot tu them e tu jap fjalën sot, doktor Muratit, z. Kaziu, z.Mziu se Partia Demokratike dhe Lulzim Basha, midis aleancës mes një tufë horrash dhe hajdutësh për të ardhur në pushtet dhe aleancës me socialistët e ndershëm për të ndryshuar Shqipërinë, ka zgjedhur dhe do të zgjedhë gjithmonë aleancën me shqiptarët e ndershëm dhe me socialistët e ndershëm. Këtu qëndron forca e ndryshimit, ndryshimit të vërtetë që do të funksionojë për ju dhe jo për një grusht njerëzish që mendojnë vetëm për pasuritë e tyre”, -theksoi zoti Basha.

Kandidati për kryetar Bashkie, Sherefedin Shehu theksoi se  përpara se të mendojmë për partitë tona më shumë duhet të mendojmë për Dibrën, pasi përpara se të jemi anëtarë partie jemi dibranë. Dibrën mund ta ndryshojmë duke patur një aleancë me qytetarët e Dibrës dhe jo mbështetjen e vetëm një partie politike.

Sherefedin Shehu: Për mua ishte një surprizë që të ndodhesha këtu përpara këtyre përfaqësuesve, këtyre njerëzve që në radhë të parë kanë Dibrën, por natyrisht që kjo përbën një moment të rëndësishëm për këtë fushatë që kemi nisur.

Ky është momenti kur unë dhe PD duhet të mendojmë dy herë për Dibrën dhe jo një herë siç thonë të gjithë që do të bëjnë më të mirën për të. Dhe sot po kuptojmë të gjithë më shumë, meqë këtu flitet më shumë për Dibrën, flitet për interesa që shkojnë përtej partive politike. Natyrisht të gjithë biem dakord, që ne përpara se të jemi anëtarë të partive politike ne jemi qytetarë të Dibrës dhe përpara se të mendojmë për partitë tona, më shumë duhet të mendoojmë për Dibrën. Dhe PD ma dha këtë mandatim për të kërkuar detyrën e kryetarit që bashkë me ju të ndryshojmë Dibrën. Por Dibrën mund ta ndryshojmë vetëm duke qenë së bashku, duke pasur një aleancë me qytetarë të Dibrës dhe jo vetëm  mbështetjen e një partie politike. Koalicioni i Partisë Demokratike është rritur, por këtë të sotmen e shikoj edhe si zgjerim të aleancës së saj me qytetarët dhe e shikoj si një nisëm, si një fillim të ri për ndryshimin e Dibrës sot dhe të Shqipërisë nesër. Dhe Dibra do të qeveriset nga kjo aleancë e të gjitha fushave, por edhe të gjitha aspekteve politike. Çdo gjë që është për Dibrën do të dalë përtej kornizës politike dhe kjo është garancia që unë kam për ju. Ne do t’i rikthejmë Dibrës së bashku dinjitetin. Ne do t’i rikthejmë Dibrës universitetin.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 5 Shtator 2016