Kandidati për kryebashkiak i Dibrës, Sherefedin Shehu u takua me banorë të fshatrave Selishtë, Hurdhë Muhur dhe Fushë Muhur. Zoti Shehu u njoh me shqetësimet e banorëve për presionin që u bëhet, “votë në këmbim të ndihmës ekonomike” dhe me faktin që ndihma ekonomike u është hequr familjeve në nevojë dhe u është dhënë personave me lidhje me pushtetin. Kandidati për kryebashkiak duke e konsideruar kriminal këtë fakt theksoi me me drejtimin e Bashkisë prej tij listat e ndihmës ekonomike do të jenë të shpalluara publikisht dhe ndihma do t’i shkojë atij që ia jep ligji, pra që ka nevojë.
“Ndihma ekonomike përdoret për vota. Ndihma ekonomike përdoret për presion. Ndihma ekonomike nuk paguhet në kohë. Të gjitha këto janë abuzive. Ndihmën ekonomike vëllezër ua jep ligji, jo kryetari i bashkisë . ju garantoj se listat e ndihmës ekonomike do ti keni të shpallura atje në murin e njësisë administrative, që secili të shohë sa merr dhe kush e merr ndihmën ekonomike, që ndihma ekonomike të shkojë tek ai që i takon”, tha Shehu.
Infrastruktura, ujësjellësi dhe kanalizimit ishin po ashtu në qendër të bashkëbisedimit të zotit Shehu me banorët. Kthimi i administratës në punë për t’u shërbyer qytetarëve të Dibrës është domosdoshmëri, tha zoti Shehu i cili nënvizoi se sot ata marrin vetëm rrogën.
“Ne do të rikthejmë administratën në shërbimin tuaj. Ndërmarrja e Mirëmbajtjes së Rrugëve prioritet do të ketë zona, siç është zona juaj, Selishta, Zall Dardha, Reçi dhe Lura të cilat janë akoma të paasfaltuara. Ndërmarrja e Ujësjellësit në Peshkopi ka jo pak, ka 50 veta dhe nuk ka njerëz që vijnë për të zgjidhur problemet e furnizimit apo problemet e funksionimit të këtij sistemi. Kjo ndërmarrje do të ketë njerëz nga ju që çdo ditë të kontrollojë funksionimin e sistemit”, tha Shehu.
Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 4 Shtator 2016