Të nderuar kolegë!

Po i afroheni vitit të fundit të mandatit qeverisës dhe bilanci juaj i zhdrejtimit të këtij vendi është sa trishtues aq edhe dramatik.

Me ju rilindi cdo e zezë, rilindi cdo fatkeqësi  e cdo gjëmë për shqiptarët të cilët as nuk e kishin menduar edhe në ëndrat më te largëta.

Shqiptarët pas tri vitesh janë të sfilitur dhe në dëshpërim.

Erdhët me frikën e importit të armëve kimike, me trafiqet e jashtëzakonshme të drogës, të republikës së kanabisit, të skafeve e avionëve me drogë, të vrasjeve,të kapies nga mafia, shkatërrimit të shtetit ligjor, të papunësisë e skamjes në limitet e mbijetesës.

Për ta bërë të qartë që në fillim, voten time kunder, unë si qytetare me ndërgjegje të lirë e kam vlerësuar të pavend  këtë inisiativë edhe kur ish mazhoranca, sot opozitë e solli në Parlament ligjin i cili pervec menaxhimit te integruar te mbetjeve, parashikonte ne nenet e tij edhe importin e mbetjeve.

Pse? Sepse kam menduar se vendi im nuk duhet të paguajë një garanci të rrezikshme, me kosto shumë të lartë për shtetasit e vet dhe të ardhmen e shoqërisë, për hir të disa kushteve që na vendos Brukseli për integrimin  në BE.

 Shqipëria duhet të ketë orientimet e saj të zhvillimit ekonomik që duhet te jene BUJQESIA dhe TURIZMI dhe JO  industria e riciklimit që edhe pse me perspective, nuk ka infrastrukturën e përshtatshme në logjistikë dhe në burime njerëzore.

Por cfarë ndodh?

Pikërisht ajo klasë politike e cila tri vite më parë kur erdhi në pushtet e cilësoi këtë nisëm të  qeverisë parardhëse, si mafioze dhe hajdutëri, duke perligjur keshtu zhvatjen qe iu kishin bere me votat per shkak te mashtrimeve paraelektorale, na sjell  këtë draft si një strategji të menduar mirë për të përfituar qindra miliona euro në rrezik të jetës së gjithë shqiptarëve.

 Pas zgjedhjeve të 2013, kjo pseudomazhorancë, kjo  qeveri antidemokratike, anti shtet, madje antishqiptare ka tri vite që këtë vend e mban peng të interesave të saj dhe rrethimit klanor që ka mjeruar shqiptarët deri në palcë.

E kam permendur shpesh dhe nuk do resht peseri te citoj se cdo ligj, cdo vendim qeverie, cdo projekt e program juaji derio tani nuk ka sjelle asnjë dobi për shqiptarët por vetëm po furnizon me para xhepat dhe llogarite bankare të pushtetarëve.

Shteti, policia, institucionet janë në funksion të kësaj makinerie gjigande trafiqesh.

Ligji që mund te kaloni edhe sot me kartonat e blera është pikërisht produkt i kësaj makinerie, i kesaj kase njerëzish që nuk punojnë dhe nuk mendojnë as edhe një ditë të vetme për fatet e shqiptarëve, por për blerje  votash dhe forcim pushteti.

Duke u fokusuar tek zanafilla e importit të  mbetjeve , kryeministri tha atë kohë se “Nëse një qeveri bën këtë në Shqipëri, ajo është një qeveri hajdute që punon kundër kombit të vet”

Duke vijuar me kronologjinë e retorikës tuaj të manipulimit po në atë kohë në parlament,  ministrit Klosi gjatë diskutimi të tij citoj qe ka thene: “Qeveria vjen me propozimin për të ndaluar të gjitha llojet e importit të plehrave, përfshirë edhe ato të parrezikshmet. Ky aksion do të ketë një impakt pozitiv, pasi i jep përgjigje shqetësimit qytetar për ndalimin e importit të plehrave; vë në lëvizje të gjithë mekanizmat dhe aktorët shoqërorë për të grumbulluar, ndarë dhe ricikluar mbetjet që mbulojnë territorin shqiptar.”

Pra zoti kryeministër , zoti Klosi , dhe ju kolegë të tij, pse hoqët dorë nga ky vullnet stoik që mazhoranca e një milion shuplakave pati për mosimportimin e mbetjeve në interes të opinionit publik ?

Pse sot vetëshpalleni hajdutë dhe mafiozë ( në fakt shqiptarët e kanë kuptuar këtë që në 2013) kur të paktën një herë të vetme kishit shansin për të dëshmuar se mendoni edhe për këtë vend e jo vetëm për makutërinë tuaj..?

Ku shkoi interesi publik i trumbetuar me aq forcë në programin e Rilindjes ? Kujt i intereson një ligj i tillë?

A janë mbetjet, një pazar i rrezikshëm që po kryhet në kurriz të sigurisë së jetës së shqiptarëve, te fëmijëve tanë të cilët në cdo moment janë të kërcënuar nga siguria e dyshimtë e ushqimeve, nga tundimi i hashashit edhe si drogë edhe si mënyrë e lehtë fitimi, nga mungesa e rendit në shkolla, nga mbyllja e dyerve të universiteteve, nga papunësia, nga mungesa e shpresës dhe së fundmi nga mbetjet e ndotjet që ju do të sillni nga e gjithë bota për ti përpunuar në Shqipërinë tone?

Sot ky projektligj  vjen si standardi më i rrezikshëm që ju keni vendosur për një demokraci parlamentare , pikërisht ai i kapjes së parlamentit, foltores së fjalës së lirë  nga interesat mafiozë, nga përfitimet e një grupi te caktuar njerezish të cilët kanë lidhje të drejtpërdrejta me industrinë e ricklimit.

Pazaret që mund te jene bërë me kompani krejt të dyshimta vijnë në terrin e plotë të informimit, me forcën e presionit të mafies qeveritare edhe në komisionet e Kuvendit e më pas e gjithë kjo skemë u përcoll  në shpërfillje të praktikave  parlamentare deri këtu në rendin e ditës.

Shqiptarët e njohin  shumë mirë historinë e mafies italiane, ku industria e riciklimit të mbetjeve dhe ajo e ndërtimeve ishte instrumenti më efikas i forcimit të saj në pushtetin politik.

Është po riciklimi një rrugë e pastrimit të parave të  oligarkëve në vendet postdiktatoriale që në fakt nuk sjellin përfitim për shoqërinë por riciklojnë pasuritë e trafiqeve dhe nuk hapin asnjë vende pune apo të ketë impakt të drejtëpërdrejtë në GDP e vendit.

Një ndër dilemat që shtrohet nga diskutimi i këtij drafti është sesa kapacitete mund të ketë një vend si i yni për industrinë e riciklimit kur nuk ka arritur të shpëtojë nga pushtimi i plehrave të veta.

Mbetjet, mbeturinat  kanë qenë  emblem e  këtij sezoni të dështuar  turistik.

Ngado dhe kurdoherë , veri e jug plazhet ishin të pushtuara nga plehrat, në tokë e në det dhe e vetmja që përpiqej të mbante të qetë opinionin publik ishte ministria Kodheli me aksionet vullnetare ushtarake në pastrimin e tyre. Por nuk pati shqiptar brenda e jashtë vendit që nuk u bëri përshtypje ndotja e plazheve këtë vit me një rekord të jashtëzakonshëm.

Të nderuar deputetë!

Edhe sot në seancë plenare shqiptarët janë ende pa informacionin minimal të nevojshëm për këtë draft me rendësi strategjike.

Cfarë ka ndryshuar me qeverinë tuaj të korrupsionit në këto 3 vite që të shërbejnë si  argumenta për të bindur shqiptarët se duhet të zbatohet  importi i mbetjeve?

– Doganat??? Jooo…

Shqiptarët e dinë dhe po e shohin përditë gropën që ka shkaktuar në ekonominë e vendit dheeee trarët e saj që ngrihen me porosi nga lart dhe me urdhër të klaneve afër qeverisë.

-Ekspertiza e Kontrolli ( inspektimi)??? Kurrësesi Jooo…

Askush nuk i beson më aftësisë së ekspertëve militant  për kontrollin e territorit. Për shkak të ineficensës së tyre dhe urdhërimit politik nga shefat e Tiranës, ne të gjithë vuajmë sot dështimet spektakolare të  moratoriumit si ai i pyjeve, i cili hyri në fuqi dhe gjoja po zbatohet  pasi u shkatërruan plotësisht ato.

Shqiptaret nuk dinë më se cfar po konsumojnë si ushqime dhe në kushtet e nje pasigurie totale kur  inspektorët e korruptuar  kërkojnë para duke thelluar edhe me shumë këtë  pasiguri.

Keni shtuar mes rrjeshtave edhe transparencen qe do ta shoqerojë procesin , madje gjoja me finese, ketu po perpiqet tu bashkengjitet edhe LSI me kerkesen per te shtuar edhe OJQ si pjese e monitorimit.

Nuk pashë as edhe një personazh të vetëm nga mbi 70 shoqata që ekzsitojnë në Shqipëri për të drejtat e fëmijëve në përcjelljen e fundit tragjik të Ardit Gjoklajt nga kjo jetë?

Sigurisht edhe nën Komisioni për të drejtat e fëmijëve këtu në Parlament si një apendiks pa vlerë institucional, nuk denjoi ta konsideronte si motiv për një seancë të posacme me ministrin Klosi dhe zyrtar të tjerë që për Arditin duhet ta ndiejnë veten me ndërgjegje të shprishur.

Për cilat OJQ ka menduar LSI të përfshijë në monitorimin e importit të mbetjeve , kur edhe sot që po mbajmë këtë seancë, asnjë prej tyre nuk denoncon punën në  Landfilldin e Sharres, në kushte mizerabël të dhjetra nënave  e të mitur për të siguruar bukën e gojës, ndërsa Erion Veliaj, ne vend te japer informacion ne prokurori per kontratat e lidhura per kete landfill jep spektakle me fëmijë në krahë.

Dhe në vijim të “optimizmit” tuaj në lidhje me transparencën që do shoqërojnë procesin….si mund të flitet për transparencë kur gazetarja investigative që “gërmoi” të zbulonte errsirën me jetët njerëzore në Sharrë, është sot pa punë e pushuar  me urdhër nga politika  lart.

Ku janë këto OJQ të cilët ju i përdorni për karem sa herë që ju duhet manipulimi I të vërtetës, të denoncojnë  prej organizatorëve të këtij trafiku I cili është  një zyrtarëve të pushtetit, kryetari socialist i Peqinit, akoma ne kerkim?

Kush na garanton se nuk do ndodhë prapë vrasje tragjik të punëtorëve, fëmijë, apo burra e gra te deshperuar nga varferia?

Zoti kryetar, kolegë të mazhorancës!

Unë nuk mund ti besoj riciklimit të mbetjeve kur ju nuk jeni qeveria që dëshiron me të vërtetë një Shqipëri pa mbetje  e ndotje.

Sepse ju jeni ata që keni ndotur më së shumti ekonominë, bujqesisë, turizmin e këtij vendi me mbjelljen totale të maleve kodrave dhe arave tona me hashash.

Nuk mbillet më gruri, misri, patatja, arrorët  etj por vetëm hashashi.

Sepse kjo është mënyra më e mirë dhe më e e lirë në kosto për të mbajtur pushtetin mbi shqiptarët e mbytur në mjerim, pra me votë hashashi dhe jo me votën e vullnetit dhe ndërgjegjes së lirë.

Eksportoni hashash dhe importoni plehra- na e pranoni hashashin tua pranojme plehrat- me këtë filozofi ju nuk do ta keni të gjatë qëndrimin në pushtet, por po pregatisni fundin tuaj.

Shqiptarët kërkojnë  integrim dhe jo rilindje me kanabizim.

E ardhmja është  Evropa e vlerave dhe jo  e pushtetit të krimit.


Fjala ne Kuvend e deputetes Mimoza Hajdarmataj, 22 Shtator 2016