Zonja deputete!

Zotërinj deputetë!

Duke ardhur këtu rruga karshi parlamentit po oshëtinte “Edi Plehu”! Normalisht duhet të filloja fjalën, të rezonoja këtë thirrje e këtë kushtrim të shoqërisë civile lidhur me aktin e turpshëm të paftyrë, të paimagjinueshëm për atë që sot do të bëjë ky Parlament.

Por kjo do të jetë një problem i një diskutimi të mëvonshëm. Sot unë dua të jap alarmin, të shpreh shqetësimin tim më të madh për dramën në të cilën është zhytur Shqipëria. Sot, siguria kombëtare është më e kërcënuar se kurrë në historinë e këtij vendi nga kohërat e luftërave e deri tani. Shiqipëria, është shndërruar në Kolumbinë e dikshme, jo të sotme të Europës. Kanabisi, arat e deputetëve, politikanëve dhe ministrave, kanë mbuluar vendin nga Pogoni deri në Vermosh. Asgjë nuk kërcënon më shumë sigurinë e këtij vendi, sesa kanabisi.

Pra, edhe një herë jap alarmin se kjo situatë është më kërcënuesja për sigurinë kombëtare, dhe unë, i them shqiptarëve, i them Aleancës së Atlantikut të Veriut, Bashkimit Europian se në Shqipëri ISIS do të ketë minierat e floririt në kanabisin e kriminelëve shqiptar, e bandave shqiptare,

I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar ta marrë këtë në mënyrën më serioze, të mos injorojë këtë fakt. Zotërinj, a e lexuat shtypin italian se çfarë shkruante? Shkruante se aeroporti i Ishmit ishte për transport armësh.

Këmbanat bien për të gjallët jo për të vdekurit, këto këmbana bien për Shqipërinë. Keni kaluar nga mushkonjat nëpër aeroporte në mushkonja për trafiqe kriminale, qoftë kanabis, qoftë kokainë, qoftë armë. Edhe një herë u them se kurrë s’ka qënë më e kërcënuar siguria kombëtare  e këtij vendi, se një vend anëtar i NATO-s s’mund të bëhet kurrë kërcënim për aleatët e vet me kanabisin. Kemi detyrime të mëdha ndaj shqiptarëve dhe aleatëve tanë, sepse, në dhjetëra miliardë, dora e zezë e ISIS s’ka asnjë pengesë që të shtrihet. Dhe pastaj çfarë do thoni ju aleatë të NATO-s që financoni shtetin më të kobshëm të kohërave, aktet më terroriste, çfarë do thoni ju që ngritët një sistem aeroportesh për të transportuar armë, para drogë e çdo gje? A nisi kjo me mushkonjat dhe përfundoi me aeroportin e Ishmit, aeroportin “Saje qorri”? A e dini ju që po ndërtohen aeroporte të tjera apo jo? Ja u them unë që po. Po ndërtohen aeroporte të tjera për trafiqe kriminale. Cfarë shteti jemi ne që eksportojmë vdekje për aleatët tanë. Dalin këtu në mënyrën më të neveritshme e shpifse dhe flasin se pska patur dhe më parë. Po, kishte, por kishte një luftë dhe kjo luftë bëhej. Pyesni autoritetet italiane, pas moratoriumit të skafeve dhe luftës ndaj trafiqeve, Italia hoqi kontrollin e hapsirës ujore në Shqipëri. Por ju besoni gënjeshtrat tuaja sepse ju nuk fluturoni me presh mbrapa, ju fluturoni me para mbrapa.

Vendi është më i kërcënuar se kurrë. Eshtë bërë përpjekje e jashtëzakonshme për ta anëtarësuar vendin në NATO dhe tani bëhemi kërcënim dhe rrezik për NATO-n, për Italinë, për Greqinë, bëhemi kërcënim dhe rrezik për vendet dhe aleatët tanë, ndërsa ju dilni e lexoni këtu statistika të paqëna dhe mashtruese  fund e krye. Kryearkitekti kësaj është Edi Rama! A nuk jeni ju promovues legalizimesh të kanabisit? A nuk jeni ju që në ato zona ku u bënë rekrutimet janë plotë kanabis sot? E keni shumë të qartë këtë ju, por nuk ka rëndësi pasi mjafton që bosët e krimit të mbushin thasët me paret e drogës. Ju po luani me ekzistencën. Nuk po marr anën tjetër, të vrasjeve që kryhen nga kanabisi, dy vrasje vetëm këtë javë dhe të tjera të pashpallura e të fshehura. A e dini ju që policia juaj është shndërruar në polici kanabiste, e tëra.

Unë dhe një herë jam këtu për t’i bërë thirrje shqiptarëve që të mos mashtrohen nga kjo politikë, se absolutisht mbjellin helmin, pasi kanabisi është helm por nuk është vetëm helm biologjik, është helm politik, është helm social dhe asgjë s’do ju rrënojë më shumë. Shihni Bolivinë si është shndërruar nga droga. Droga i ka rrënuar vendet dhe nuk i ka zhvilluar ato, nëçfarëdo sasie që të jetë prodhuar. Unë ju garantoj ju që viti tjetër do të jetë viti i lulëkuqeve, opiumit. Se e keni dhe në trashëgimi ju këtë, apo keni harruar kohën kur Enver Hoxha nxirrte nxënësit e shkollave nëpër ara për të mbjellë lulëkuqet se i duheshin për bimë mjekësore deri sa komuniteti ndërkombëtar i vuri lakun në fyt. Por sot jemi vend i hapur, nuk jemi më vend i mbyllur.

Edhe një herë i bëj thirrje Aleancës së Atlantikut të Veriut, që me urgjencë të marrë në analizë gjendjen e drogës në Shqipëri, sepse ky vend në rast se nuk ndërhyhet me urgjencë në këtë situatë ju garantoj se shumë shpejt do të jetë një financues i madh i terrorizmit ndërkombëtar, i ISIS në radhë të parë. Se edhe tre apo katër vite më parë po të na pyesnin nëse do e imagjinonim që do kishte shqiptarë që do shkonin të luftonin për ISIS, jo do thonim. Po ja që shkuan, dhe shkuan jo pak por me qindra, dhe ja që shkojnë edhe tani madje. Pra, kjo është një emergjencë kombëtare dhe e dënoj me ashpërsinë më të madhe.

I bëj thirrje Aleancës së Atlantikut të Veriut, ta shqyrtojë këtë situatë në mënyrën më serioze çështjen e drogës në Shqipëri, një rrezik i madh për Shqipërinë vend anëtar i saj por një rrezik real dhe për vende të tjera.

I bëj thirrje BE, Komisionit Evropian të shqyrtojë në mënyrën më serioze çështjen dramatike të drogës në këtë vend. Duhet ta dini se në Xibrakë ajo ngarkesa që u kap ishte e fundit, dy anije të tjera me ngarkesa kokaine kanë hyrë në Shqipëri. Sigurisht kur janë të lidhura me qeverinë janë të mirëseardhura. Janë të provuara këto që them unë.

I bëj thirrje SHBA-ve, vendi që ndofta shpenzon më shumë se kushdo tjetër në luftën kundër drogës që të shqyrtojë me emergjencë dhe të marrë filmimin e fundit të autoriteteve italiane.

I kërkoj kryetarit të parlamentit që ky filmim të mos mbetet në dorë por t’i bëhet i ditur parlamentit shqiptar, sepse përgjegjësia për vendin nuk është vetëm i një grushi njerëzish. Përgjegjësia për vendin është e përfaqësuesve të qytetarëve, është e vet qytetarëve ndaj dhe ju takon të kërkojmë filmimin dhe ta bëjmë publik. Të mos dëgjojmë këtu një lum mashtrimesh dhe trillimesh njëra pas tjetrës.

Edhe një herë e them se kanabis është mbjellur edhe më parë, por ai u reduktua në mënyrë maksimale në atë shkallë sa Italia hoqi mbrojtjen dhe kontrollin bregdetar në Shqipëri. Sa leje për skafe janë dhënë? 1500 leje për skafe. Kur mediat e huaja shkruanin se po pregatitej flotilja e skafeve për transportin ilegal të emigrantëve unë e quajta sinqerisht një fantazi. Por kur më vonë mora vesh se janë dhënë leje për 1500 skafe u tërhoqa dhe kërkova ndjesë me veten time.

###

Tani, vijmë tek investimet e huaja dhe investitorët e huaj. Zotëria këtu (Rama) përmëndi investimet e tremujorit të fundit të këtij viti. Janë qindarkë për qindarkë investimet e Kaskadës së Devollit, investimet e TAP, në kaskadën e Matit dhe absolutisht asnjë qindarkë investim i tre viteve të fundit, që të gjitha janë të viteve të shkuara.

Kthehemi pak te investitori. Para meje, pak minuta më parë Rama iu tha shqiptarëve se Sali Berisha nuk tha një fjalë për sulmin ndaj Faad Mitrit, përfaqësues i kompanisë OMNIX.

Tani po ju lexoj prononcimin tim, të lexuar nga të gjitha mediat, të datës 10-09-2016: “Aksidenti ndaj Mitrit, perpjekje per te vrare ate dhe larguar kompanine e madhe qe ai perfaqeson nga Shqiperia!

Te dashur miq, sot u be nje perpjekje per te eleminuar fiziksht Faad Mitrin, perfaqesuesin e nje kompanie multimiliardiere, e cila ka projektin me te madh te investimit prej 1.5 miliarde euro ne turizem ne Gjirin e Lalzit ne Shqiperi. Ata te cilet i organizuan vrasjen me aksident automobilistik jane eksponente te mafies qeveritare, te cilet kishin dale ne prite t’i merrnin jeten nje njeriu, qe me perkushtim te jashtezakonshem ka punuar per realizimin e projektit me investimin me te madh ne fushen e turizmit ne historine e vendit tone.

Duke denuar me ashpersine me te madhe kete krim te mafies qeveritare dhë uruar sherim te shpejte e te plote te plagosurve ne kete aksident te kurdisur per vrasje personi, i bej thirrje prokurorise se shtetit me urgjence te vendose para ligjit autoret e ketij krimi te shemtuar! sb”

Një javë përpara po në këtë parlament kam denoncuar sulmin brutal ndaj Mitrit dhe e kam rikujtuar dhe një herë kërcënimin me jëtë që iu bë konsullit të Libanit sepse gjeti një miliarder që mund të interesohej për ARMO-n, dhe e thashë me emër e mbiemër se ky kërcënues është Besnik Sula, dhe këtë denoncim konsulli e bëri tek ministri i jashtëm i Shqipërisë. Dhe kur unë ja ngrita këtu në parlament ministrit të jashtëm këtë çështje më tha “pse ministër i brendshëm jam unë”.

Tani vijmë tek rasti aktual. Ky përmëndi gjykatësin, por këtu ka një problem. Ky mendon se, siç beson vetë gënjeshtrat e tij, edhe të tjerët do i besojnë. Ky këtë moto ka. Më lejoni pak t’ju informoj lidhur me deklaratën e tij.

Akti i parë që ka bërë zotëria e tij pasi erdhi në pushtet ndaj kësaj kompanie, me datën 27-09-2013 ka vendosur prishjen e kontratës së qerasë në lidhje me pjesën e pronarëve të ligjshëm. Me datën 22-02-2014 me urdhër të Edi Ramës është zgjidhur tërësisht kontrata e qerasë me shoqërinë OMNIX Albania. Pra, nga data 22-02-2014 OMNIX Albania sipas këtij kryeministri, sipas kësaj qeverie nuk kishte më asnjë të drejtë kontraktuale në këtë vend. Isha unë në pushtet apo ju?? Ja pra që ky është njëriu që i zgjidhi kontratën dhe lëshoi çdo gjë, territorin, jashtë çdo marrëdhënieje kontraktuale.

Cfarë ndodhi më pas? Ndodhi ajo që ndodhi me plehrat; valixhja 4 milionë euro. Cfarë ndodhi me OMNIX? OMNIX iku. Pas dy vitesh, më vjen në zyrë njëri nga kryesorët e familjes Mitri dhe më njofton se kishte zgjidhur çdo gjë dhe se kryeministri i thoshte aman fillo sa më parë. M’u bë shumë qefi sepse ai investim përbëntë një zhvillim të rëndësishëm. Këta thonë se u zhvillua një gjyq. Po, u zhvillua. Po kur u zhvillua gjyqi? Gjyqi nuk u zhvillua në korrik të 2012, as në korrik të 2013, gjyqi u zhvillua në korrik të 2016. Ju që rrihni gjoksin se gjoja ishit në anën e investitorit pse e bllokuat Hickën apo Dakon për të ndjekur gjyqin? A e dini ju se kjo është në thyerje dhe dhunim të plotë të ligjeve të vendit. Unë nuk hyj në materien e çështjes por shteti ka një detyrin, që çdo gjyq që humbet shteti e ndjek, e ka detyrim këtë. A e dini ju që se ndoqën kërkund. Pse? Si e mbylli gojën ky? Ja mbylli shuku i parave, ja mbylli valixhja.

Po pse them unë që është ky (Rama) që i ka nxjerrë bandat e mafies në rrugë atij? Së pari sepse ja ku janë të gjitha mediat dhe qytetarët, kjo është hera e parë që ai shqipëton jë fjalë për këtë akt dhe përpiqet të mbulojë heshtjen e tij duke shpifur e trilluar se heshti Berisha. Berisha e akuzoi direkt këtë (Ramën). Pra, deri tani nuk kishte thënë një fjalë. Ti nuk flet asnjë fjalë sepse ty të detyron diçka që të heshtësh. Unë kam bërë disa reagime deri tani, e bëra sepse ishte një akt barbar e zhtazor ndaj një njëriu por dhe sepse ky ishte investimi më i madh në 25 vitet e fundit ndërsa ju e përcollët. Pra, ky (Rama) nuk reagoi, nuk reagoi sepse kishte frikë se i nxjerr fakte të tjera. Dhe çfarë reagimi bëri sot? Tha se Berisha ska folur por në fakt Berisha ka folur të paktën tre herë deri tani për këtë, më shumë se çdo njëri tjetër këtu. Dhe çfarë reagimi tjetër bëri sot? Nxorri gjyqin të cilin nuk e apeloi kurrë me Hickën dhe Dakon e tij. Sepse donte që të ikte Mitri dhe ta marrë tokën Besnik Sula. Eshtë e njëjta praktikë që ndjek, siç bëri me plehrat. Doli nëpër Shipëri dhe thoshte “Poshtë plehrat”, “Në kosh Sali Berisha” etj. Por qeveria ime nuk ja bllokoi referendumin shqiptarëve. Të bllokosh të drejtën e referendumit një vendi, i jep goditjen fatale demokracisë. Unë isha në pushtet, Komisionin Qëndror e kishim ne, Presidenti i Repubilës ishte i propozuar nga kjo shumicë, të gjitha këto i dhanë rrugë dhe data e referendumit u caktua më 14 dhjetor. Cfarë bëri zotëria? Në aktin e parë anulloi ligjin, ekzekutoi referendumin, ekzekutoi si satrap të drejtën e shqiptarëve për t’u shprehur. Mashtroi 50 mijë shqiptarë që kishin firmosur dhe që ishin kundërshtarë të qeverisë së asaj kohe. Nuk ka referendum tha, do ta anulloj me ligj. Dhe më pas kur kërkuan referendum për çështje të tjera, këta vendosën asgjesimin e referendumeve. Kjo është e vërteta. Sepse me sekretarin e përgjithshëm të mafies bëri koleksion pehrash Shqipëri -Itali, shkoi valixhja e pareve prej 4 mln eurosh dhe të tjerat vazhdojnë.

A e keni vërë re se pse ndodh kaq rëndom që në tërësi të gjitha gjërat e mëdha anullohen dhe pastaj rikthehen? Absolutisht sepse gjithçka e përcakton valixhja. Zotëria më tha se unë sulmoj bizneset. Jo unë nuk sulmoj bizneset, e ke shumë gabim. Unë për kohën që isha në qeveri, me të gjitha dokumentat ndërkombëtare e ke, shndërruam këtë vend në një vend tërheqës për investimet. Për kohën që isha në qeveri, ke raportin e UNCTAD të vitit 2012 i cili thotë se Shqipëria mori investime të huaja më shumë se kapacitetet e veta dhe më shumë se çdo vend tjetër në rajon. Shqipëria u bë një vend tërheqës për investimet e huaja por investimet e huaja po i largon çdo ditë qeveria me mafien e saj.

###

A e dini aferën e fundit të ARMO-s? ARMO është një kompani e falimentuar. Një kompani e falimentuar, në Shqipëri dhe në çdo vend të botës, për hir të Kushtetutës së tregut, detyrimisht ndjek rregullat e falimentimit. Përndryshe çdo dorëzgjatje është përpjekje për grabitje. Pasi u përzu londinezi e mori me koncesion vetë. S’ka bërë asnjë lëvizje në QKR. Asnjë vendim të tillë përveç Gjykatës s’mund të marrë qeveria me një kompani të falimentuar. Eshtë Gjykata ajo që vendos, nuk ka të drejtë qeveria. Ka të drejtë kompania të shpallë vendime por jo qeveria.

A e dini pse heshtin deputetët e Fierit për ARMO-n? Besnik Sula ka Uzinën e bitumit të Fierit, jashtëzakonisht fitimprurëse por, me ligjin e falimentimit ajo është pronë e ARMO-s. Cfarë bën Besnik mafia bashkë me Brisin e këtij zotërisë? 180 punëtorëve jua jep rrogat kesh dhe nuk i rregjistron në sigurimet shoqërore, sepse diktohet që po funksionon Uzina dhe në këtë mënyrë thotë që edhe Uzina është jashtë funksionit. Mafia sot është ulur këmbëkryq dhe po rrënon çdo investim dhe të ardhmen në Shqipëri.

###

Së fundi, dua të ndalem në një moment. Në këtë vend kalohet nga një lajm dramatik në një lajm tjetër dramatik, nga një lajm i keq në një lajm tjetër të keq. Pak ditë më parë një nënë dhe një foshnje në kohën e saj të lindjes humbet jetën. E dhimbshme për çdo vend kjo. Përfytyroni pak Shqipërinë e 20 viteve më parë. Një nënë si ajo, në rast se do nisej nga Kalaja e Dodës apo Skrapari, asaj do ti duheshin shumë e shumë orë për të mbërritur në maternitetin e parë kompetent. Sot pas 20 vitesh kjo nënë, në mes të Tiranës përshkruan udhëtimin e vdekjes me shtatë orë e gjysëm. A ishte kjo inkopetencë e mjekëve? Absolutisht jo, se mjekët janë kompetentë. Unë nuk them se çdo mjek me të parën bën diagnozën por kur grupohen është shumë e vështirë tu shpëtojë diagnoza pa bërë. A ishte kjo mungesë humanizmi? E pamundur. Nuk mund të besoj që një mjek të mos kishte ndjeshmërinë e duhur ndaj një nëne dhe një foshnje. Cfarë ishte kjo atëherë. Kjo ishte një shpartallinë e sistemit të Urgjencës. Nga kush? Nga një xhahil që vjedh ditë e natë, që s’ka ndërmënd asgjë tjetër vetëm të vjedhë dhe vetëm të vjedhë. A e dini se shumica e imazherisë nuk funksiononte?

A e dini që vetëm dy javë më parë, me aktin normativ të buxhetit shkurtuat 47% të shpenzimeve për Urgjencën? Por natyrisht jo për Urgjencën tonë sepse ne këtu i kemi ca lidhje për të mos ta pësuar, por për Urgjencën e atij qytetarit të thjeshtë. Votuat ju këtu se ja u solli. A është ky një krim more. A e dini se këta që vodhën 300 mln me ndrikull Nushin dhe me muratorin e kompanisë së sterilizimeve s’kanë rritur një qindarkë rrogat e mjekëve prej tre vitesh? Në kohën time u rritën 150%. Cpo ndodh në këtë kohë që i latë mjekët me rrogat e tre viteve më parë? Po ikin masivisht. Shkoni merrni statistikat sa kanë ikur nga QSUT, sa kërkojnë të ikin.

Pra, a tha një fjalë për nënë dhe foshnjen kreu i meduzës? Jo nuk shqiptoi dot një fjalë sepse e zë haku i parave të vjedhura ndaj nuk flet dot. E vetmja gjë që bëri është që shkoi dje në Elbasan me Beqen e tij  dhe u tha se kanë blerë 6 ambulanca. A tha një fjalë për aeroportin? A e mbani mënd kur na tha këtu se ishte nisur turist Guido? Bëri avokatin e Guido Guidit. Sigurisht ju mërziteni por unë do ja numëroj këtij sepse ka njerëz që kanë dhimbje kur vdes një foshnje dhe vdes një nënë, ka njerëz që kanë dhimbje për vendin e tyre kur shohin se ndërtohen aeroporte nga trafikantë dhe kriminelë, ka njerëz që tronditen kur shohin sigurinë e tyre inegzistente në këtë vend, kur shohin pistën e aerioportit që vidhen 20 mln euro dhe pistën tjetër që ndërtohet, dhe duhet përsëri rrota që të bjeri që të diktohet.

Pra qeshni, sigurisht, sepse jeni pjesë e kësaj mafieje shtetërore por qytetarët nuk qeshin, ata po vuajnë si asnjëherë, po humbasin shpresën sa asnjëherë, qytetarët po ikin nga Shqipëria sa asnjë herë.

Ndaj dhe një herë dënoj me forcën më të madhe këtë qëndrim dhe veprime mafioze të organizatës kriminale që quhet qeveri shqiptare, këtë shndërrim të Shqipërisë në Kanabistan, këtë largim masiv të investitorëve të huaj nga Shqipëria, këtë zgjatje të tmerrshme të mafies të klientelës qeveritare mbi pasuritë publike të Shqipërisë.

Replikë e zotit Berisha pas fjalës së deputetit Shalsi

E vërteta është se në fjalën tuaj thatë disa gjëra që qëndrojnë, por problemi është se nuk ka atë shkallë. Eshtë e vërtetë që një e nga një po largohen investitorët e huaj. Ka të dhëna të kristalta nga viti 2008 deri në vitin 2013, Shqipëria ka marrë mbi 1 miliardë euro investime, zbarkuan njëri pas tjetrit gjigandët e botës. Dje nisi prodhimin hidrocentrali i Banjës. Shko lexo pak fjalën e kryetarit tënd (Ramës) në pranverë të vitit 2013 se çfarë thoshte, e quante mashtrimin e radhës të Sali Berishës. Po pse po ikin të githë këta investitorë? Iku Bankers, iku ky e ai, iku Hochtief? Sepse që të gjithë, për shkaqe rryshfeti ju anullohen kontratat dhe pastaj iu rikthehen. A nuk ishit ju që i vutë Bankersit taksën për naftën që injektonte? Dhe tani që fitoi gjyqet bëni deal-e për marrëveshje të tjera me të. A nu isha unë që denoncova këtu para jush, se ministrit të jashtëm ju ankua konsulli i Shqipërisë në Liban sepse e kishte kërcënuar Besnuk Sula me jetë, me sms. Po pse? Sepse gjeti një investitor për rafinerinë e naftës. A nuk jeni ju që ja çuat investitorit, që po largohej në barrelë, Eduart Ndocajn si doktor, për t’i thënë se edhe mua më kanë rrahur në Itali dhe s’është gjë kjo rrahja që të kanë bërë. A nuk jeni ju këta? Mos i ngatërro dy kohët. Në kohën time, në kohë të përparme, merr statistikat, në dhjetë vitet e fundit nga 2005 e para kanë qënë 38 milionë dollarë në vit mesatarja e investime, statistika të BERZH këto, dhe arritën në 1 miliardë euro investime në 5 vitet e fundit. Ndërsa ju po i përzini një nga një investitorët. A e di ti që kompaninë që iku, Omnix, akti i parë që ka bërë Edi Rama në shtator të këtij viti ka qënë anullimi i lejes. Pse e rikthyet më pas? E rikthyet pasi kërkuat rryshfet. Pse ja morët? Sepse doli rrysfet më i madh. Ky është mekanizmi. Asgjë mos ngatërro me një kohë kur Shqipëria mori investime, sipas UNCTAD, investime të huaja më shumë se çdo vend tjetër në rajon dhe më shumë se sa kapaciteti. Doni që nëpërmjet mohimit të justifikoni veten tuaj? Atëherë vazhdoni por në greminë po e çoni vendin!

Berisha, mazhorancës: E nisët si mazhorancë e qelbësirave, po përfundoni si mazhorancë e plehrave!

Zonja dhe zotërinj!

Njëriu që ja mbathi, nuk ja mbathi rastësisht. Ja mbathi sepse kishte frikë nga vetja e tij. Ja mbathi se e dinte që e vërteta do të dalë këtu për çdo çështje. Ja mbathi se e dinte që do riprodhoheshin në këtë sallë deklaratat e tij të tre viteve më parë para shqiptarëve dhe para këtij parlamenti. Këto deklarata ishin të kundërta me ato të sotmet pasi ka marrë 4 milionë euro rryshfet. E akuzova konkretisht me shifër konkrete. Asnjë fjalë nuk tha. Po çfarë na tha? Na tha se ka ngritur kontrollin. Urdhëroni, ja ky është kontrolli. Hodhët 1.5 km naftë mbi det. Asnjëri deri më sot nuk e  di se kush e hodhi, se ç’u bë dhe ky është kontrolli. Në Zvërnec të Vlorës, anija me bitum. Hetimi vazhdon thotë ky po përgjegjës nuk ka. Ky është kontrolli?!

Gjalica e Fierit, çdo javë vjen në këtë gjendje të mjeruar (tregon foto), nuk dihet nga kush, ja pra ky është kontrolli. Plehrat, ja ku i keni, kanë mbytur zona të tëra si asnjëherë më parë. Po groposni njerëz të gjallë në plehra.

Të nderuar deputetë,

Këtu unë fola me fakte, dhashë prova të qarta dhe zotëria në vend se t’i hidhte poshtë shpifi dhe nuk tha asgjë. I thashë dhe i them prap këtu, se më datën 27-09-2013 me urdhër të tij është vendosur prishja e kontratës me kompaninë OMNIX në lidhje me pjesën e pronarit të ligjshëm. Me datën 22 shkurt 2014 është zgjidhur tërësisht kontrata dhe këtë e ka bërë Al Kapone, Edi Rama. Këtyre nuk iu përgjigj. Procesi gjyqësor, nuk hyj në themelet e tij, por hyj në detyrimin shtetëror për të apeluar çdo vendim gjyqësor kundër shtetit. Nuk u apelua. Po pse? Sepse urdhëroi Edi Rama, sepse mori rryshfetin përndryshe do mbronte interesin e shtetit. Foli këtu për kanabisin. Fatmirësisht raportet dhe të dhënat janë aty.

Nga janari në shkurt, në dy muaj në brigjet italiane janë kapur 7636 kg kanabis sativa. Vetëm javën e fundit janë kapur 5 ton kanabis. Në 2012, raporti tregon se në 12 muaj kaluan gjithsej 7000 kg. Pra, keni kaluar në dy muaj shumë më tepër se sa në 12 muaj, keni kaluar në një javë thuajse kuotën vjetore të 2012.

Meqë përmënde raporte, ato janë këtu fatmirësisht. Cfarë thotë raporti Brukselit: “Gjatë vitit 2011 Shqipëria arriti rezultate të rëndësishme në luftën konstante ndaj krimit, drogës biznesit ndërkombëtar të saj. Shqipëria vazhdon të arrijë suksese në programin e saj për reduktimin e prodhimit dhe tranzitimit të drogave dhe për sigurinë e një kontrolli efektiv të kufinjve. Masat e ndërmarra për modernizimin e pajisjeve dhe shtimin e trajnimeve siguruan arritje cilësore në standartet e sigurisë së shërbimeve.”

Raporti DASH: “Raporti i vitit 2012; Në muajt e parë të 2012 Shqipëri kapi pak a shumë të njëjtën sasi të një viti më parë. Më vonë u kapën gjithsë 4728 kg marjuanë të përpunuar apo 30% më pak se 2010 sepse ç’rrënjosja në 2010 dhe rritja vetëdijes publike për dëmet e saj, uli në mënyrë domethënëse prodhimin e marjuanës.”

Raporti 2013: “Shqipëria ka realizuar rritjen e konsiderueshme në kapjen e drogave dhe arrestimin e trafikantëve.”

Pra nëse ju dilni këtu dhe gjëni mbrojtje duke fallsifikuar raportet e qeverisë amerikane ju qofshi se në mënyrë absolute jeni të pashpresë, ju nuk fusni dot drogën në thes.

Në gjithë ekspozenë time unë fola me dokumenta, fola me fakte dhe ai nuk reagoi. Eshtë kthyer si ato plakat që e nisin dhe e ngrysin ditën me thashëtheme, si një njeri bosh që ska një koncept, i lidhur me krimin, që gënjen e mashtron, që beson se vetëm në këtë mënyrë mund të kapërcejë skandalet e njëpasnjëshme që bën qeveria e tij.

Thirrja ime e fundit është kjo; Ngrihuni mos përfundoni mazhorancë e plehut. E nisët si mazhorancë e qelbësirave, po përfundojnë si mazhorancë e plehrave!


Fjala ne Kuvend e ish kryeministrit Sali Berisha, 22 Shtator 2016