Saimir Tahiri u kap mbrëmë në shërbim ndaj kartelit të drogës.

Ai i dërgoi fjalë trafikantëve se italiani ka filluar të flasë, duke i këshilluar ata që të lëvizin, të marrim masa, të largohen, ti shpëtojnë ligjit.

Është pikërisht Saimir Tahiri njeriu që nxori lajmin mbrëmë se piloti italian i rënë me avion në Ishëm, ka nisur të rrëfejë se kishte ardhur për të transportuar drogë e të tregojë porositësit.

Saimir Tahiri ka nxjerrë sekretin hetimor, ka prishur hetimet.

Kjo është jo vetëm një provë e lidhjes së drejtpërdrejtë me bandat e trafikantët, por është po ashtu një vepër e rëndë penale, për të cilën ai duhet të mbajë përgjegjësi.

Partia Demokratike i kërkon prokurorisë ta hetojë me shpejtësi dhe vendosmëri këtë skandal dhe autorin e vërtetë të këtij krimi.

Krimin nuk e kanë kryer gazetarët që transmetojnë lajmin. Krimin e ka kryer  burimi që ka dhënë lajmin. Krimin e ka kryer Saimir Tahiri.

I cili prej tre vitesh ka dalluar me të gjitha mënyrat si shërbëtor besnik i bandave të drogës e i trafikantëve, duke u dhënë edhe makinën private, duke djegur provat në laboratorin e shtetit, e së fundmi duke nxjerrë sekretin hetimor.

Karteli i drogës me Tahirin e me Ramën ndërtuan në mes të Shqipërisë një pistë avionësh, 1.5 kilometra të gjatë, ndërkohë që qytetarët nuk rregullojnë dot catinë e shpive të tyre sepse nuk i lejon policia.

Karteli i drogës e ka Tahirin edhe zëdhënës, pasi pas denoncimit që unë bëra dje në parlament, ai bashkë me Ramën tentuan ta mohojnë ngjarjen, ta fshehin të vërtetën.

Tahiri me pushtetin e ministrit të brendshëm po tregon se është një rrezik serioz për shtetin ligjor në këtë vend, ai eshte rrezik serioz për drejtësinë, për luftën ndaj krimit , dhe luftën ndaj drogës.

Ai duhet të merret menjëherë, sot, në ndjekje penale e të japë llogari para ligjit.


Deklaratë e deputetit Flamur Noka, 16 shtator 2016