Këshilltarët e Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës denoncuan sot gjendjen e rëndë të infrastrukturës në njësinë bashkiake numër 2, në një zonë shumë të populluar sic është ajo pranë Liceut Artistik. Veliaj ka prioritet pasadat dhe planet kleinteliste dhe jo komunitetin e nevojat e tij.

“Ndërkohë që Bashkia e Tiranës po shpenzon paratë publike për të ribërë Sheshin Skënderbej, siç mund ta shihni rrugët dhe rrugicat në njësinë bashkiake nr 2, janë lënë në gjendje të mjerueshme. Qytetarët përballen çdo ditë me pluhur, me baltë, cka po vështirëson jetën e tyre të përditshme dhe shkakton edhe dëme financiare me shkatërrimin e mjeteve të tyre pasi këtu kalojnë çdo ditë prindër që çojnë fëmijët në shkolla dhe me ardhjen dimrit kjo situatë do të vështirësohet. I bëjmë thirrje personave përgjegjës në Bashkinë e Tiranës që të marrin masa, të vendosen në vend të këtyre banorëve dhe të rishikojnë prioritet që kanë. Ne si këshilltarë të PD, do të qendrojmë në krah të qytetarëve deri në zgjidhjen e këtij problemi”, tha Argyrina Jubani.

“Ajo që ka ndodhur është që kanalet janë rihapur nga e para. Në vend që të bëjnë punën, ne shohim tendera të stisura të cilat do merren me rimbylljen e rrugës, apo për ta hapur prap, abuzime pa fund. Kjo ka ndodhur në rrugët e kësaj lagje. Banorët i kanë bërë peticione bashkisë pasi janë vërtet të lodhur nga kjo situatë. Ne si këshilltarë do të jemi në çdo cep të qytetit pranë çdo qytetari”, tha Mateo Spaho.

“Unë jetoj tek kjo rrugë këtu. Rruga u shtrua njëherë dhe pas 3 javësh u prish prap për kanalizimet. E shtruan më pas me çakull por përsëri erdhi bashkia dhe e prishi. Nuk e marrim vesh se çfarë bëjnë se këto janë taksat tona. Një shi dhe këtu mbushet lagja me ujë”, u shpreh një banore e zonës.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 23 Shtator 2016