I nderuar zoti kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka,
Të nderuar delegatë, të pranishëm dhe të ftuar në Konventën Kombëtare të Partisë Agrare Ambientaliste,
Të dashur miq,
Zonja dhe zotërinj,
Ju falënderoj nga zemra për ftesën për të marrë pjesë në punimet e konventës tuaj! Ju përshëndes dhe ju uroj suksese kësaj konvente dhe Partisë Agrare Ambientaliste, anëtarëve të saj kudo në Shqipëri! Ftesën e kam pranuar dhe vij me kënaqësi të madhe në këtë konventë. Jemi bërë bashkë në këtë rrugë, sepse ndajmë vlera dhe takohemi e bashkohemi në vlera dhe në zgjidhje. Vlerat që ndajmë, zgjidhjet që ofrojmë na kanë bashkuar në këtë sallë të majtë dhe të djathtë në një bashkim të madh, shembullor për historinë 26 vjeçare të pluralizmit. Vlerat që ndajmë janë boshti i aleancës tonë: papajtueshmëria me krimin, me drogën, me inkriminimin. Papajtueshmëria me ndarjen e pushtetit me trafikantët dhe banditët. Kjo është vlerë e madhe, fuqi e madhe që bashkon shqiptarë të ndershëm, të djathtë e të majtë dhe një aleancë të madhe që sa vjen e zgjerohet, por po kështu në familje politike siç është Partia Agrare Ambientaliste, aleatja jonë. Më lejoni që në vazhdim të mesazhit të kryetarit Duka të shpreh bindjen se këtë frymë aleanca jonë është e hapur dhe ne jemi të gatshëm të mirëpresim çdo forcë politike dhe të përfaqësojmë çdo shqiptar që qëndron dhe lufton për këto vlera. Ndarja me krimin është një urgjencë kombëtare, një thirrje mbi formacionet tona politike. Është një thirrje e shoqërisë, është një thirrje e Shqipërisë të cilës kemi detyrë t’i përgjigjemi. Do të doja shumë që fjalën time sot në këtë forum të gjelbër t’ia dedikoja tërësisht bujqësisë dhe mjedisit, të ndanim së bashku pikëpamjet, platformat për të zhvilluar bujqësinë, për tu ardhur në ndihmë fermerëve dhe për t’u kujdesur më shumë për mjedisin. Por sot e gjithë Shqipëria është në një emergjencë kombëtare. Hashashi ka zëvendësuar kulturat bujqësore dhe fatkeqësisht është ekonomi kryesore e Shqipërisë sot. Kjo e keqe e madhe është përhapur si tumor kudo dhe po prek me shpejtësi fëmijët e po mbjell vdekjen. Ndërsa flas për drogë, para syve kam ato vajzat e vogla në shkollën e Paskuqanit apo të Fushë-Krujës që përfunduan në spital para disa ditësh, por po kështu edhe ata djem të rinj që tymosnin në shkollë, ngjarje të rënda që nuk po ndodhin për herë të parë. Ky është një mallkim i vërtetë. Është mallkimi i çdo familje që ka brenda saj sot një fëmijë të droguar. Është drama e madhe që ka mbjellur Edi Rama dhe lidhjet e tij me krimin. Dhe jo vetëm kaq. Vrasjet me shkak konfliktet për drogën janë shtuar. Nuk ka si të jetë ndryshe. Droga është fatkeqësi, droga sjell krim. Droga është mallkim. E kanë provuar shoqëri të tjera para nesh, nuk duhet ta provojë deri në fund shoqëria jonë. Njeriu përgjegjës për këtë situatë ju thotë shqiptarëve ditë e natë se drogën e mbjellin të varfrit. Mashtron pa ju dridhur qerpiku. Vërtet varfëria dhe mjerimi janë shtuar, papunësia është ulur këmbëkryq në qytetet dhe fshatrat tona dhe kjo për shkak të keqqeverisjes. Por a mund të thoni, a mund të tregojmë një të varfër të vetëm që është bërë bos hashashi?! Sigurisht që jo, ata janë tragjikisht vetëm argatë, vetëm skllevër në kooperativën e drogës të Edi Ramës. Nuk u premtoi shqiptarëve Edi Rama në vitin 2013, kur erdhi në pushtet se do ta mbushte e do ta mbillte Shqipërinë me drogë. Nuk premtoi se do ta qeveriste Shqipërinë me kriminelë. Nuk premtoi se hashashi do të digjet nëpër shkolla e do të helmonte fëmijët tanë. Dhe nuk premtoi se do t’i hapte rrugën plehrave dhe helmeve të botës që të vijnë në vendin tonë. Të tjera gjëra premtoi; të kundërtën e këtyre. Premtoi parajsën dhe arriti të marrë votat e të marrë pushtetin. Tani në qeverisje, kur çdo ditë ai është dëshmia e gjallë e dështimit, e mashtrimit, e mos mbajtjes së asnjë premtimi, tani ai nuk lejon votën. “Ju mashtrova sa për të ardhur në pushtet, tani nuk ju lë më të votoni”,- këtë ju thotë Edi Rama me pak fjalë shqiptarëve. Dhe nuk i la shqiptarët të votonin as në zgjedhjet e pjesshme në Korçë, as në zgjedhjet e 2015-ës, as së fundmi në Dibër. Nuk la as socialistët të votojnë brenda partisë së tij, dhe hyri brutalisht me kriminelë në zgjedhjet në universitete. Kur e rrethon popullin me banditë, kur oferta e vetme është droga, kur dhunon votën, kur e blen atë me paratë e kanabisit dhe të korrupsionit, sigurisht në kuti ke llogaritë kriminale, por kurrë vullnetin e popullit. Prandaj mbulimi i Shqipërisë me drogë një vit para zgjedhjeve nuk është rastësi. Është pakti i Edi Ramës me krimin, në mënyrë që me para, me presione dhe me shantazhe të tjetërsojë vullnetin e zgjedhësve. Sot këtë e ka të qartë i madh e i vogël, nga Brukseli në Uashington. Ne duhet të ndahemi nga kjo republikë e krimit dhe e drogës, dhe ne do të ndahemi nga kjo republikë e krimit dhe e drogës së bashku me aleatët tanë, së bashku me Partinë Agrare Ambientaliste dhe aleancën më të gjërë qytetare që ka njohur Shqipëria e 26 viteve. Ne do të nisin republikën e lirisë, të ligjit, të drejtësisë, të punës së ndershme, të zhvillimit, vetëm me votë të lirë dhe të ndershme. Kjo është zgjedhja jonë, është zgjedhja e qytetarëve shqiptarë dhe është qartësisht zgjedhja juaj të nderuar delegatë dhe përfaqësues të Partisë Agrare Ambientaliste, zgjedhja e partisë tuaj, e ndjekësve dhe votuesve tuaj. Ndaj më lejoni t’ju them se jam i gëzuar pa masë që e keni bërë këtë zgjedhje dhe jeni sot për ta shpallur këtu se bashku me opozitën, së bashku me qytetarët shqiptarë. Kjo është një konventë dhe kjo sallë ka patur dhe do të ketë konventa politike por prania juaj, prania juaj dhe e mbështetësve tuaj në të gjithë vendin, është një lajm i mirë, është sinjal se vendi ka shpresë. Dhe më lejoni të shpjegoj fare shkurt se përse është një lajm i mirë. Duke folur hapur, çka shpeshherë në politikë konsiderohet e rrezikshme. Ndaj dhe qytetarët kanë filluar të shikojnë xhepat dhe të mbajnë duart në pozicione mbrojtëse kur një politikan thotë :”Po ju flas nga zemra,”-se zakonisht vetëm nga zemra se nuk vijnë ato fjalë. Pse them se ka shpresë?! Sepse kam bindjen e thellë që këtu nuk jemi mbledhur për llogari politike, për ekuacione, për të ndarë pushtetin së bashku. Besimi tek politika në këto tre vite është dëmtuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Keqqeverisja jo vetëm ka diskredituar qeverisjen por ka diskredituar e po diskrediton politikën e cila duhet të jetë një instrument shprese dhe e ndryshimit. Këtu ka investimin e vet edhe maxhoranca e cila në pamundësi për të ofruar zgjidhje, ofron demagogji dhe ushqen banalitetin se janë të gjithë njësoj, se jemi të gjithë njësoj. Një analist i njohur, Fatos Lubonja thotë se partitë janë banda. Kam debatuar me të privatisht, publikisht dhe mediatikisht dhe i kam thënë se nuk besoj se partitë politike janë mirëfilltazi banda. Se refuzoj të besoj që jo vetëm demokratë, republikanë, agraro ambentalistë, ballistë, zogistë, liberalët e kushdo tjetër në koalicionin opozitar nuk është e nuk mund të jetë bandë. Por se besoj nga thellësia e shpirtit dhe dua të besoj nga thellësia e shpirtit se edhe socialistët e ndershëm nuk janë mbledhur si bandë e banditë. Por janë mbledhur në këto formacione politike sepse besojnë në të vërtetë që mund të sjellin një ndryshim pozitiv për Shqipërinë, për fëmijët tanë, për të ardhmen e saj. Por se bandë, një parti politike ka në dorë ta kthejë udhëheqja e saj, drejtuesit e saj. E nuk ka rrugë më të shpejtë e më të garantuar për të kthyer një parti në bandë sesa thërritja e banditëve në parti, ofrimi i vendit të nderit, veshja e banditëve me pushtet, gradimi i tyre si deputet, si kryetarë bashkish, si drejtorë, dhënia një nga një e levave të pushtetit, inkriminimi i shtetit, shkatërrimi i shtetit për hirë të pushtetit. Që është edhe fundi i qeverisjes si një vegël, si një instrument për mirëqenien e qytetarëve dhe kthimi i qeverisjes në një ekuacion pushteti. Dhe këtu partitë pastaj nuk shihen më si alternativa, por si formacione që luftojnë për pushtet e jo për qeverisje. Unë kam ardhur sot edhe për t’ju parë dhe për të folur sy më sy me njëri-tjetrin. Dhe tani që ju shoh dhe ju dëgjoj dua t’ju pyes e ta dëgjojë e gjithë Shqipëria: A jemi mbledhur këtu si bandë? A keni ardhur këtu për të bërë me mua llogaritë e pushtetit? A është e vetmja aspiratë e juaja të merrni llokmën e pushtetit nesër? Apo kemi ardhur së bashku në këtë bashkim mahnitës të të djathtëve dhe të majtëve që përbëjnë shumicën e kësaj salle dhe të anëtarësisë së Partisë Agrare Ambientaliste, për t’i thënë shqiptarëve se ka shpresë, se ne jemi zëri i asaj shprese, se ne jemi kampionët dhe atletët e kësaj shprese. Se bashkë jemi shqiptarë mbi të gjitha dhe bashkë do të luftojmë jo për pushtet, por për t’ia hequr pushtetin bandave dhe për t’ia kthyer sovranit, qytetarit shqiptarë. Fuqia e qellimit te perbashket është forca më e madhe që njeh historia, forca më e madhe që njeh shoqëria shqiptare. Fuqia e aksionit të përbashkët është e papërballueshme. Ndaj më lejoni të shpreh dhe të shpallë këtu nga ky Kuvend i Agraro Ambientalistëve, fuqinë e bashkimit të djathtës dhe të majtës kundër të keqes, kundër krimit, kundër drogës dhe inkriminimit. E t‘u themi shqiptarëve se shpresë ka. T’u themi me bindje të plotë se ne jemi e do të bëhemi shpresa e ndryshimit. Vëllezër e motra, Edi Rama e ka shkelur kontratën duke mos mbajtur asnjë premtim. A nuk ishte ai që tre vite më parë u betua se kurrë nuk do të lejonte importin e mbetjeve. Çfarë bëri?! Jo vetëm që miratoi ligjin, por ata që tre vite më parë i mbështeti, i kalëroi në aksionin e tij kundër mbetjeve i quan sot sharlatanë. Qytetarët, mediat, ambientalistët, opozita të gjithë janë sharlatanë. Të mirë janë kriminelët, janë trafikantët, janë tutorët, janë banditët, janë përfaqësuesit e kartelit ndërkombëtar të mafies që mezi pret ta kthejë Shqipërinë në parajsën e plehrave dhe helmeve. Gjej rastin të përshëndes sot edhe në emrin tuaj dekretin e Presidentit të Republikës për kthimin në Kuvend të ligjit që i hapi rrugë importimit të mbetjeve dhe plehrave. Në së bashku, demokratë dhe agraro ambientalistë, do të çojmë deri në fund nismat tona ligjore për të bërë të mundur referendumin popullor për këtë çështje. Si dhe shpresojmë dhe do të bëjmë maksimumin tonë që dekreti i presidentit të qëndrojë në fuqi. Hapja me qytetarët, hapja dhe bashkimi i vlerave kalon edhe përmes këtij testi. Ne kemi reflektuar dhe unë personalisht dhe në emër të Partisë Demokratike kam shprehur dhe shpreh ndjesën për vendimet e mëparshme kur PD ishte në pushtet. Jam takuar, kam folur dhe kam dëgjuar aktivistë të mjedisit, kam koordinuar me kryetarin tuaj, me anëtarësinë tuaj, jemi bashkë, dhe nuk ka asnjë dyshim se lejimi i importit të plehrave është hapja e dyerve të ferrit, është e rrezikshme për vendin, për klimën, për shëndetin e shqiptarëve. Të njëjtin fodullëk dhe arrogancë që ka demonstruar për çdo çështje, kryeministri demonstroi edhe me këtë çështje. Jo vetëm mashtroi në mënyrë kriminale kur tre vjet më parë u zotua të hiqte importin e plehrave, jo vetëm ua bëri të mundur mafies së plehrave të nisë planet, dhe të pamundur referendumin aktivistëve të shqetësuar, por sot i quan ata aktivistë sharlatanë dhe i fut në kazanin e tij. Kazani i Edi Ramës është droga, është korrupsioni, janë plehrat dhe helmet. Një kazan i pështirë që i po i sjell atij dhe grupit që e rrethon miliona euro. Kazan që po asfikson të ardhmen e qytetarëve. Por ne dhe bashkimi ynë do ta ndalë me çdo kusht dhe me çdo çmim. Dhe me këtë shpreh bindjen e thellë sot në këtë kuvend të vendimmarrjes tuaj sepse koha për zgjidhje është tani. Me agrarët dhe ambientalistët dhe gjithçka që ju përfaqësoni takohemi dhe në prioritetin tonë të madh që është bujqësia, zhvillimi rural. Këto tre vite të vetmit që u rimbursuan janë trafikantët, sepse kryeministri ju la toka të lira, ju dha hapësira, dhe siç e tha kultivuesi nga Kruja në “Rai 3” para disa ditësh, iu la 60 euro për çdo rrënjë kanabis. Sepse të tjerat i merr për vete. Pse u harruan në këto tre vite ullinjtë, bujqësia, blegtoria, premtimet për subvencionet?! Është shumë e thjeshtë, ju e dini. Sepse vendin e këtyre premtimeve e zuri hashashi. E keni parë ka një muaj që vjen vërdallë nga një fshat në tjetrin duke u thënë fermerëve merrni kredi? Ky që tre vite më parë premtoi subvencione, investime, mbështetje për bujqësinë, sot iu thotë shteti s’ka lekë- po merrni kredi. Po me çfarë do t’i paguajnë fermerët këstet e përmuajshme të kredisë? Pas tre vitesh mungese totale dhe harrese edhe ato pak prodhime që marrin me mundin dhe djersën e tyre, ju kalben sepse sa vjen koha të shesin prodhimet, Edi Rama ngre traun e doganës për produktet e importit. Për ca para më shumë në xhepat e tij as nuk i bëhet vonë fare për vuajtjet dhe sakrificat e fermerëve, sikundër nuk u bëhet vonë fare për tokat që u përmbyten, për shtëpitë sepse zero kanë qenë dhe janë investime në këtë fushë. Që prej ditës së parë në pushtet rëndësi kanë vetëm paratë që i sjell pushteti dhe pushteti që i mbush xhepat me para. Ne kemi një projekt serioz për bujqësinë dhe për fshatin. Sot është dita e kuvendit tuaj, ndaj unë nuk do të ndalem në ofertën tonë që e kemi diskutuar me kryetarin Duka. Por ju them se pres me kënaqësi të madhe, çdo sugjerim, çdo propozim tuajin në mënyrë që së bashku të sjellim zhvillim në fshat, ta nxjerrim fshatin nga kriza e madhe e këtyre tre viteve dhe të nisim për të një epokë zhvillimi dhe mirëqenie. Prandaj së bashku me ju dhe me parti të tjera aleate dhe çdo qytetarë shqiptarë jemi në këtë aleancë të madhe, në një aleancë vlerash të themeluar për t’iu kundërvënë aleancës së drogës, aleancës së krimit. “Koha për zgjidhje”, shumë bukur e keni zgjedhur sloganin tuaj. Me Edi Ramën nuk ka zgjidhje për situatën e rëndë ekonomike, të krimit dhe drogës në vend. Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme për tu mundësuar shqiptarëve një alternative të re që ta çliroj vendin nga e keqe. Por me ju zonja dhe zotërinj, vëllezër e motra agrarë ambientalistë, vëllezër e motra të majtë dhe të djathtë, me bashkimin e çdo shqiptari të ndershëm, të djathtë e të majtë, me këtë energji që kemi sot në këtë sallë dhe kudo nëpër Shqipëri, të nisim marshimin tonë për ta mundur dhe sprapsur krimin, për t’ia kthyer pushtetin qytetarit, për ta futur Shqipërinë tonë të dashur në rrugën e zhvillimit dhe mirëqenies. Suksese kuvendit tuaj! Suksese Partisë Agrare Ambientaliste, aleatëve tanë! Suksese kryetarit, zotit Agron Duka dhe çdo anëtari! Faleminderit!
Fjala e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha ne Kuvendin e PAA, 22 tetor 2016