Në fakt këtë diskutim që po zhvillojmë sot, duhej ta kishim bërë 6 muaj më parë, kur në mënyrë të përsëritur opozita kërkoi që ligji që lufton korrupsionin në nivelet e larta dhe BKH të ishin një akt i veçantë, si domethënie që të dy palët, bashkë bien dakord për luftën pa kompromis ndaj korrupsionit.

Por jo, sigurisht që jo ju nuk ishit dakord e me sa kam kuptuar nuk do të jeni dakord me asnjë propozim të PD sado sens të bëjë e sado kuptim të ketë, mgjs bazën kushtetuese që ka bërë të mundur qoftë dhe ndryshimin e këtij ligji e keni thjesht falë punës e insistimit tonë.

Por në këtë proces ne nuk ishim vetëm, e për këtë arsye falënderoj të gjithë ata që kanë punuar me përkushtim e pa interesa që sot ne të kemi mundësi të flasim e të diskutojmë, bazuar mbi ndryshimet kushtetuese të korrikut për luftën ndaj korrupsionit.

Falë tyre, ky kuvend ka mundësinë për të votuar për një nga kriteret më të rëndësishëm që kërkohet nga Reforma në Drejtësi, vazhdimin e konsensusit për të ndërtuar shtëpinë e re të drejtësisë sipas këshillave të Komisionit të Venecias. Dhe mbi të gjitha sipas parimeve kushtetuese që së bashku vendosëm të ndryshonim për të ndërtuar një drejtësi të paanshme edhe të pa kapur nga pushteti ekzekutiv apo edhe ai partiak.

Këto dy udhërrëfyes kanë qenë primarët në amendamentet e paraqitura në Komisionin e Reformës së Drejtësisë nga ekspertët ligjorë të Partisë Demokratike. Dëshmi e një vullneti që ka pasur opozita, si pala më interesuar në këtë betejë ndaj korrupsionit dhe zbatimit të një drejtësie të barabartë për të gjithë. Nuk besoj se ka një palë që ka dashur më shume se opozita që ky proces të përfundohej me kohë.

Ashtu si dhe për kushtetutën, dhe për Ligjin Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për të cilin dua të fokusohem në veçanti, ka pasur aq drafte saqë as shkruesit nuk e njohin më punën e tyre origjinale. Që në krye të herës kemi dashur një proces të shëndetshëm, transparent e gjithëpërfshirës. Fatkeqësisht kjo nuk u lejua, as për ligjin më themeltar të shtetit e jo më për ligje dytësore.

Ajo që PD ka pasur parasysh gjatë kësaj periudhe ishte jo vetëm një proces konsensual por gjithashtu, një proces që të jepte siguri për një reformë afatgjatë në shërbim të publikut. Mungesa e konsensusit, do të pasohej me mungesën e një reforme të gjatë në kohë që detyrimisht do ta çonte atë nën të njëjtin fund të reformës territoriale apo atë të arsimit të lartë. Prandaj, jam e bindur sot, ashtu siç kam qenë kur e kam thënë një vit më parë, që ç’do reformë që prek më shumë se mandati i një qeverie duhet të jetë konsensuale.

Drafti i paraqitur nga ju nuk garantonte as edhe kriteret më elementare të kushtetutshmërisë duke mos qenë garant për ruajtjen e standardeve ndërkombëtare të organizimit të sistemit të drejtësisë, që sot është më shumë se kurrë e rëndësishme.
Projektligji aktual nuk rrezikon që Njësinë e Posaçme Hetimore ta vendosë nën tutelën e Ministrisë së Rendit, cilido qoftë titullari i kësaj ministrie. Duke i dhënë fund dëshirës të mazhorancës për të kontrolluar përmes qeverisë njësitë e hetimit dhe duke i dhënë jetë zbatimit të kushtetutës që e sanksionon me ligj këtë element të rëndësishëm të ndarjes së pushtetit.

Siç edhe pengon ndërhyrjen e ekzekutivit në emërimin e gjyqtarëve të posaçëm, prokurorëve të posaçëm, hetuesve apo edhe punonjësve në Gjykatën më të Lartë të vendit, atë kushtetuese. Elementë që nëse nuk do të ishin ndryshuar nga amendamentet e propozuara prej Partisë Demokratike do të ishin thembra e Akilit për një Prokurori Speciale që të tillë do të kish vetëm emrin dhe në realitet do të ishte vetëm se një drejtori nën varësinë e kryeministrit.

Ky projektligj, fryt i një dakortësie mes palëve që u zotuan për t’i qëndruar konsensusit të fund korrikut 2016 për hir të ndërtimit të një Drejtësie që do t’i shërbejë më së pari qytetarëve dhe jo interesit personal. Nuk do të qe i tillë, nëse rregullimet e domosdoshme në draftin e parë nuk do të ishin reflektuar në këtë projektligj sot, i cili mundëson shmangien e mbrojtjes së ndërsjellët mes funksionarëve të BKH.

Në mënyrë të tillë që ky institucion të jetë realisht i dobishëm në betejën e pakompromistë kundër korrupsionit. Një betejë që nuk mund të qe e tillë nëse kriteret e konkurrimit nuk do t’i jepnin jetë garantimit të standardeve për të futur në struktura persona me integritet të lartë profesional dhe moral. Ashtu siç luftuam fort që kriteret e personalizuara nga ju për drejtorin e BKH e për këdo në sistemin e drejtësisë të binin, e sot nuk kemi më të bëjmë me emra, por me kritere.

Por, përtej konsensusit që erdhi si pasojë vetëm e mos shmangies nga ajo çfarë 140 deputetë në korrik të këtij viti dakortësuan njëzëri dhe me vullnet të plotë, ky projektligj është edhe përgjigja më e mirë ndaj të gjithë propaganduesve politikë që drejtonin gishtin nga PD si një forcë që ka frikë nga strukturat e luftës ndaj korrupsionit sepse nuk do ta luftojë atë.

Unë nuk e kam frikë luftën ndaj korrupsionit, e as kolegët e mi. Ajo prej së cilës ne kishim frikë ishte pushteti gjygjësor në duart e pushtetit ekzekutiv. Ajo prej së cilës ne kemi frikë është shndërrimi i demokracisë përfaqësuese në një autokraci apo më keq në një diktaturë. Prandaj diskutuam, negociuam, insistuam që ne të ishim pjesë e këtij procesi. Gjë që fatkeqësisht nuk ndodhi me ligjet e tjera.

A jam e bindur unë që ky ligj do të shfarosë korrupsionin që ka zënë rrënjë në cdo institucion?
A jam e bindur unë që ky ligj do të na lejojë zgjedhje të lira e të ndershme?
A jam e bindur unë se ky ligj do të luftojë krimin e organizuar dhe mafien?
A jam e bindur unë që sot me sustë do të ndalen të gjitha koncesionet abuzive?

Jo, jo dhe jo! Se të gjitha këto janë çështje të vullnetit politik. E është e qartë që ky vullnet politik nuk ekziston. Unë nuk kam pasur asnjë shpresë që në krye të mandatit tuaj se ju do të ishit ndryshe, fatmirësisht sot shpresën e kanë humbur dhe shqiptarët.

Por, ndonëse gjërat nuk do të rregullohen menjëherë, unë jam e bindur se ky ligj hedh themele të forta, jam e bindur që është një fillesë e jo përfundim, jam e bindur që kemi bërë mirë që në këtë proces kemi qënë forcë shtytëse për të përfshirë të gjithë parimet e Komisionit të Venecias, që jo rastësisht u përputh plotësisht me kritikat tona.

Sepse në çdo përpjekje për të përmisuar si ndryshimet kushtetuese edhe projektligjet, jemi bazuar në parimet e shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushtetit.

Jemi të bindur se rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE-së kalon vetëm përmes pastrimit të vendit nga korrupsioni, si një betejë e pakompromistë.

Për një rrugëtim, të cilën, ne si forcë politike kemi qenë dhe jemi të gatshëm ta çojmë deri në fund.

Siç edhe jemi të gatshëm, të bashkojmë forcat bashkë me mazhorancën për ta çuar deri në fund një betejë të sinqertë karshi korrupsionit brenda dhe jashtë qeverisë për t’i mundësuar atë që shqiptarëve kjo sallë u ka borxh.

Le të jetë pra, ky ligj hapi i parë i dobishëm madje i DOMOSDOSHËM për t’i dhënë jetë zbatimit të asaj çfarë shumë syresh e quajtën “Republika e re” sot, e nesër pa këtë mazhorancë në qeverisje të jetë mjeti për të luftuar korrupsionin. E qoftë faji jonë, nqs cdo denoncim, cdo akuzë, cdo betejë që kemi pasur për korrupsionin nuk e materializojmë me veprime konkrete. Jo fjalë boshe, ashtu sic keni bërë e bëni ju.

Sot këtë ligj PD do ta votojë pro, duke e ditur që është shumë larg ideales, duke i ditur problemet teknike e në zbatim që do të ketë, do ta votojë pro dhe për procesin e integrimit Europian për të cilin ju nuk e keni në axhendën tuaj, por fatmirësisht ne e kemi. E për ta mbyllur, sot po diskutojmë e flasim vetëm pse ne ishim në opozitë, se po të kish qenë ndryshe sot do flisnim akoma për Qarkun e Fierit.


Fjala ne Kuvend e deputetes Jorida Tabaku, 6 Tetor 2016