Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vijoi turin e dëgjimit dhe bashkëbisedimit me drejtuesit e strukturave të Partisë Demokratike të degës 8 në kryeqytet.

Pas rritjes së kultivimit të hashashit në të gjithë territorin e vendit, banorët i shprehën kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha shqetësimin për rritjen e ndjeshme të konsumimit të drogës nëpër shkollat e kryeqytetit. “Pranë shkollave të mesme ka çdo ditë persona që shesin hashash dhe droga të forta, ndërsa konsumimi nga të rinjtë është rritur në mënyrë tejet shqetësuese. Rritja e konsumit të drogës tek të rinjtë, përdorimi i qytetarëve si skllevër në parcelat e hashashit dhe vrasjet për drogën janë sot pasojat direkte të politikës kriminale të Edi Ramës, për ta kthyer Shqipërinë në hambar droge”,- tha kryetari i Partisë Demokratike.

“Për një vit me radhë denoncuam fushatën e  mbjelljes së drogës. Ju thamë se po pesëfishohet, dhjetëfishohet territori i mbjellur me drogë. Edi Rama tallej. Vetëm javën e fundit iu është kapur një sasi rekord  droge, 3.2 tonë në Mat para dy ditësh, 11 tonë në Vlorë. Ku e kemi hokatarin Edi Rama dhe biçim ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri? Po pse erdhëm këtu?! Sepse Edi Rama dhe Saimir Tahiri kriminalizuan Policinë e Shtetit. Emëruan persona me precedentë të mëparshëm, persona të njohur për bashkëpunimin e tyre me krimin e organizuar dhe iu varën në qafë çelësat e drejtorive kyçe të Policisë së Shtetit në territor dhe në luftën kundër narkotikëve”.

Sulmet e kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm ndaj opozitës, medias dhe prokurorisë, tha zoti Basha janë pasojë e bllokimit të tonelatave me drogë në Mat dhe Vlorë me paratë e të cilave Rama dhe Tahiri kishin planifikuar të blinin votat dhe të shtonin pasuritë e tyre.

“Pyetja që shtron çdo njeri normal, demokrat apo jo është: Si ka mundësi që ditën që kapeshin 11 tonë drogë ministri i Brendshëm rreshton ne frontin e të keqes opozitën, median, prokurorinë?! Përgjigjja është vetëm një: sepse ministri i Brendshëm është pjesë e këtyre 11 tonë drogë. Normalisht po të kapen 11 tonë drogë dhe ke pjesë e hisen tënde aty, të ikën zëri e të erren sytë, se po të shtrëngohet laku dhe më shumë do ti shtrëngohet”.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 6 tetor 2016